English

Përmbytjet, dalin gjarpërinjtë dhe krokodilët

Gladstoun, 4 janar 2011, NOA - Përmbytjet më të rënda në dekadat e fundit kanë detyruar autoritetet austrialiane të evakuojnë të tjera zona të banuara, pas parashikimeve për një rritje të nivelit të ujit në ditët e ardhshme. Një goditje të rëndë ka marrë ekonomia e vendit për shkak të mbylljes së minierave dhe ndërprerjes së eksporteve, ndërkohë që dëmtime të mëdha kanë pësuar kulturat bujqësore.

Disa prej minierave që prodhojnë rreth 90 milionë ton qymur në vit nuk kanë furnizuar firmat shpërndarëse sipas kontratave, duke u shkaktuar një dëm të konsiderueshem. Vetëm për vitin 2009 eksportet e qymyrit nga Australia arritën në 259 milionë ton.

Sipas ekspertëve përmbytjet kanë ulur me 35 përqind prodhimin e qymyrit.

Më shumë se 50 përqind e eksporteve botërore të qymyrit kryesisht drejt fabrikave kineze vijnë nga Australia.

“Është shumë e vështirë që të bëjmë një parashikim të saktë, por dëmtimet nga përmbytjet do ulin me 0.45 Prodhimin e Përgjithshëm Bruto”, theksoi Elen Kivans, ekonomiste pranë bankës JP Morgan.

Sipas autoriteteve në shtetin e Kuinsland, vërshimi i ujërave ka përmbytur një sipërfaqe të barabartë me atë të Gjermanisë dhe Francës.

“Ngjan si surealiste. U zhdukën në pak sekonda të gjitha automjetet. Shumë vende duken tashmë si bregdet”, u shpreh një e moshuar nga qyteti Rokhabton, në të cilën janë përmbytur më shumë se 500 banesa, ndërsa 1 mijë persona kanë lënë shtëpitë.

Përveç braktisjes së shtëpive të tyre, banorët po përballen tani edhe me shfaqjen e krokodilëve dhe gjarpërinjve të shumtë.

a.y/NOA

KOMENTE