English

Prezantohet AIDA, Berisha: Në 2017-ën Shqipëria vend i zhvilluar

Tiranë, 4 janar 2011, NOA – Agjencia Shqiptare për Investime dhe Zhvillim (AIDA), e cila ka nisur punën e saj këtë fillimviti do të jetë agjencia që do të mundësojë arritjen e objektivave të qeverisë shqiptare për ta shndërruar Shqipërinë në një vend të zhvilluara pas gjashtë vitesh, pra në vitin 2017. Duke e cilësuar të vështirë por plotësisht të mundshëm këtë objektiv kryeministri Berisha theksoi se ai do të mbërrihet duke zgjuar dhe shndërruar në vlera të gjitha potencialet e vendit të fjetura deri më tani sikundër tha kryeministri. Nëpërmjet një konference për shtyp kryeministri Berisha prezantoi sot Drejtoreshën Ekzekutive të Agjencisë Shqiptare për Investime dhe Zhvillim (AIDA), Eneida Guria, që sipas kryeministrit është edhe ajo vetë një histori suksesi sa i përket studimeve dhe kurikulumit të saj profesional tejet të suksesshëm.

Shefi i qeverisë tha se u bazuar pikërisht në suksesin e arritur nga Guria për t’i dhënë asaj një detyrë të tillë, drejtimin e AIDA-s.

Gjatë prezantimit të Agjencisë Shqiptare për Investime e Zhvillim shefi i qeverisë sqaroi se Agjencia ka disa drejtori, njëra ajo e Investimit dhe Shërbimit ndaj investitorëve, që ka si detyrë të zhvilloje dhe zbatojë strategjinë për nxitjen e investimeve, të zhvillojë një strategji të kujdesit ndaj investitorëve me indikatorët përkatës të suksesit, të zhvillojë dhe të përgjithësojë regjistrin e të dhënave të investitorëve të huaj.

AIDA, përfshin edhe drejtorinë e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme të zhvillimit dhe eksporteve, e cila drejton, organizon dhe zhvillon punën për zbatimin e strategjisë për SME-të dhe eksportuesit, si dhe planin vjetor të punës për indikatorët e suksesit; drejtorinë e Qendrës së Ndërmjetësimit dhe Inovacionit, e cila ka për detyrë të zhvillojë dhe të zbatojë strategjinë e biznesit për inovacionit dhe për transferimin e teknologjisë; drejtorinë e marketingut dhe të mbështetjes operacionale.

Kryeministri Berisha nënvizoi se “Rezultatet e kësaj Agjencie do të jenë të vazhdueshme, pasi viti 2017 është përcaktuar si një nga objektivët më ambiciozë yni, duke marrë parasysh të gjitha potencialet e jashtëzakonshme që ka ky vend. Nuk është objektiv i lehtë, madje shumë i vështirë, por unë inkurajohem, sepse shoh disa fusha ku rritja është jashtë parashikimit, si për shembull turizmi”.

Në këtë kontekst Berisha kujtoi se këtë vit turizmi është rritur me 11-12 herë, një rritje sipas tij e paparashikuar.

Ndër potencialet e Shqipërisë zoti Berisha përmendi projektin e ullirit, për të cilin siguroi se “Zotimi i qeverisë është se do të subvencionojmë çdo rrënjë ulliri, por e vërteta është se 2/3 po i mbjellin vetë qytetarët me pasionin më të madh dhe realisht janë biznesmenë, intelektualë”.

Gjithashtu kryeministri garantoi se qeveria do të mbështesë ngritjen e disa resorteve të mëdha turistike, duke nënvizuar se në 2017-ën, Shqipëria do të jetë vend i zhvilluar.

“Ka një plan që të ecim drejt turizmit malor. Me urgjencë do të zhvillojmë turizmin malor, me një kuadër ligjor favorizues në ekstrem. Të mos harrojmë se potenciali turistik është potenciali kryesor i vendit. Por ne do të takohemi këtu, në këtë sallë, më 3 janar të vitit 2018 për të bërë bilancin. Shënojeni”, tha kryeministri Berisha.

mit/NOA

KOMENTE