English

Ambasadori i OSBE: Kompromis dhe mirëkuptim për zgjedhjet lokale

Tiranë, 5 janar 2011, NOA Update – Gjatë inaugurimit të një ambienti të ri për Bibliotekën e Kuvendit të Shqipërisë, Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Eugen Wallfarth në daljen e tij të parë publike për këtë fillimvit i ka bërë thirrje opozitës dhe mazhorancës të gjejnë kompromis dhe të arrijnë më në fund një frymë bashkëpunimi mes tyre. Ambasadori i OSBE-së i ka cilësuar pozitive diskutimet në seancat e fundit në kuvend, pasi sikundër tha ai është e rëndësishme që palët të diskutojnë në parlament për arritjen e marrëveshjeve politike si dhe për miratimin e ligjeve të rëndësishëm.

Duke folur për mediat ambasadori Wallfarth theksoi se “Meqë jemi në kuvend mund të them që është shumë e rëndësishme që diskutimet të ndodhin në Kuvend, dhe mendoj se shenjat e fundit janë pozitive pasi mendoj se ka pasur diskutime. Shpresoj të ketë sa më shumë diskutime dhe të gjithë duhet të kenë parasysh, që për të marrë vendime të rëndësishme ka nevojë për kompromis dhe për një frymë pozitive bashkëpunimi. Kuvendi është vendi i duhur ku mazhoranca takohet me opozitën për të marrë vendimet e duhura. Shpresoj të ketë diskutime të mëtejshme dhe të ketë një mirëkuptim midis të dyja palëve duke marrë parasysh edhe infrastrukturën e përmirësuar të Kuvendit”, nënvizoi ambasadori i OSBE-së.

I pyetur për vendimin e KQZ-së për djegien e fletëve të votimit në datën 7 janar, një ide të cilën ambasadori i mëparshëm i OSBE-së e kundërshtonte, kreu i prezencës së OSBE-së Eugen Wallfarth nuk deshi ta komentojë, duke sqaruar më tej se tashmë situate politike në Shqipëri është ndryshe.

Në këtë kontekst ambasadori Ëallfarth tha se kur flitet për zgjedhjet e shkuara të gjitha vendimet që merren duhet të merren me transparencë, andaj ai kërkoi përgjegjësi të lartë nga KQZ duke ditur se vendi është katër muaj para zgjedhjeve vendore që do të mbahen në 8 maj. “Tashmë shoh se ka një nivel transparence, megjithatë jo të gjithë anëtarët e Komisionit të Zgjedhjeve kanë qenë prezent në të gjitha takimet, kështu lind pyetja a është kjo mënyra më e mirë për të proceduar në këtë mënyrë. Kur bëhet fjalë për zgjedhjet e kaluara apo ato të ardhshmet kërkohet një pjesëmarrje nga të gjitha palët dhe vetëm në këtë mënyrë mund të kemi nivel të lartë të transparences”, argumentoi Wallfarth.

Ambasadori i OSBE-së theksoi gjithashtu se votimi i ligjeve është në dorë të deputetëve, duke sqaruar se edhë dëshira për të votuar ose jo ligjet është një e drejtë demokratike.

Megjithatë në urimin e tij për këtë vit të gjatë që sapo ka nisur ambasadori i OSBE-së, Eugen Wallfarth vlerësoi së palët politike por edhe votuesit, duhet të kontribuojnë sa më gjerësisht për një proces elektoral sa më demokratik.

mit/NOA

KOMENTE