English

Meta ndez debatin: Procesi ndaj meje, i pashembullt

Tiranë, 17 janar 2011, NOA - Ish-zv/kryeministri Ilir Meta, i dorëhequr nga detyra pas publikimit të videos që e implikonte atë në afera korruptive, ka folur si deputet i thjeshte në seancën parlamentare të kësaj të hëne, duke mbrojtur idenë se videoja e regjistruar nga Dritan Prifti ishte e montuar dhe një skenar i Edi Ramës. “Më vjen keq për të gjithë ju që jeni mësuar nga koha e regjimit të kaluar t’i bëni njerëzit fajtorë pa fakte, që jeni mësuar t’i bëni njerëzve gjyqe politike, por ju me mua këtë nuk e bëni dot, e nuk e keni bërë asnjë herë. Nuk ia bëni dot më asnjë qytetari të këtij vendi. Unë nuk merrem me shpifjet tuaja, me sulmet tuaja dhe me montimet e juaja. Unë merrem me ligjin me drejtësinë dhe ky proces juridik që ka nisur, të jeni të sigurt se do të jetë i pashembullt”- deklaroi Meta nga foltorja e kuvendit. Sipas kreut të LSI-së, është për të ardhur keq që opozita përdor si dëshmitar nje video të titruar, duke akuzuar Dritan Priftin se është po i njëjti person që ka akuzuar publikisht kryetarin e Partisë Socialiste, se e kishte parë duke pirë kokainë në zyrën e kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Meta tha se do të përballet me drejtësinë për të gjitha akuzat. “Çështja ime në raport me opinioni publik është shumë e qartë, me drejtësinë do të jetë akoma më shumë e qartë. Sepse falsifikimet dhe montimet, të cilat kanë dalë sheshit do të provohen deri në fund. Dhe autorët e këtij montazhi të paligjshëm dhe kriminal do të përgjigjen deri në fund, sepse nuk mund të cenojë askush lirinë dhe dinjitetin e çdo qytetari shqiptar. Nuk mund të kthejë askush Shqipërinë në vendin e përgjimeve, në vendin e spiunëve, në vendin e manipulimeve, në vendin ku ngrihet në kult spiunllëku dhe natyrisht nuk habitem për të gjithë ata të cilët punojnë në këtë drejtim” – deklaroi Meta. Ai ka sqaruar se në bisedën e zhvilluar me ish-ministrin e Ekonomisë, Dritan Prifti nuk ka asnjë shkelje ligjore pasi behet fjalë një kompani që ka kërkuar në mënyrë ligjore pjesëmarrjen e saj në një tender publik. “Ko kompani më 5 janar i është drejtuar zyrtarisht këtij ministri, pra dy muaj përpara përgjimit, ku ajo i ka çuar në mënyrë shumë të qartë të gjitha arsyet që e bënin imediate marrjen në konsideratë dhe protokollimin e një vendimi të Gjykatës së Apelit, të marrë, sipas saj, në favor të kësaj kompanie në dhjetor, pra tre muaj përpara përgjimit dhe në mënyrë shumë të qartë në këtë vendim, që është i protokolluar në Ministrinë e Energjetikës, i bën të qartë se investimi dhe shpenzimet e kryera deri tani nga aksionerët e kompanisë e kalojnë shifrën e 700 mijë eurove. Lidhur me atë diku 7% tuaj, që keni nxjerrë në titra, ja ku është 6.66% pjesa e kompanisë së huaj e cila është regjistruar edhe në QKR, si pjesë e këtyre aksionarëve”- u shpreh Meta. Kreu i LSI-së u shpreh i bindur në fitoren e zgjedhjeve të 8 majit, duke rithënë se në “9 maj, do të jetë fitorja kundër fashizmit, sepse është përvjetori, por do të jetë fitore edhe mbi spiunët që kërkojnë të ringjallen në politikën shqiptare, në shoqërinë shqiptare”. Ishte ky fjalim që duket se frymëzoi reagimin e ashpër të opozitës, e cila solli në fund edhe degjenerimin e seancës, pas disa herë ndërprerjesh. mit/NOA

KOMENTE