English


Demonstrata e 21 janarit, 5 ditë afat për provat

Tiranë, 28 Janar 2011 NOA/ Ervin Tirana - Në selinë e Kryesisë së Kuvendit Komisioni Parlamentar Hetimor “Për hetimin e veprimtarisë së institucioneve shtetërore për zbulimin, identifikimin, përballimin, neutralizimin, pengimin dhe ndëshkimin e veprimit të organizuar kriminal për dhunimin e institucioneve dhe përmbysjen e rendit kushtetues në datën 21 janar 2011”, zhvilloi sot mbledhjen e tij të radhës.

Komisioni mori në shqyrtim propozimin e anëtarit, Fatos Hoxha dhe vendosi për ti dërguar një kërkesë Ministrit të Drejtësisë për të paraqitur brenda datës 2 shkurt 2011, informacion të detajuar që ka Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve në Ministrinë e Drejtësisë me periudhën para, gjatë dhe pas veprimit kriminal të organizuar kriminal për dhunimin dhe përmbysjen e rendit kushtetues në datën 21 janar 2011.

Po ashtu, Komisioni vendosi që ti dërgojë një kërkesë Drejtorit të Shërbimit Informativ të Shtetit, dhe për të paraqitur informacion të detajuar brenda datës 2 shkurt 2011.

“Procesi më i rëndësishëm, është procesi faktmbledhës dhe më pas do të marrim në shqyrtim të gjithë dokumentacionin shkresor që do të na përcjellin institucionet, për të vijuar më pas, me seanca dëgjimore, për të vijuar me analizën e veprimeve dhe sjelljen e këtyre institucioneve para, gjatë dhe pas tentativës për përmbysjen me dhunë të rendit kushtetues më datën 21 janar 2011” u shpreh Kryetari i Komisionit, Eduard Halimi.

Në këtë kuadër, një vizitë faktmbledhëse do të zhvillohet më datën 29 janar në Gardën e Republikës, ndërkohë që më datën 30 janar do të zhvillohet një vizitë faktmbledhëse në Drejtorinë e Policisë së Shtetit.

e.t/NOA

KOMENTE