English

Përfundon misioni i FA në Afganistan. Ministri Imami: Ju i dhatë nder dhe lavdi vendit

Tiranë, 28 janar 2011, NOA- Ditën e sotme u kthyen në Shqipëri, kontigjenti i 3-të shtesë Komando dhe kontigjenti i 7-të i Batalionit Malor, Vau-Dejë, të cilët prej 6 muajsh shërbyen me mision në Heart të Afganistanit.

222 trupat që kryen me sukses një nga operacionet më të rëndësishme të Forcave të Armatosura, mbërritën në tokën Mëmë, në të gdhirë të ditës së premte.

Për të pritur misionarët e paqes në aeroportin “Nënë Tereza”, ishin të pranishëm: Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, zv. shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral brigade Sandër Lleshi, gjeneralë të Forcave të Armatosura, drejtues të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe familjarë dhe të afërm të ushtarëve në mision.

Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, në fjalën e tij përshëndetëse duke i uruar mirëseardhjen të dy kontigjentëve u shpreh: “Ishte një çast emocional për të gjithë ne, në momentin që kompania komando së bashku me flamurin tone, u fut në këtë fushë dhe pati duartrokitje edhe në këtë orë të vonë të natës. Është derdhur gjak për këtë flamur dhe ju ushtarë, oficerë dhe nënoficerë keni kryer me sukses një mision të rëndësishëm për paqen, stabilitetin dhe sigurinë globale. Ktheheni nga një mision që i keni dhënë nder dhe lavdi vendit tuaj, flamurit, uniformës që mbani, familjeve tuaja dhe fëmijëve tuaj. Unë për të gjithë këtë sakrificë ju përshëndes në emrin tim personal, ju përshëndes në emër të Qeverisë Shqiptare, ju përshëndes gjithashtu edhe në emër të kolegëve tuaj dhe Shtabit të Përgjithshëm. Jemi shumë të lumtur që jeni që të gjithë këtu, jemi shumë të lumtur që do të viheni pranë familjeve tuaja, për të cilët padyshim ju ka marrë malli shumë. Malli për ta është një nga ndjenjat më të fuqishme ndaj po ju them: “Mirëseerdhët””, nënvizoi ministri Imami.

Ndërkohë komandanti i kontigjentit të 7-të, i batalionit të këmbësorisë malore, major Paulin Paluku, u shpreh: “Jemi shumë të lumtur që u kthyem në Atdhe pas qëndrimit tonë në Heart, Afganistan për 6 muaj me radhë. Ishte një nga misionet më të rëndësishme dhe më të vështira, pasi për mua dhe kontigjentin që unë komandoja ishte hera e parë që ne shkonim me mision në Afganistan. Ky mision ishte në një ambient të cilin nuk e njihnim më parë, por falë përgatitjes së efektivave u përshtatëm mjaft mirë me realitetin, terrenin dhe kushtet atje, duke e përmbushur këtë mision me sukses”.

Nga ana tjetër, komandanti i kontigjentit të 3-të shtesë, të trupave komando, major Fatmir Minja, nënvizoi: në këto momente jam tepër i emocionuar dhe i kënaqur, pasi së bashku me kontigjentin tim, kam realizuar me sukses një mision shumë të suksesshëm përkrah ushtrive të vendeve të tjera të aleancës, partnere të FA-së. Ne ishim nën komandën e trupave Italiane atje, por njëkohësisht kemi kryer detyra bashkëpunimi edhe me vendet e tjera. Dua të përshëndes me këtë rast drejtuesit më të lartë shqiptarë, komandën time, komandën e batalionit, gjeneralët, Shtabin e Përgjithshëm, ministrin e Mbrojtjes, z. Imami, qeverinë shqiptare, për të gjithë mbështetjen dhe suportin që na kanë dhënë gjatë të gjithë kohës së misionit tonë. Mbi të gjitha do të falenderoja të gjithë efektivin tim për punën, gatishmërinë dhe eksperiencën e shkëlqyer që kanë treguar, gjatë kryerjes së këtij misioni, i cili me të vërtetë ka qenë shumë i vështirë për vendosjen e paqes në një vend që e ka të nevojshme praninë tonë. Flamuri ynë kombëtarë ka qenë me të vërtetë kryelartë përkrahë ushtrive të tjera të NATO-s”.

Kontigjenti që u kthye nga misioni:

1-Kontigjenti i 3-të shtesë me 110 trupa ushtarake.

2-Kontigjenti i 7-të me 112 trupa ushtarake.

Kohëzgjatja e misionit: 6 muaj

Vendi ku është kryer misioni: Heart, Afganistan

Detyrat që kanë kryer:

-Ruajtja e bazës

-Sigurimi dhe shoqërimi i personelit VIP

-Grupe të ndërhyrjes së veçantë në bazë.

NOA

KOMENTE