English

SHBA-BE, të shqetësuar për mungesën e dialogut politik në Maqedoni

Shkup, 29 janar, NOA - Partia më e madhe opozitare maqedonase, Lidhja Social Demokrate (LSDM), braktisi sot parlamentin për një afat të pacaktuar duke drejtuar akuza ndaj maxhorancës.

Ndërkohë, përfaqësuesit e SHBA-ve dhe BE-së në Shkup, janë shprehur të shqetësuar lidhur me mosfunksionimin e dialogut politik në Maqedoni.

Ambasadori amerikan në Shkup, Filip Riker u shpreh se, përpos gjyqësisë dhe mediumeve të cilat po ballafaqohen me shumë probleme, me bojkotin e LSDM-së, rrezikohet edhe funksionimi normal i Parlamentit të Maqedonisë.

“Lirishtë mund të shprehem se, mediumet e pavarura dhe gjyqësia, të cilat janë dy komponentët kryesore të demokracisë po ballafaqohen me shumë probleme.

Sot kuptova se edhe Parlamenti, si organ ligjdhënëse, po ballafaqohet me probleme. Institucionet dhe demokracia në Maqedoni duhet të merren këtë çështje për të rregulluar atë”, deklaroi Riker, pas takimit të sotëm me kryeministrin e Maqedonisë, Nikolla Gruevski.

Duke komentuar, rastin e burgosjes së pronarit të televizionit A1, Ambasadori amerikan tha se, është me rëndësi që kriminelët të ndiqen, krimi të sanksionohet, gjyqësia të zhvillojë procedurë për atë, ndërsa mediumet të mos mbyllen dhe të funksionojnë.

Ndërkohë, delegacioni i BE-së në Shkup, deklaroi se e dënon çdo lloj bojkot të Parlamentit.

“Vendi i deputetëve është në Parlament dhe vetëm aty mundet të sigurojnë parakushtin kryesorë për euro-integrim të vendit, dhe ai është dialogu politik”, thuhet në reagimin e BE. Lidhur me rastin e Televizionit A1, nuk kanë dashur të komentojnë.

NOA-INA

KOMENTE