English

Imami: Shqipëria europiane mund të bëhet vetëm me punë

Durrës, 5 shkurt 2011, NOA- Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami ditën e sotme inspektoi punën për ndërtimin e anijeve, në Kantierin e ndërtimit të Anijeve, në bazën detare të Pasha Limanit.

Gjatë fjalës së tij ai vlerësoi këtë arritje jo vetëm për Flotën detare, por për gjithë vendin.

Ai e cilësoi këtë kantier, si një nga më të rëndësishmit në vendin tonë, nga pikëpamja e kapaciteteve teknologjike.

“Në bashkëpunim me kompanine hollandeze “Damen”, po prodhohen dy anije të ngjashme me “Ilirian”, që në kemi tashmë për Rojen bregdetare. Sigurisht, ajo që ndodhi pak ditë më parë është një gjë që ne duhet ta harrojmë, ta kapërcejmë dhe të vazhdojmë ta bëjmë këtë vend një vend ku punohet, zhvillohet, ku ndërtohet, ku zhvillohen zgjedhje të lira, ku ka turizëm, ku ka prosperitet”, shpreh ministri gjatë fjalës së tij.

Më tej ai shtoi se vetëm me punë, dhe me seriozitet, mund të bëjmë një Shqipëri europiane.

Sipas tij, Shqipëria europiane me fjalë nuk mund të bëhet, por ajo mund të bëhet europiane, vetëm atëherë kur ky vend do të ketë standarde europiane.

I pytetur në lidhje vënien në shfrytëzim të mëtejshëm të Gadishullit të Karaburunit, Ministri i Mbrojtjes Imami ka sqaruar si gadishulli është një Park Kombëtar dhe nuk ka asnjë varësi nga MM apo Forcat e Armatosura.

“Baza e Pasha Limanit është një bazë strategjike, me rëndësi shumë të lartë kombëtare dhe sigurisht që askush nuk mendon që ta zhvendosë. Gadishulli i Karaburunit i ka të gjitha mundësitë të shfrytëzohet për aspekte shumë të rëndësishme ekonomike.”, ka pohuar ministri Imami.

a.y/NOA

KOMENTE