English

Opozita maqedonase kushtëzon rikthimin në Parlament

Shkup, 5 shkurt 2011, NOA- LSDM sot nëpërmjet një komunikate kërkoi që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme dhe të sigurohet funksionimi normal i të gjitha mediave.

“Gruevski menjëherë të sigurojë funksionimin e rregullt të të gjitha mediave në vend, sidomos A1, A2, Vreme, Shpic etj, dhe të shkohet në zgjedhje të parakohshme. Këto janë dy kërkesat dhe pa plotësimin e tyre, LSDM nuk është e gatshme të marrë pjesë në dialogun politik midis të gjitha forcave relevante”, thuhet në komunikatën e socialdemokratëve maqedonas.

Kjo parti ka bërë me dije plotësimin edhe të disa kushteve të tjera për tu rikthyer deputetët e saj në Parlament, duke përfshirë ndryshimet e Kodit zgjedhor, pastrimin e listave zgjedhore, shqyrtimin e financimit të fushatave të partive etj.

Nga ana tjetër, kryeministri Nikolla Gruevski deklaroi se vendimet e Branko Cervenkovskit dhe LSDM-së janë të gabuara dhe të dëmshme për interesat e Maqedonisë dhe se ai kërkoi shqyrtimin e bojkotit të Parlamentit.

Sipas tij, Cervenkovski në takimin e fundit të liderëve nuk shprehur asnjë shqetësim lidhur me funksionimin e legjislativit.

“Atë që ata po e bëjnë është një shkelje e rëndë e proceseve demokratike dhe pa asnjë arsye serioze kanë braktisur Parlamentin. Ndërsa arsyeja e bojkotit ishte bllokimi i xhirollogarisë bankare të një medie, nga ana e gjykatës, me ç`rast do të ishte jolegjitime që Qeveria të kërkojë të ndryshojë vendimin e gjykatës”, theksoi Gruevski, duke shtuar se VMRO-DPMNE nga viti 2005 ka fituar të gjitha zgjedhjet në Maqedoni.

(INA)/NOA

KOMENTE