English

Kosovë, arrestohet një femër, trafikonte e mashtronte emigrantë

Podujevë, 7 shkurt 2011, NOA – Me akuzat për trafikimin e klandestinëve dhe mashtrim, hetuesit e krimit të organizuar në Stacionin Policor të Podujevës, kanë vënë në pranga një femër të dyshuar, për mashtrimin e disa personave me premtimin për vizë duke përfituar rreth 15.500.00 – 15.700.00 Euro. Sipas policisë së Kosovës për hetimin e çështjes në fjalë u hartua operacioni i koduar “Visas”, që finalizoi kështu arrestimin e një femre nga Prishtina e cila dyshohet se ishte organizatore kryesore, ndërkohë që policia ka arritur të identifikojë edhe një person, i cili është shpallur në kërkim.

Policia e Podujevës bën të ditur se gjatë kontrollit në banesën e të dyshuarës zyrtarët policorë kanë konfiskuar një telefon celular, i cili dyshohet se është përdorur gjatë organizimit të trafikimit dhe mashtrimit, si dhe janë konfiskuar pasaportat e njërës familje, që ishin viktima të rastit në fjalë.

Femra e arrestuar është Vjosa M. me vendbanim në rajonin e Prishtinës.

Tashmë e arrestuara në fjalë është marrë në pyetje nga hetuesit, ndërkohë që i është caktuar masa e sigurisë paraprake me paraburgim për një muaj.

Policia e Podujevës po vazhdon punën për kapjen e personit që dyshohet se ka bashkëpunuar me të arrestuarën në realizimin e veprës penale të trafikimit të klandestinëve dhe mashtrimin e tyre.

mit/NOA

KOMENTE