Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
“Lajthitja” e konsullit grek Ikonomus
English

“Lajthitja” e konsullit grek Ikonomus

“Qytetarët e krishterë në Korçë nuk kanë nevojë të shohin varret e etërve të tyre në çfarë gjuhe janë shkruar për të përcaktuar kombësinë e tyre, pasi qenien e tyre nuk e kanë vënë asnjëherë në dyshim. Sa për praninë e shkronjave greke në rrasat e varreve, ajo dihet, pasi kisha ortodokse bizantine gjuhën zyrtare kishte greqishten dhe vetëm mendja ataviste e një konsulli, që çuditërisht nuk ndryshon fare nga ajo e një konsulli grek i vitit 1900, mund të njësojë fenë me kombësinë”.

Nga Roland Beqiraj

Konsulli grek në Korçë Teodoros Ikonomus provokon sërish shqiptarët. Këtë radhë i shoqëruar edhe nga dy deputetë të parlamentit grek,ka bërë thirrje të hapura antishqiptare duke tejkaluar çdo cak, pasi nuk kërkon asgjë më shumë veçse Vorio Epirin. Këto 20 vitet e fundit, deklarata të këtij lloji ishim mësuar ti dëgjonim duke dalë nga goja e ultra nacionalistëve grekë, por kurrë se si nga goja e një diplomati , aq më tepër nga goja e një Konsulli. Gjithmonë e kemi ngushëlluar veten duke thënë se “ nacionalizmi ekstrem grek nuk gjendet në politikën zyrtare të shtetit fqinj, por vetëm në disa organizata jo qeveritare ultra nacionaliste”. Por ja që qenkëshim gabuar; mjaftoi vetëm një “festë” si 20 vjetori i krijimit të shoqatës politike OMONIA, që synimet e tyre të dilnin haptazi, ndërsa objektivat e tyre të qarta dhe pa dorashka.

Deklarimet e konsullit grek të Korçës

Korça është pjesë e Vorio Epirit! Vllahët janë grekë! Të krishterët të shohin mbishkrimet e varreve të etërve të tyre për të parë origjinën! Nuk duhet të keni frikë për të deklaruar origjinën. Regjistrimi është vetëm fillimi i një beteje. Protokolli i Korfuzit i vitit 1914 nuk është anolluar.

Këto kanë qenë disa nga deklarimet që Konsulli grek në Korçë ka deklaruar përpara një grupi aktivistësh të shoqatës Omonia në Korçë . Isos së tij iu bashkuan edhe dy zëra të parlamentit grek; dy deputetët ishin përfaqësues njëri i partisë PASOK , ndërsa tjetri i partisë Demokracia e Re . deputetët i kërkuan komunitetit “ grek” të Korçës se “dita e tyre erdhi dhe ata duhet të bashkohen, pasi vetëm të bashkuar grekërit bëjnë gjëra të mëdha”.

Kjo është hera e dytë që Konsulli grek Ikonomus hedh provokime të tilla në ambientin korçar. Të njëjtat deklarata ai bëri edhe gjatë një feste greke disa muaj më parë, deklarata të cilat përkuan me zbulimin e varreve në fshatin Boboshticë nga disa aktivistë të shoqatës OMONIA, vetëm për të ndërtuar në palë shkallë që të çonin tek piedestali i varrit të një ushtari grek, vrarë në malin e Gramozit gjatë viteve të luftës italo – greke. Dhe në të dyja rastet Ikonomus garanton se “ të drejtat e mohuara “ do të plotësohen deri në vitin 2013, kur Greqia do të marrë kryesimin e BE-së, e cila do ti vendosë kushte Shqipërisë që do ta përkrahë anëtarësimin e saj vetëm nëse plotëson të gjitha të drejtat e “grekëve të Vorio Epirit”.

Dhe për këto të drejta, Ikonomus i referohet një protokolli të nënshkruar në qytetin grek të Korfuzit në vitin 1914. Ikonomus pretendon se i ashtuquajturi “protokoll i Korfuzit “ është ende në fuqi, pasi asnjëherë nuk është aborguar.

Ky pretendim i një mendjeje të sëmurë , është absurd, pasi mbas Luftës së Dytë Botërore, nuk njihet asnjë traktat i nënshkruar nga fuqitë e mëdha, pasi kufijtë janë përcaktuar dhe nuk ka ndryshim të tyre. Ndërkohë tingëllon tipike “ greke” pretendimet e kësaj pale, pasi të dyja vendet nga njëra anë kanë nënshkruar traktatin e miqësisë , ndërsa nga ana tjetër Greqia me gjithfarë mënyrash ende pretendon territore shqiptare brenda vijës imagjinare të Vorio Epirit.

Korça grekeeeeeeeeee ... ?!

Familjet greke, apo ato me origjinë të përzierë shqiptaro-greke apo vllaho- greke, duke iu referuar statistikave të kohës, para vitit 1945, numëroheshin me gishtat e njërës dorë. Pas vitit 1945 dhe gjatë periudhës së diktaturës, në qytetin e Korçës dhe në rrethinat e tij janë vendosur disa minoritarë nga zona e Dropullit. Ata kryesisht kanë qenë specialistë të emëruar nga regjimi i kohës në punë të ndryshme, por minoritarët u martuan dhe hynë “dhëndër brenda”. Deri në vitin 1990 ky ka qenë komuniteti grek në Korçë. Por po të shtosh edhe dy apo tre familje të filo greke, të cilat tregoheshin me gisht nga qytetarët, atëherë numri mund të shkojë deri tek gishtat e të dyja duarve. Dhe zoti Konsull këtë gjë e di mirë, prandaj ai manipulon duke cilësuar si grek komunitetin vllah të zonës së Korçës.

Komuniteti vllah, që në këtë zonë njihen ndryshe si “ çobanë”, për shkak të profesionit të tyre si blegtorë, ka identitetin e vet , duke pasur gjuhën dhe kulturën e tyre që nuk është aspak greke. Vllahët si një etnitet me origjinë latine e ka ruajtur identitetin e tij pavarësisht se jeton në Shqipëri, Greqi, Maqedoni apo Serbi.

Ky komunitet pasi braktisi jetën nomade dhe u vendos në Korçë është bërë një me banorët e Korçës duke e ndjerë veten po aq korçar sa edhe banori më i vjetër i këtij qyteti. Vlen të përmendet fakti se drejtuesit shpirtërorë të këtij komuniteti nuk e kanë pranuar kishën greke dhe për këtë shkak , prifti grek i Korçës Foti i ka mallkuar duke mos i lejuar edhe të varrosen me të krishterët e tjerë. Po kështu ky komunitet ka pasur edhe kishën e tyre, ashtu si dhe sot, e cila ka tipare të përbashkëta me kishën rumune dhe aspak me atë greke.

Duke përfituar nga lidhjet familjare një pjesë e këtij komuniteti, pas viteve ’90 u pajis me dokumenta greke, madje disa prej tyre bënë edhe bashkime familjare dhe morën pasaportë greke. Pasaporta të tilla kanë marrë edhe shumë shtetas shqiptarë të cilët jetojnë në vende të ndryshme perëndimore, por pavarësisht kësaj, kombësia e tyre mbetet ajo e paraardhësve. Por të jetë kaq naiv konsulli grek sa të mos ndajë nënshtetësinë me kombësinë?! Nuk mund të besohet se ky veprim burokratik, si dhe feja e krishterë ta ketë ngatërruar aq keq Konsullin Ikonomus sa të pretendojë se Korça, qyteti i shkollës së parë shqipe, të jetë grek.

Qytetarët e krishterë në Korçë nuk kanë nevojë të shohin varret e etërve të tyre në çfarë gjuhe janë shkruar për të përcaktuar kombësinë e tyre, pasi qenien e tyre nuk e kanë vënë asnjëherë në dyshim. Sa për praninë e shkronjave greke në rrasat e varreve, ajo dihet, pasi kisha ortodokse bizantine gjuhën zyrtare kishte greqishten dhe vetëm mendja ataviste e një konsulli, që çuditërisht nuk ndryshon fare nga ajo e një konsulli grek i vitit 1900, mund të njësojë fenë me kombësinë.

Deklaratat – përsëri asnjë reagim zyrtar shtetëror

Megjithëse deklaratat e konsullit grek të Korçës janë të përsëritura, pra jo aksidentale dhe jo me nënkuptime, përsëri asnjë deklarim zyrtar për tu dënuar këto deklarata që në radhë të parë cenojnë unitetin midis vetë qytetarëve shqiptarë. Më shumë se çdo kujt tjetër i takon Ministrisë së Jashtme që minimalisht të informojë qeverinë greke, të cilës pse jo edhe ti kërkojë largimin e këtij zyrtari nga shërbimi diplomatik në vendin tonë. Por jashtë kësaj nuk mund të qëndrojnë edhe organet e tjera të shtetit shqiptar, pasi nuk bëhet fjalë vetëm për deklarata që kanë lidhje me të drejtat e minoriteteve , por me territorin e Republikës. Është fyese për nënshtetasit që vetëm dëgjojnë deklarata të tilla të dala nga diplomatë, Mitropolitë dhe shteti i tyre, ndaj të cilit zbatojnë të gjitha detyrimet, duke dhënë votën dhe duke paguar taksa, por që shpërblehen me heshtjen e shtetit të tyre.

NOA

KOMENTE