English

Berisha-Battiselli: Patentat, me rëndësi për pronësinë industriale dhe intelektuale

Tiranë, 9 shkurt, NOA – Kryeministri Berisha priti sot në takim një delegacion nga Zyra Europiane e Patentave, të kryesuar nga presidenti i saj Benoit Battistelli.

Battistelli, i shprehu Berishës në emër të zyrës që ai kryeson, kënaqësinë për bashkëpunimin me Shqipërinë, si anëtarja më e re e këtij organizmi shumë të rëndësishëm të Bashkimit Europian.

“Numri i vendeve është 38, - tha Battistelli, - por numri i anëtarëve si individë është me miliona. Është hera e parë, u shpreh më tej ai, që vizitoj Shqipërinë dhe u impresionova me atë çka pashë”.

Ai e konsideroi të rëndësishme hyrjen e Shqipërisë në këtë organizëm, duke shprehur besimin se duke punuar së bashku do të prezantojmë standardet europiane të pronësisë industriale dhe intelektuale edhe në Shqipëri.

Battistelli tha se më tej se Shqipëria si anëtarja më e re e këtij organizmi do të ketë rolin e saj në strukturat e Zyrës Europiane të Patentave.

Nga ana e tij, kryeministri Berisha e falënderoi Battistellin për këtë vizitë dhe e siguroi se për qeverinë shqiptare problemi i pronësisë industriale dhe intelektuale është shumë i rëndësishëm.

Në këtë drejtim, prezantimi i standardeve europiane dhe forcimi i kapaciteteve të Zyrës shqiptare përbën një aspekt të rëndësishëm të zhvillimit.

n.e/NOA

KOMENTE