English

Posedonte arsenal luftarak, pranga 40-vjeçarit

Gjirokastër, 11 shkurt, NOA – Një person është arrestuar në flagrancë për armëmbajtje pa leje, ndërsa i është sekuestruar 1 armë zjarri, municione luftarake si dhe 2 armë gjahu të cilat i mbante pa leje.

Ngjarja konfirmohet nga burime të policisë së Gjirokastrës për agjencinë e Lajmeve NOA, duke saktësuar se i ndaluari është Shpëtim Beqo, 50-vjeç, lindur dhe banues në Libohovë të Gjirokastrës.

Nga kontrolli në banesën e këtij personi, u gjetën dhe u sekustruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri e kalibrit 7.62 si dhe municione luftarake.

Gjithashtu po nga kontrolli i mëtejshëm i zhvilluar në këtë banesë u gjetën dhe u sekuestruan edhe 2 armë gjahu të cilat i mbante pa leje si dhe një sasi fishekë çifteje .

Nga ana e forcave të policisë u sekuestruan në cilësinë e provës materiale arma e zjarrit, municionet luftarake si dhe 2 armët e gjahut së bashku me fishekët.

Thuhet se 5 ditë më parë, ai ka kanosur me armë gjahu për motive pronësie komshien e vet e cila ka bërë kallëzim në Komisariatin e Policisë Gjirokastër.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprime të mëtejshme për veprën penale “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”, si dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve të gjahut dhe ato sportive”, vepra këto të parashikuara nga nenet 278 e 280 të Kodit Penal.

n.e/NOA

KOMENTE