English

Arvizu: Ata që organizuan dhe morën pjesë në aktet e dhunshme të përballen me drejtësinë

Tiranë, 14 Shkurt 2011 NOA/ Ervin Tirana / Përmbledhje – Policia e Shtetit gjatë demonstratës ishte në pjesën më të madhe e pambrojtur dhe disiplina dhe kurajoja që demonstroi duhet lëvduar. Kurse ata që organizuan dhe morën pjesë në aktet e dhunshme duhet të ballafaqohen me drejtësinë.

Këto mesazhe të forta lëshoi sot Ambasadori Amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu. Ai u prit nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj në një takim ku qëllimi kryesor ishte dorëzimi i raportit të Ambasadës amerikane, ku shqyrtoheshin rrethanat e demonstratës së 21 janarit.

Gjatë fjalës së tij në këtë takim, z. Alexander Arvizu, ndër të tjera theksoi se: “gjatë shqyrtimit të këtij raporti, për mua është e qartë që Policia e Shtetit pati një plan operacional të mirëzhvilluar për t’u ballafaquar me një demonstratë që do organizohej, si dhe ata ekzekutuan planin operacional në mënyrë mëse të mirë”.

Arvizu për më tepër tha: “Gjatë dhunës ekstreme të 21 janarit, Drejtori i Përgjithshëm, Burgaj, inicioi masa dhe procedura të jashtëzakonshme në mënyrë që t’i mundësohej Policisë që të mbante nën kontroll dhe të menaxhonte situatën sa më shumë që të ishte e mundur, duke pasur parasysh burimet e tyre shumë të kufizuara”.

Ambasadori kishte konstatuar edhe se “punonjësit e Policisë gjatë demonstratës ishin në pjesën më të madhe të pambrojtur dhe disiplina dhe kurajoja që ata demonstruan duhet lëvduar”.

Kurse u tregua dhe më i qartë në konstatime: “Ata qëndruan të palëvizur gjatë goditjes me objekte të forta, duke përfshirë gurë, shkopinj si dhe bombat molotov. Ata qëndruan përballë këtyre sulmeve duke iu bindur urdhrave, nuk i thyen radhët e tyre dhe as nuk u hakmorën kur u provokuan fizikisht”.

Në këtë pikë z. Arvizu vlerësoi se “Policia e Shtetit vazhdon të mësojë dhe të zhvillojë plane operacionale për të menaxhuar sa më mirë që të jetë e mundur demonstrata, të cilat që kur organizohen nuk janë paqësore, në mënyrë që të ruhet rendi dhe të respektohen të drejtat e njeriut”.

Dhe menjëherë më pas, lëshoi mesazhin tjetër të fortë: “Protestuesit kanë detyrimin që të veprojnë në mënyrë të përgjegjshme dhe paqësore. Ata që organizuan dhe morën pjesë në aktet e dhunshme duhet të ballafaqohen me drejtësinë”.

Më poshtë gjeni fjalën e plotë të Ambasadorit Amerikan:

Zoti Drejtor i Përgjithshëm, Burgaj, ju falënderoj që i prekët të gjitha këto fusha bashkëpunimi që keni patur me ne gjatë viteve të kaluara, dhe ju falënderoj dhe që më pritët sot.

Doja t’ju shpjegoja se një nga qëllimet kryesore të vizitës sime sot në Drejtorinë e Përgjithshme është që t’i dorëzoja zotit Burgaj një raport të përpiluar nga ekspertët që janë këshilltarët e ICITAP-it.

Është një raport që shqyrton rrethanat e demonstratës së 21 janarit. Ky raport merret në mënyrë specifike me përgatitjet e kryera nga policia e Shtetit për demonstratat si dhe me qëndrimin e Policisë së Shtetit gjatë zhvillimit të demonstratës.

Gjatë shqyrtimit të këtij raporti, për mua është e qartë që Policia e Shtetit pati një plan operacional të mirëzhvilluar për t’u ballafaquar me një demonstratë që do organizohej, si dhe ata ekzekutuan planin operacional në mënyrë mëse të mirë.

Gjatë dhunës ekstreme të 21 janarit, Drejtori i Përgjithshëm, Burgaj, inicioi masa dhe procedura të jashtëzakonshme në mënyrë që t’i mundësohej Policisë që të mbante nën kontroll dhe të menaxhonte situatën sa më shumë që të ishte e mundur, duke pasur parasysh burimet e tyre shumë të kufizuara.

Punonjësit e Policisë gjatë demonstratës ishin në pjesën më të madhe të pambrojtur dhe disiplina dhe kurajoja që ata demonstruan duhet lëvduar.

Ata qëndruan të palëvizur gjatë goditjes me objekte të forta, duke përfshirë gurë, shkopinj si dhe bombat molotov. Ata qëndruan përballë këtyre sulmeve duke iu bindur urdhrave, nuk i thyen radhët e tyre dhe as nuk u hakmorën kur u provokuan fizikisht.

Policia e Shtetit vazhdon të mësojë dhe të zhvillojë plane operacionale për të menaxhuar sa më mirë që të jetë e mundur demonstrata, të cilat që kur organizohen nuk janë paqësore, në mënyrë që të ruhet rendi dhe të respektohen të drejtat e njeriut. Duhet të jetë e garantuar e drejta për t’u mbledhur për të gjithë. Por nga ana tjetër edhe protestuesit kanë detyrimin që të veprojnë në mënyrë të përgjegjshme dhe paqësore.

Ata që organizuan dhe morën pjesë në aktet e dhunshme duhet të ballafaqohen me drejtësinë.

Do doja të përmend hetimin që është duke u kryer nga Prokuroria e Përgjithshme. Shumë herë e kemi theksuar se hetimi duhet të jetë i plotë, i gjithanshëm dhe i besueshëm. Hetimi duhet t’i përfshijë të gjitha fazat e ngjarjeve të 21 janarit, duke filluar që nga organizatorët, protestuesit, si dhe ata të cilët janë përgjegjës për faktin që u qëllua, gjë e cila rezultoi me një ditë tragjike dhe me vdekjen e katër shtetasve shqiptarë dhe plagosjen e shumë demonstruesve te tjerë, sikurse dhe plagët e shumta që morën forcat e policisë. Është shumë e rëndësishme që ky hetim të vazhdojë të çohet përpara pa ndërhyrje të jashtme në mënyrë që t’u jepet përgjigje pyetjeve që shumë shqiptarë kanë për ngjarjet e 21 janarit dhe që të evitohet përsëritja e ngjarjeve të tilla në të ardhmen.

Edhe njëherë z. Burgaj, ju falënderoj që më pritët dhe që më dhatë mundësinë t’jua dorëzoj këtë raport dhe shpresoj qe të bashkëpunojmë edhe në të ardhmen”.

e.t/NOA

KOMENTE