English

Flasin artistët: Shën Valentini, kjo ditë hyjnore e dashurisë ...

Tiranë, 14 shkurt, NOA/ Nga Albert Zholi - Flasin për Shën Valentinin, Margarita Xhepa, Luftar Paja, Lazër Filipi, Skënder Sallaku, Mevlan Shanaj, Limoz Dizdari, Alida Hisku, Kiço Mustaqi ...

Shën Valentini njihet në të gjithë botën si "Padroni i të dashuruarve". Ky përcaktim lindi nga një sërë legjendash, të cilat janë shtuar me kalimin e kohës. Trëndafili i bashkimit, fëmijët, pëllumbat, dashuria sublime, të gjitha gjërat që e kanë bërë atë një festë model për të dashurit. Që të dashuruarit të duhen për të gjithë jetën, dhe më shumë në këtë ditë, nuk mjafton vetëm dita e "Shën Valentinit". Janë disa elementë, që na vijnë nga shekujt e kaluar dhe janë shtuar në kohë, që e bëjnë këtë feste kaq të madhe dhe kaq popullore në të gjithë botën. Trëndafili i bashkimit Shën-Valentini ishte duke dëgjuar një ditë, teksa ziheshin dy të rinj të fejuar, të cilët po kalonin përtej kopshtit të tij. Valentini iu doli përpara sakaq, me një trëndafil të bukur në dorë. Me një fytyrë të qetë, e të shndritshme që rrezatonte, plaku i mirë trëndafilin e mbajtur lart e dhuroi për çiftin. Ky veprim pati fuqinë magjike që të bënte paqe mes dy të rinjve të dashuruar. Kur ai u dhuroi të dyve lulen e purpurt, iu kërkoi të dyve të shtrëngonin bishtin e lules me kujdes për të mos u shpuar dhe shpjegoi lidhjen e dy personave të martuar. Pas kësaj, dashuria e tyre ishte kthyer si më parë. Të dy të rinjtë u kthyen menjëherë tek ai. Me dëshirën e tij dhe vullnetin e të rinjve, ishte pikërisht Shën Valentini, i cili bekoi martesën e tyre të lumtur. Me t’u bërë e njohur kjo gjë, u bë një proces ndaj Valentinos. Emri i Shenjtit përmendet për herë të parë në një dokument zyrtar të Kishës së shekujve V-VI; në një dokument tjetër të shekullit VIII, shënohet data e vdekjes së Shenjtit, përshkruhen torturat që pësoi, prerja e kokës në orët e vona të natës dhe varrosja.

Margarita Xhepa

Në sistemin monist ne nuk e kemi ditur ç’është Shën Valentini dhe nuk e kemi festuar. Ishte tabu një festë e tillë. Bashkë me demokracinë u bë e njohur dhe festa më popullore, më e bukura në botë, më e komentuara Shën Valentini. Një ditë plot gaz, hare, plot mirësi, dashuri, harmoni. Një ditë që ofron shumë buzëqeshje, gëzim lule dhurata. Për mua mbetet një festë pa ligje por e ligjëruar. Një festë shumë e veçantë. Një festë që për mua s’duhet të kufizohet vetëm tek të rinjtë. Në këtë ditë të gjithë duhet të durojmë dhe të marrim urime për dashurinë njerëzore. Çudi se dhe mimozat çelin enkas në këtë ditë të bukur. Dhe mimozat janë simboli më i mirë i dashurisë. Kjo ditë na afron më shumë me njerëzit me të afërmit. Ndihem mirë në këtë ditë sepse kam recituar shumë vargje të poetëve të shquar të të gjithë botës. Kam përcjell vargje poetësh që të mbërthejnë dhe të çojnë në magjinë e bukur të dashurisë së sinqertë. Poetët i këndojnë më bukur dashurisë dhe unë kur recitoj të tilla vargje më duket sikur u jap njerëzve më shumë atmosferë dashurie të pastër. Do doja që ditë të tilla të kishim sa më shumë. Janë ditë të pastra qiellore që të mrekullojnë.

Mevlan Shanaj

Kujtdo kjo ditë zgjon kujtime, zgjon mendime, ëndrra. Në këto vite kjo është bërë festa më e spikatur, më sinjifikative, më e përbotshmja sidomos tek ne që deri dje nuk mundnin ta festonim. Por një ditë për dashurinë s’është asgjë përpara dashurive të mëdha jetësore mbarënjerëzore. Dashuria është e përjetshme dhe duhet të jetë e përditshme. Por dhe një ditë e përcaktuar është një emër i veçantë një emër që s’mund të tjetërsohet apo zëvendësohet. Kjo ditë është monumenti i Dashurisë. Kjo ditë është 14 shkurti. Gëzojeni me gjithë fuqinë e shpirtit.

Limos Dizdari

Ah…Jam në Ksamil. Këtu ku valët të çojnë në magjinë e ëndërrimit. Jam këtu ku deti magjepsës i cili të dashuruarve u jep më shumë frymëzim. Jam tek vendi ideal për të dashuruar me gjithë fuqinë e shpirtit. Këtu romantizmi të vjen vetiu dhe të ngulet në zemër. Deti të entuziazmon me madhështinë, sekretet, mistikën e tij. Tani që po flasim po luaj Shopenin duke kujtuar dhe Zhorzh Sand. Me ata në pentagram duket sikur fluturoj gëzimeve të tyre me dëshirën për Majorka. Ndihemi sikur jemi bashkë me rininë në këtë ditë feste sipas mënyrës së gjithsecilit. Unë me bashkëshorten me tingujt e miteve të muzikës përjetojmë momente feste në këtë vend magjik ku deti duket sikur orkestron dhe thotë; Dashurohuni sa më shumë. Dashuria të zbukuron të fisnikëron.

Luftar Paja

Eshtë një ditë e bukur. Duket se sjell pranverën një muaj më shpejt....Duket sikur zgjon ndjenja të fuqishme dashurore njerëzore për të qenë më të butë, të paqmë, të sinqertë...Në këtë ditë kaq të bukur, disa janë çmendurisht të dashuruar, të tjerëve u pëlqen ideja e dhuratave, disa të tjerë duan të festojnë për inerci. Baza mbetet e njëjtë për çdo Shën Valentin: Ai nuk kuptohet pa dhurata. Një festë e të dashuruarve, e cila ka qëllim të na përkujtojë triumfin e dashurisë. Por ndryshe nga festat e tjera siç janë Krishtlindjet apo Viti i Ri, njerëzit për Shën Valentin kanë tendencën të presin deri në momentin e fundit për të blerë dhuratën për partneren për të qenë të gëzuar shpirtërisht. Në këtë ditë gjenden fjalët e duhura, lulet, ëmbëlsirat dhe çdo gjë që duhet të mbështjellë me letër të kuqe apo rozë, për ta përecjellë sa më bukur respektin për dashurinë. Dhuratat në këtë ditë janë gjëra që njerëzit i vlerësojnë, por që nuk do t’i blinin asnjëherë për vete në ditë të zakonshme. Sa e bukur kjo ditë që na afron dhe na zbukuron ditën. Gëzojeni!

Alida Hisku

Një ditë që dua të dhuroj sa më shumë lule, lule, buzëqeshje. Se gëzuam në rininë tonë. Le ta gëzojnë fëmijët tanë. Eshtë një ditë hyjnore. Unë shumë shkurt do ta përkufizoja dashurinë si dhe të dashuruarit : Të duash dike s'mjafton 14-15 shkurti ! Një vit ka 365 dit/net s'do bëja dallim kur është puna t'i japësh dashuri dikujt që e don më shumë se veten.

Lazër Filipi

Shën Valentini është dita më romantike e vitit, ku shumë të rinj e dërgojnë kartolinën e të dashuruarve me anë të zemrës. Paqe,dashuri,mirëkuptim,lumturi,gjatë kësaj feste. Në shekullin e 17-të, Puritenët amerikanë, që ishin një shoqëri e krishterë, me arsyetimin (se është dita e të dashuruarve) se është një besim i kotë, u munduan ta ndalonin. Edhe këtë herë dashuria triumfoi, dhe ata nuk ia dolën ta ndalojnë këtë festë. Sa na duhen fesat të tilla. Ato janë qetësia shpirtërore në ëndrrat e rinisë pse jo dhe të çdo moshe.

Skënder Sallaku

Gëzohem shumë në këtë ditë. Lumturohem. Më duket çdo gjë si një magji. Le të gëzojnë njerëzia aq më shumë rinia. Të duhen. Eh, ne dje s’na e lanë ta gëzonim, dhe pse ka një histori shumë të bukur. Kam lexuar shumë për këtë ditë. Sidomos kur vjen kureshtja më shtunë të lexoj dhe më shumë. Në shekullin e 18-të, shfaqen kartolinat e para për ditën e dashurisë. Ishte zakon që ato kartolina të punoheshin vet nga personi që do i dërgonte. Kartolinat zbukuroheshin me gërma të florinjta dhe dantella. Në to shkruhej poezi dashurie, dhe më pastaj dërgoheshin. Ndërsa disa kartolina zbukuroheshin me zemra dhe brenda i futej qeskë parfumi. Këto kartolina sot ruhen si antikitete të vlefshme nëpër muze. Muzeu më i bukur sot është përqafimi, ndjenja e sinqertë dhe pse dhurata mbetet dhuratë. Shën Valentini mbetet shenjtëria e dashurisë njerëzore.

Kiço Mustaqi

Në sistemin komunist as njihej, as festohej, as se kishim idenë e kësaj dite. Por të jem i sinqertë më pëlqen kjo ditë. Shoh që është dita më më e bukur e rinisë por dhe e gjithë shoqërisë. Shoh të qeshura, lule dhurata, gëzime. Një ditë e mbushur me atmosferë. Shumë keq që se kemi festuar dhe atëherë. U uroj këtë festë madhështore të gjithë çifteve të dashuruar, të fejuar, të martuarve dhe atyre që akoma janë në kërkim të fatit me shpresë se mos vallë kjo ditë mos po ndikon për ndonjë simpati ndaj ndonjë partneri...Mos i harroni dhuratat, të çfarëdo natyre qofshin. Gëzoni partneret tuaja në këtë ditë....nëse nuk mundeni apo nuk keni dhurata, falni me gjithë zemër një "buzëqeshje" sepse edhe buzëqeshja është një dhuratë zemre ndoshta më e ngrohta...

NOA

KOMENTE