English

Nis procesi gjyqësor për shqiptarin, akuzohet se përdhunoi 15 gra

Hania, Kretë, 14 Shkurt 2011 NOA – Një 40 vjeçar nga Shqipëria i cili prej vitesh jeton në ishullin grek të Kretës, përballet me një proces gjyqësor që nisi ndaj tij për akuzën e përdhunimit në seri të të paktën 15 grave.

Bashkëpunëtorja e NOA në Kretë informon se ka nisur procesi gjyqësor për shtetasin shqiptar 40 vjeçar, nga Gjykata e Haniasë.

40 vjeçari akuzohet se në kohë të ndryshme nga viti 2006, ka përdhunuar plot 15 gra, kryesisht emigrante, të cilat në asnjë rast nuk e njihnin njëra-tjetrën.

Të gjitha gratë e përdhunuara kanë kryer denoncim pranë policisë së Haniasë.

Por policia është e shqetësuar edhe për një grua e cila dyshohet të jetë vrarë, pasi, pas denoncimit që bëri në rajon se ishte përdhunuar, nuk u gjet më, kur u kërkua për të vijuar marrjen e dëshmisë së saj.

Në lidhje me këto përdhunime në seri dhe nisjen e procesit gjyqësor, ka nisur edhe organizimi i shoqatave joqeveritare në ndihmë të grave të dhunuara seksualisht.

Përmes komunikatave për media, ato bëjnë thirrje që 15 gratë që do të paraqiten në shqyrtimin gjyqësor të kenë mbështetje masive nga populli i Haniasë.

Këto zhvillime vijnë pasi policia do të bazohet më së shumti në identifikimin që i është bërë 40 vjeçarit nga pjesa më e madhe e 15 grave të përdhunuara.

Por policia duket se nuk ka shumë prova të forta për të “kapitulluar” 40 vjeçarin shqiptar ndaj dhe apeli që po lëshojnë organizatat joqeveritare vjen pikërisht për të sensibilizuar viktima të tjera të mundshme të përdhunimeve që të denoncojnë rastet/

a.v/e.t/NOA

KOMENTE