English

Opozita e Bashkuar: Berisha vetëprovoi terrorin, se akuzoi opozitën

Tiranë, 14 shkurt 2011, NOA – Përfaqësuesi i Opozitës së Bashkuar dhe Kryetari i Partisë për Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela deklaroi sot se Kryeministri Berisha dhe abuzimi i tij me pushtetin shënoi aktin terrorist dhe masakrën më të madhe të historisë atë të 21 janarit ku humbën jetën katër demonstrues. Këtë deklaratë avokati Ngjela e argumentoi me faktin se menjëherë pas vrasjes së demonstruesve në 21 janar, vrasje këto të ndodhura pranë godinës së kryeministrisë, shefi i ekzekutivit pa pritur organin e akuzës akuzoi menjëherë opozitën se i kishte vrarë demonstruesit me plumba të vegjël nga brenda demonstratës.

Këtë argument Ngjela e dha gjatë një prononcimi për mediat, ku ai theksoi se “Fakti që menjëherë mbas masakrës kryeministri Sali akuzoi opozitën se i kishte vrarë nga brenda 4 viktimat e tij me plumba të vegjël dhe pasi u provua se këta plumba të vegjël ishin përdorur nga garda e tij tregon se ka pasur një përgatitje paraprake për terror. Fakti që menjëherë mbas kësaj nxori në pah mendimin e tij “profesional” se janë përdorur armë çadra dhe stilolapsa në një kohë që është krejtësisht absurde, tregon që ka qenë i përgatitur për terror. Ky ishte një akt terrorist i një qeverie që ka kaluar drejt një terrori shtetëror”, sqaroi Ngjela.

Ai foli në emër të Opozitës së Bashkuar, kur tha se “qeveria aktuale Berisha pasi manipuloi zgjedhjet e qershorit të vitit 2009, nuk i fitoi dot. Pasi bëri një aleancë korruptive me tendenca të mëdha për të abuzuar me pushtetin, pasi nuk pranoi transparencën e zgjedhjeve dhe pasi u kap në korrupsionin aleancor kaloi në terror të hapur në 21 janar, duke krijuar masakrën më të madhe të historisë së Shqipërisë”.

Sipas Ngjelës pikërisht për këtë arsye katër të rënët në këtë terror janë dëshmorë për lirinë në Shqipëri.

Në këtë kontekst duke iu referuar frymës së respektimit të dëshmorëve që tregon Partia Socialiste, 18 shkurti, nënvizoi Ngjela, është një demonstratë e madhe në përkrahje të katër dëshmorëve të lirisë, për të kërkuar dorëheqjen e kësaj qeverie. Ai theksoi gjithashtu “Manipulimi i zgjedhjeve dhe korrupsioni aleancor në qeverisje domosdoshmërisht do ta çonte në terror pushtetin”.

Ngjela pohoi se do të jetë forca e popullit ajo që do ta mposhtë qeverinë, ndërkohë që ai shprehu besimin se drejtësia do ta zbardhë përfundimisht këtë masakër të 21 janarit që mori jetë në historinë moderne të Shqipërisë.

mit/NOA

KOMENTE