English

Basha: Zero azilkërkues në zonën Shengen, ta dinë edhe shqiptarofobët

Tiranë, 15 shkurt 2011, NOA – Ministri i Brendshëm Lulzim Basha gjatë analizës së ecurisë së lëvizjes së lirë në zonën Shengen deklaroi se ky proces ka patur një ecuri normale. Gjatë kësaj analize Ministri i Brendshëm informoi se deri mesnatën e 14 shkurtit kanë lëvizur përdrejt zonës Shengen një shifër rekord për të gjithë rajonin prej 126 922 qytetarë shqiptarë, ndërkohë që janë rikthyer në territorin shqiptar deri dje në mesnatë 38 531 qytetarë shqiptarë, të cilët sikundër tha ai, rikthehen pasi e kanë përdorur këtë të drejtë për herë të parë, apo disa herë që nga data 15 dhjetor, pra që dy muaj më parë.

Duke sjellë në vëmendje statistikat sipas Bashës refuzimi për të hyrë në zonën Shengen ka mbetur nën shifrën 2%, duke bërë me dije se “kemi patur një shifër totale të refuzimit prej 1 253 qytetarësh, nga e cila duhet të zbresim një shifër prej 586 qytetarësh, të cilëve padrejtësisht në tre ditët e para iu refuzua hyrja, kryesisht nga pika e kalimit kufitar Kakavijë”.

Ministri i Brendshëm tha se domethënëse është edhe shifra e azilkërkuesve shqiptarë deri më tani në zonën Shengen, një shifër që sipas tij është shumë e rëndësishme por edhe shumë e lehtë për t’u mbajtur mend, pasi është zero.

Në këtë kontekst Ministri Basha i bëri thirrje opozitës t’i mësojë këto shifra.

“Ta shikojnë këtë dhe ta dëgjojnë jo vetëm qytetarët shqiptarë por dhe shqiptarofobët me kostume të blera në Bruksel ose jo”, nënvizoi Basha.

Sipas Bashës përdorimi i lirisë së lëvizjes ka rezultuar me një rritje të intensitetit të hyrje-daljeve me 34 %, ku hyrjet janë rritur me 20.07 % dhe daljet me 13.7%, në krahasim me janarin vitin e kaluar.

Ministri i Brendshëm lëshoi një mesazh edhe për të gjithë ata qytetarë që kanë lëvizur në datën 15 dhjetor përdrejt BE-së se duhet të respektojnë afatet e qëndrimit, që janë tre muaj.

“Afatet duhet të respektohen në mënyrë rigoroze, përndryshe as Ministri i Brendshëm, as Kryeministri dhe askush tjetër nuk do bënte derman. Në qoftë se përfundoni në listën e zezë Shengen asnjë nuk ju bën dot derman, as kryeministri britanik, as kryeministri francez, as kryeministri Italian, prandaj shmangni me çdo kusht shkeljet sepse sistemi është automatik dhe nuk lë vend për ndërhyrje njerëzore. Jeni regjistruar automatikisht duke hyrë në zonën Shengen, regjistroheni automatikisht duke dalë”, apeloi kreu i dikasterit të Brendshëm.

Gjithashtu Basha u bëri thirrje qytetarëve që të mos lëvizin pa marrë masat për koston e transportit, të ushqimit dhe të fjetjes.

“Ju lutem merrni masat për kudo që lëvizni jashtë territorit të Republikës Shqipërisë”, bëri thirrje Ministri i Brendshëm.

Duke folur pasaportat biometrike, kusht thelbësor për lëvizjen e lirë në zonën Shengen, Ministri i Brendshëm informoi se “Kemi aktualisht mbi 1.5 milion qytetarë me pasaporta biometrike, ndërkohë që së shpejti bëhen funksionale pikat e aplikimit dhe shpërndarjes së pasaportave në katër qendra konsullore që u shërbejnë më shumë shqiptarëve jashtë atdheut që janë Roma, Milano, Athina dhe Selaniku.

Në këtë kontekst Basha bëri me dije se qeveria është e gatshme të hapë pika të tjera konsullore jo vetëm në territorin e BE-së por edhe në SHBA.

mit/NOA

KOMENTE