English

Berisha-alpinistë: Potenciali i vendit në male, i jashtëzakonshëm, mbështetje punës suaj

Tiranë, 15 shkurt 2011, NOA- Kryeministri Berisha zhvilloi sot një bisedë miqësore me anëtarë të Shoqatës Dajti Alpino-Turistik, gjatë një takimi të zhvilluar në mesditë në zyrën e Kryeministrit.

Alpinistët vinin në këtë takim pas realizimit të një sërë ekspeditash të suksesshme, duke u ngjitur dhe ngritur flamurin shqiptar në Malin e Bardhë dhe Kilimanxharo.

Ata e njohën Kryeministrin me projektin e tyre të ardhshëm, ngritjen e flamurit shqiptar në majën e malit më të lartë në botë, Everest, në nderim të 100 vjetorit të shpalljes së pavarësisë.

Kryeministri Berisha ju shprehu admirimin për pasionin e tyre, alpinizmin dhe rezultatet e shkëlqyera që ata kanë arritur në aktivitetin e tyre. “E kam ndjekur me kënaqësi aktivitetin tuaj brenda dhe jashtë Shqipërisë dhe ju garantoj se do të përpiqemi t’ju mbështesim në veprimtarinë tuaj. Potenciali i vendit në male është i jashtëzakonshëm dhe është për t’u zbuluar”, u shpreh Kryeministri.

Kryeministri Berisha i falënderoi në mënyrë të veçantë për projektin e tyre për t’u ngjitur në majën më të lartë të botës, për 100 vjetorin e pavarësisë dhe shprehu mbështetjen e qeverisë për këtë projekt “Ky është një nder shumë i madh që ju i bëni vendit, kombit, flamurit dhe do të keni mbështetjen e plotë të qeverisë”, u shpreh Kryeministri.

Alpinistët falenderuan Kryeministrin për mbështetjen që u jep veprimtarisë së tyre.

Ne, u shprehën ata, shohin si një inkurajim për zhvillimin e këtij pasioni edhe lëvizjet e ndryshme që ju ka bërë kohët e fundit, duke u ngjitur në malin e Dajtit apo duke shkuar në malin e Sharrit, në Kosovë, duke dhënë në këtë drejtim, një kumt të rëndësishëm për të gjithë.

Gjatë kësaj bisede u shkëmbyen mendime mbi potencialet që ka Shqipëria për zhvillimin e turizmit malor dhe nxitjes së pasionit për sportet malore tek të rinjtë.

“Bregdeti, natyrisht, është bërë magneti për të rinjtë, - u shpreh Kryeministri - por ne do të përpiqemi të bëjmë më shumë për t’ju inkurajuar atyre dashurinë për malet, ku ne kemi potenciale të jashtëzakonshme të pashfrytëzuara. Ne do të shohim edhe format konkrete, edhe me programe në shkollë, për t’i ngjallur të rinjve këtë pasion.”

Alpinistët u shprehën se vlerësonin shumë ndërtimin e rrugës së Arbrit, e cila kalon në një zonë fantastike. Nuk duhet të harrojmë, u shprehën ata, se plazhin mund ta shfrytëzojmë 4 muaj në vit, ndërsa malet në të 12 muajt e vitit.

Në fund të takimit, grupi i alpinistëve i dhuroi Kryeministrit një album fotografik nga ekspeditat e tyre.

NOA

KOMENTE