English

Fyle: BE rol vital në Shqipëri, duhet dialog politik dhe hetim i paanshëm

E martë, 15 shkurt 2011, NOA- Në këto momente Parlamenti Europian po diskuton situatën në të cilën ndodhet Shqipëria, që pas demonstratës së 21 janarit.

Në këtë seancë pritet të diskutohet gjerësisht lidhur me daljen nga situata ku është futur shteti shqiptar.

Në fjalën e mbajtur para europarlamentarëve, Komisioneri për Zgjerimin e Bashkimit Europian, Stefan Fyle tha se, Parlamenti Europian ka një rol vital për të luajtur lidhur me këtë situatë.

Më tej ai shtoi se në Shqipëri duhet të garantohet dialogu politik në mënyrë që të sigurohet stabiliteti në vend.

Fyle deklaroi gjithashtu se pikërisht për këtë fakt ishin edhe vizitat në Shqipëri, të të dërguarit të Bashkimit Europian, Miroslav Lajçak, i cili zhvilloi takime me politikanë dhe krerë të shtetit shqiptar.

Ndër të tjera ai tha se ngjarjet e 21 janarit ishin tragjike, dhe pikërisht për këtë fakt duhet konsensus dhe dialog mes palëve.

“Duhet vullnet politik midis palëve, ndërsa ngjarjet e 21 janarit duhet të hetohen pa ndihmë nga politika dhe pa ndikim nga ana e saj”, u shpreh Fyle gjatë fjalës së tij.

Komisioneri për Zgjerimin Stefan Fyle theksoi gjithashtu se, Shqipëria duhet të përmbushë 12 pikat, për statusin e kandidatit në mënyrë që të vazhdojë rrugën për në Bashkimin Europian.

a.y/NOA

KOMENTE