Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: Connection refused in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Mitrovica urdhëron vendosjen e flamurit shtetëror për festë
English

Mitrovica urdhëron vendosjen e flamurit shtetëror për festë

Mitrovicë, 15 Shkurt 2011 NOA – Drejtoria e Inspektimit në Komunën e Mitrovicës, ka lëshuar sot një njoftim për pronarët, personat përgjegjës, personat fizik dhe juridik të subjekteve afariste, organeve, institucioneve, organizatave etj, lidhur me përdorimin e flamurit shtetëror me rastin e festave zyrtare të Republikës së Kosovës.

Ky njoftim korrespondon me shënimin e trevjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Drejtori i kësaj drejtorie, Lulzim Zeqiri, tha sot për agjencinë e lajmeve NOA se në bazë të dispozitave të ligjeve dhe rregulloreve në fuqi, të lartpërmendurit janë të obliguar që për festat zyrtare të përcaktuara me nenin 2. paragrafi 2.1 pika “B” të Ligjit nr. 03/L-064 “ Për festat zyrtare në Republikën e Kosovës” të vendosin flamurin shtetëror të Republikës së Kosovës.

“Për Ditën e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, flamuri shtetëror duhet të vendoset me datën 16 shkurt 2011, prej orës 16:00 deri më datën 18 shkurt 2011 në ora 08:00”, deklaroi drejtori Zeqiri.

Ai tha se flamuri duhet të ngjitet në shtizën e destinuar dhe të vendoset në hyrje të çdo objekti të subjektit afarist, organit, institucionit, organizatës etj.

“Për hir të Ditës së Pavarësisë, lusim që ditën dhe kohën e cekur, të vendoset flamuri shtetëror i Republikës së Kosovës, si dhe këtë ditë mos të punohet”. Mbikëqyrjen e zbatimit të dispozitave të Ligjit dhe këtij njoftimi, do t`a bëjnë inspektorët kompetent e Drejtorisë së Inspektimit në Komunën e Mitrovicës”, - konfirmoi z.Zeqiri.

***

Sakaq edhe Komuna e Prishtinës me rastin e trevjetorit të pavarësisë së Kosovës ka përgatitur një varg aktivitetesh kulturo-artistike.

Kremtimet nisin me vendosjen e luleve te varri i Presidentit Dr. Ibrahim Rugova, varrezat e dëshmorëve në lagjen “Velani” dhe tek shtatorja e “Zahir Pajaziti”. Më tej Asambleja komunale e fëmijëve shfaq komedinë “Lemza e gushtit”.

Aktivitetet artistike vijojnë me koncert festiv në sheshin “Nëna Terezë”, organizuar nga Komuna e Prishtinës në bashkëpunim me RTK-në.

Sakaq, qyteti i Prishtinës, në përvjetorin e tretë të pavarësisë së Kosovës, do të jetë i stolisur me flamuj, dhe do të mbretëroj atmosferë festive.

Më poshtë gjendet agjenda e plotë e aktiviteteve, 17 shkurt 2011:

Ora 09:00 - Vendosja e luleve te varri i Presidentit Dr. Ibrahim Rugova, varrezat e dëshmorëve në lagjen “Velani” dhe tek shtatorja e “Zahir Pajaziti”. Ora 10:00- Akademia solemne Vendi: Salla e Kuvendit (objekti i vjetër, kati përdhes) Kryetari i Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa mban një fjalë rasti. Me këtë rast do të bëhet edhe përurimi i sallës së rinovuar të Kuvendit. Ora 12:00: Program kulturor Vendi: Teatri “Dodona” Aktiviteti: Asambleja komunale e fëmijëve shfaq komedinë “Lemza e gushtit” Ora 12:00: Drejtoria për Kulture, Rini dhe Sport dhe Shoqata e Pedagogeve te Kulturës Fizike Vendi: Pallati i Rinise dhe Sporteve Aktiviteti: Zhvillohet ndeshja finale në Basketboll- ekipet finaliste të nxënësve të shkollave fillore dhe te mesme te kryeqytetit. Ora 13:30: Qendra Kulturore e Fëmijëve e Prishtinës Vendi: Bulevardi “Nëna Terezë” Aktiviteti: Koncert për fëmijë Ora 20:00 - Koncert festiv në sheshin “Nëna Terezë”, organizuar nga Komuna e Prishtinës në bashkëpunim me RTK-në. Vendi: Bulevardi “Nëna Terezë” a.b/NOA

KOMENTE