English

Siguria e fëmijëve në internet me një projekt mbrojtjeje

Tiranë, 15 Shkurt 2011 NOA - Ministri i Arsimit dhe Shkencës z. Myqerem Tafaj, mori pjesë në konferencën e organizuar nga MASH, në bashkëpunim me Kompaninë Microsoft dhe Zyrën e UNICEF në Tiranë lidhur me fushatën e sigurisë së fëmijëve në internet së bashku me forumin e mësuesve inovativë në kuadër të projektit “Siguria e Fëmijëve në Internet.”

Në përshëndetjen e tij Ministri i Arsimit dhe Shkencës, z. Myqerem Tafaj falënderoi Microsoft dhe UNICEF për gadishmërinë e treguar për zhvillimin e këtij projekti shumë të rëndësishëm për mbrotjen e fëmijëve në Internet.

Ministri Tafaj në fjalën e tij deklaroi se Shqipëria ka bërë një hop të vërtetë cilësor në zhvillimin e sektorit të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK) në të gjitha fushat në kuadër të programit të madh të Qeverisë Berisha, “Shqipëria në moshën Digitale”.

Ministri Tafaj, theksoi se në fushën e arsimit, ky zhvillim ka qenë një revolucion i vërtetë, sepse u bë motor i zhvillimit dhe modernizimit të arsimit shqiptar.

Tafaj tha se tani ne jemi në fazën e dytë të këtij programi të madh që konsiston në shtrirjen e TIK në përmbajtjen e shkollës, ç’ka do të thotë shtrirje e IT-së në programe, në kurrikula, në procesin e mësimdhënies.

Ministri Tafaj u shpreh se duke marrë në vëmendje “kërkesat gjithnjë e në rritje të tregut shqiptar për specialistë të fushës së IT-së, Ministria e Arsimit dhe Shkencës, (MASH) vetëm në vitin shkollor dhe akademik në vazhdim ka hapur degë të IT-së në 17 shkolla profesionale dhe rreth 20 programe të ciklit të parë Bachelor dhe të ciklit të dytë Master në shkollat tona publike ku janë regjistruar rreth 3 000 studentë, ndërsa në shkollat e mesme profesionale u regjistruan rreth 600 nxënës”.[media id=134 width=600 height=440]

Ministri Tafaj i cilësoi këto projekte të rëndësishme, sepse do të shërbejnë për zhvillim e burimeve njerëzore të mjaftueshme, për një zhvillim të shpejtë të IT-së në vendin tonë.

Tafaj theksoi se pranë MASH në bashkëpunim me partnerët e huaj po zhvillohen programe e projekte që i përkasin shtrirjes së mëtejshme të IT në të gjithë sistemin arsimor. Ai siguroi se po vazhdon të zhvillohet biblioteka digitale, që është truri i vërtetë i IT në përmbajtjen e shkollës. Përmes saj, u shpreh Ministri Tafaj, mësuesit do të kenë mundësi të përdorin një paketë programesh që do t’u lehtësojnë atyre procesin e mësimdhënies, por edhe nxënësve procesin e mësimnxënies në të gjitha lëndët.

Ministri Tafaj, deklaroi gjithashtu se “sot kur të gjithë fëmijët janë në një kontakt të vazhdueshëm me internetin në shkollë, në shtëpi dhe në internet kafe, del një përparësi e re, e cila ka të bëjë me mbrojtjen e fëmijëve, nxënësve në internet”.

Ministri Tafaj falënderoi, kompaninë e Microsoft-it në kuadër të marrëveshjes që ka me qeverinë shqiptare për të mundësuar përshpejtimin e gjithë aktiviteteve të përbashkëta, për të ecur sa më shpejt në zhvillimin e të gjithë programeve që janë të nevojshme për të garantuar mbrojtjen e fëmijëve në internet.

Tafaj, theksoi se ky është një proces jo i lehtë i cili ka në bazën e tij një triadë, që kërkon pra një bashkëpunim midis prindërve, nxënësve dhe mësuesve. Ministri i Arsimit dhe Shkencës Myqerem Tafaj inkurajoi të gjitha drejtoritë e shkollave dhe Drejtoritë Arsimore Rajonale të bashkëpunojnë ngushtësisht me prindërit për tua shpjeguar atyre elementët e paketës së sigurisë së fëmijëve në internet.

e.r/NOA

KOMENTE