English

Tejkalim kornizave partiake për çështjet e grave

Ministrja Edita Tahiri takoi Grupin e Grave për Avokim nga Shqipëria

Prishtinë, 15 Shkurt 2011 NOA - Në Ministrinë e Administratës Publike, ministrja Edita Tahiri takoi Grupin e Grave për Avokim nga Shqipëria, në përbërjen e të cilit ishin gra nga spektri politik, shoqëria civile dhe bota mediale atje. Në këtë takim, në mënyrë të veçantë, ministrja Edita Tahiri ka theksuar aspektin e barazisë gjinore dhe fuqizimit të gruas në vendimmarrje. Ajo ka përmendur si element të rëndësishëm të imponimit të fuqisë së gruas, tejkalimin e kornizave partiake për çështjet e grave.

Sakaq, bashkë me urimin e mirëseardhjes në Kosovë dhe në hapësirat e MAP-it, ministrja Tahiri ka njoftuar gratë e delegacionit të grave të Shqipërisë me përgjegjësitë, vizionin dhe sfidat e ministrisë që udhëheq ajo.

“MAP ka fushëveprimtari komplekse dhe adreson çështje të rëndësishme që kanë te bëjnë me ofrimin e shërbimeve publike dhe administratën publike” tha ministrja Tahiri.

Ajo shkurtimisht përmendi projektet kryesore, të cilat aktualisht MAP-i i ka si prioritete, përfshirë këtu procesin e Regjistrimit te Popullsisë, reformimin e administratës publike, qeverisjen elektronike, menaxhimin e objekteve, zbatimin e Ligjit të ri për Shërbimin Civil etj.

Tahiri ka theksuar se gratë mund të jenë një faktor i rëndësishëm i kohezionit politik duke bërë thirrje që gratë të jenë prezente aty ku vendosen politikat nacionale.

“Gratë kanë qenë në vazhdimësi pjesë e të gjitha proceseve dhe vendi i tyre në vendimmarrje është meritor” tha me këtë rast ministrja Tahiri, e cila i ka vlerësuar takimet e kësaj natyre për të zgjeruar rrjetin dhe bashkëpunimin mes grave në funksion të arritjeve të mëtutjeshme, jo vetëm gjinore por edhe kombëtare.

Edlira Çepani, falënderoi për mikpritjen në emër të Rrjetit të Grave për Barazi në Vendimmarrje të Shqipërisë.

Ajo theksoi se ky Rrjet ka për qëllim ndërgjegjësimin e njëra tjetrës dhe ndërgjegjësimin e shoqërisë për vlerën e gruas, jo vetëm në politikë, por edhe në instanca të tjera të vendimmarrjes dhe për pozicionin që ajo duhet të ketë në shoqëri.

“Jemi shumë te kënaqura që kemi rastin t’ju takojmë, si një shembull që na drejton dhe na tregon se pozicioni i grave në politikë është i mundur dhe shumë i vlefshëm” tha znj. Cepani duke ju drejtuar ministres Edita Tahiri. Takimi më tutje ka vazhduar në frymën e një bashkëbisedimi njohës në mes të të pranishmeve. Grupi i Grave për Avokim nga Shqipëria, të mbështetura nga NDI ( National Democratic Institute), ndodhen në një vizite studimore në Kosovë, nga 13 – 17 shkurt, 2011.

a.b/NOA

KOMENTE