Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Ideja risi: Ballkani të shndërrohet në Komonuelth
English

Ideja risi: Ballkani të shndërrohet në Komonuelth

Uashington, 19 Shkurt 2011 / VOA- Arben Xhixho – Ballkani duhet të shndërrohet në një komonuelth shtetesh ku secili shtet të ketë sovranitetin e tij. Ideja është hedhur për herë të parë nga ligjvënësi republikan nga Kalifornia, anëtar i Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë të Dhomës së Përfaqësuesve Dana Rohrabacher.

Dhe nëse një gjë e tillë do të realizohej, do të kishte gjasa që kjo bashkësi të përngjante me komonuelthin e krijuar nga Mbretëria e Bashkuar ku përfshihen vende si Anglia, Kanadaja, etj., aktualisht ndër vendet më të fuqishme në botë.

Duke folur për Kosovën, në një intervistë për Zërin e Amerikës, ligjvënësi republikan thotë se Serbia duhet të mësohet me realitetin se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme.

Po ashtu, ai rekomandon që të dyja këto vende të shqyrtonin mundësinë, si pjesë e një plani gjithëpërfshirës, të krijimit në Ballkan të një komonuellthi shtetesh, ku secili shtet të kishte sovranitetin e tij.

Kosova sapo festoi tre vjetorin e pavarësisë. Qeveria e re, e dalë nga zgjedhjet e parakohshme, do të ndeshet menjëherë me dy çështje, me raportin e përfaqësuesit të Këshillit të Evropës, Dick Marti dhe me bisedimet me Serbinë. Le të ndalemi fillimisht tek raporti i Dick Martit.

Nuk e kam lexuar gjithë raportin por jam në dijeni të analizave mbi të. Ideja se ka patur heqje organesh për trafikim dhe fakti që nuk ka dalë ndonjë person të dëshmojë se ka parë një gjë të tillë, të lë të kuptosh se kemi të bëjmë me akuza të pabazuara për një akt nga më të shëmtuarit që mund të mendohet. Po të kishte patur heqje organesh, vrasje njerëzish për t’u marrë organet, besoj do të kishim dëgjuar për një gjë të tillë prej kohe. Unë kam qënë i angazhuar intensivisht në këtë rajon për një dekadë dhe kurrë nuk kam dëgjuar një akuzë të tillë. As edhe kur forcat serbe masakruan kaq shumë njerëz, sidomos në Bosnje. Po të kishte ndodhur kam përshtypjen që do të kishim dëgjuar për gjëra të tilla. Një akuzë e tillë duhet parë me dozë të madhe skepticizmi.

Çështje tjetër është ajo e negociatave me Serbinë. Qeveria e re e Kosovës pritet të angazhohet në to. Serbia pritet të sjellë në tryezë çështjen e statusit. A duhet diskutuar ajo?

Mendoj se duhen bërë përpjekje nga qeveria e Kosovës dhe e Serbisë për të normalizuar marrëdhëniet mes tyre. Ato duhet të gjejnë një formulë sipas së cilës popujt e të dy vendeve të bien dakord dhe të shohin më pas drejt së ardhmes. Për momentin zhvillimi ekonomik ka ngecur.

Çfarë nënkuptoni kur thoni që të dyja palët duhet të negociojnë? Kosova është një vend i pavarur, Serbia kërkon ta rihapë përsëri çështjen e statusit.

Mendoj se ato duhet të komunikojnë pa patur nevojë të kalojnë nëpër formalitete. Gjatë diskutimeve mund të arrihet një mirëkuptim se cili do të jetë formati zyrtar i tyre. Shtetet e Bashkuara e kanë njohur Kosovën si vend të pavarur. Serbia duhet ta pranojë një gjë të tillë. Kosova nuk do të heqë dorë nga pavarësia. Shtetet e Bashkuara nuk do të tërhiqen në vendimin e tyre, ashtu siç nuk do të tërhiqen edhe vendet e tjera që e kanë njohur Kosovën. Sapo u mbush 3 vjetori i njohjes së Kosovës nga Presidenti Bush. As nuk bëhet fjalë për tërheqje të këtij vendimi. Kjo nuk ndodh. Serbia duhet ta kuptojë se ky është realiteti. Atëhere si duhet vepruar që këto dy njësi, këto dy vende, serbët dhe kosovarët, të kenë marrëdhënie më të mira, me përfitime për të dyja palët? Kjo ndoshta mund të ulë tensionet dhe Bashkimi Evropian mund të përshpejtojë procesin e integrimit të të dyja këtyre vendeve. Unë do të rekomandoja që të dyja këto vende të shqyrtonin mundësinë, si pjesë e një plani gjithpërfshirës, për idenë e krijimit në Ballkan të një komonuellthi shtetesh, ku secili shtet të kishte sovranitetin e tij. Çdo qeveri që dëshiron, mund të hyjë në të. Kosova për shembull, do të kishte parlamentin e vet, ushtrinë e vet, forcën e saj policore, sistemin e vet të arsimit, por nuk ka arsye përse të mos bashkohet në një komonuelth ekonomik me Serbinë, nga i cili të përfitonin të dy vendet. Pra ideja e një komonuellthi vendesh sovrane mund të ishte e pranueshme për Serbinë, ku të kishte marrëdhënie me popullin e Kosovës. Këto qëndrime duhen shqyrtuar, për të gjetur modalitete të reja, që do të respektonin të drejtat e të dy popujve. Dhe kjo është e mundshme.

Në Kosovë ka disa qindra ushtarë amerikanë në kuadër të KFOR-it. Ju keni kërkuar kthimin e tyre sa më shpejt që të jetë e mundur. A nuk mendoni se në kushtet aktuale atje, forca e KFOR-it, përfshirë ushtarët amerikanë, duhet të qëndrojë për të ardhmen e afërt si garantuese e sigurisë?

Ne kemi qënë atje për një kohë të gjatë. Ne duhet të përcaktojmë një afat se kur do të largohemi. Ndoshta pas një viti trupat duhet të kthehen. Ne nuk mund të ofrojmë përjetësisht, si të thuash, këtë “dhuratë për stabilitetin”. Amerika është vetë e zhytur në borxhe. Këtë vit kemi një borxh prej 1 trilionë e gjysmë më shumë se vitin e kaluar. Dhe në kushte të tilla të japësh një dhuratë që na kushton 100 milionë dollarë në vit, nuk mund ta përballojmë dot. Ne duhet t’i njoftojme vendet në Ballkan se Shtetet e Bashkuara nuk mund të vazhdojnë të jenë të pranishme.

Edhe një pyetje e fundit, si anëtar i Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë të Dhomës së Përfaqësuesve, si e shikoni rolin e Shteteve të Bashkuara në Ballkan?

Për mua, Shtetet e Bashkuara duhet të kenë rolin e lehtësuesit për të afruar palët me njëra-tjetrën, që ato të gjejnë kompromise. Ka patur shumë kompromise që u arritën gjatë procesit të krijimit të Kosovës. Si vend, ne jemi krenarë që ndërhymë për të parandaluar vrasjet në masë, që mund të kishin ndodhur nëse Shtetet e Bashkuara nuk do të kishin ndërhyrë ushtarakisht. Roli ynë në të ardhmen, nuk duhet të jetë ai i një arbitri, por i një force pajtuese, që bashkon popujt, në vend që të themi se ne do të marrim vendimin përfundimtar. Vendimet duhet t’i takojnë popujve të rajonit. Ne duhet të jemi atje për të nxitur vullnetin e mirë, kompromisin, për të nxitur stabilitetin dhe begatinë afatgjatë në rajon. Ne mund ta bëjmë këtë. Ka shumë gjëra interesante që mund të bëhen dhe në fakt, unë vetë do të jem personalisht i përfshirë në disa nisma për rajonin, që synon gjetjen e urave midis popujve.

KOMENTE