English

PS: Berisha drejton regjimin e fundit në Europë

Tiranë, 19 shkurt, NOA -Partia Socialiste e ka vlerësuar demonstratën e djeshme si mesazhin më të madh që qytetarët i kanë dhënë kryeministrit Sali Berisha. Në një deklaratë për mediat, deputetja e PS-së, Shega Ligori e cilësoi mazhorancën aktuale si një regjim korrupsioni që është i fundit në Europë dhe duhet të largohet. “Sali Berisha drejton sot të fundit regjim në Europën demokratike që vret për të vazhduar të vjedhë, por edhe ai, i verbuar nga etja për pushtet e ethet e korrupsionit, duhet ta kuptojë se regjimit të tij po i afron fundi. Regjimit të Saliut po i afron fundi e nga ky fund Sali Berisha nuk mund të mbrohet nga ministri i tij i brendshëm, dy herë në kërkim, për vjedhje e për vrasje”, tha sot në një deklaratë për mediat, Ligori. Deputetja e PS-së u shpreh se kreu i qeverisë duhet të dëgjojë një herë në jetën e tij zërin e popullit që i kërkon largimin. “Sali Berisha bën mirë ta dëgjojë një herë të vetme në karrierën e tij zërin e popullit e të kuptojë se pushteti nuk mbahet as duke vjedhur vota e pasuri e as duke vrarë popullin që ngre zërin e proteston kundër korrupsionit, varfërisë, papunësisë e pamundësisë”, tha Ligori. Ajo ka theksuar se demonstratat do të vazhdojnë dhe jo vetëm nga PS-ja, por nga gjithë populli. “Nëse ka sy për të parë e veshë për të dëgjuar, Saliu duhet ta kuptojë se demonstrata e djeshme dhe të gjitha demonstratat që do të pasojnë përditë e përjavë, nuk janë protesta të Partisë Socialiste, por shprehja e indinjatës se një populli të ardhmen e të cilit e ka marrë peng regjimi i kusarisë e matrapazllëkut”, tha ajo. Ligori shtoi se 200 mijë shqiptarë ngritën dje zërin “kundër regjimit të kusarisë e matrapazëve që qëndron i strukur pas armëve të Gardës Republikane”. Ajo shtoi se qytetarët “nuk e pranojnë më këtë qeveri e këtë regjim i cili nuk qeveris, por sundon me vota të vjedhura, duke vjedhur gjithkënd e gjithçka e duke vrarë paskëtaj për të vazhduar të vjedhë”. Ligori theksoi se mazhoranca nuk ka më legjitimitet për të drejtuar qytetarët e vendit. “Nuk mund të mbrohet duke përdorur Lulin si vegel për të vrarë shqiptarët që protestojnë jo për pushtet, por për punë e mundësi. Regjimit të Saliut po i vjen fundi sepse shqiptarët nuk mund të pranojnë më korrupsionin, kusarinë e matrapazllëkun e oborrit të Sali Berishës. 700 mijë euro ryshfet jepte zëvendësi i Saliu me një të rënë të lapsit për një licencë. Më shumë se ç’mund të fitojë një familje shqiptare me punën e ndershme të një jete të tërë”, tha Ligori. a.k/NOA

KOMENTE