English

PS përgjigjet: Hajdutëria e kusaria, janë të vetmet vlera të Ilir Metës

Tiranë, 19 shkurt 2011, NOA- Pas akuzave të vazhdueshme nga ana e kreut të LSI-së Ilir Meta nga qyteti i Gjirokastrës, Partia Socialiste iu kundërpërgjigj duke thënë se vjedhja dhe korrupsioni janë kartat që kjo parti ka për zgjedhjet.

Anëtarja e Asamblesë Kombëtare në selinë rozë, Megi Ajtyresa tha se, “Ilir Meta i ndjesë pastë Lëvizjes Socialiste për Integrim, gjeti sot kurajon për tu shfaqur sërish në ekrane, këtë radhë nga qyteti i Gjirokastrës.“LSI qëndron e vendosur në vlerat e saj”, tha Ilir Meta. Por për cilat vlera e ka fjalën Ilir Meta? Mos vallë për kusaritë e matrapazllëqet me bllok në dorë?”.

Ajtyresa deklaroi se, Meta vlera mund të ketë vetëm 700 mijë eurot e fituara në 5 minuta, dhe pronat e pasuritë e vëna ndër vite nga partia e kthyer në biznes.

“Që kur na qenkan kthyer në vlerë hajdutëria e kusaria?! A ka mbetur sot ndonjë shqiptar, që t’i besojë votën Ilir Metës dhe vlerave të ndjesë pastë Lëvizjes Socialiste për Integrim?

Meqë sot Ilir Meta fliste për Europën, le të gjejë qofte dhe një politikan të vetëm në Europë, që ndonëse i akuzuar për korrupsion e hajdutëri, gjen kurajon të bëjë fushatë e të kërkojë votat e qytetarëve?”, u shpreh ajo.

Në emër të socialistëve, ajo tha se, vjedhja e korrupsioni nuk mund të jenë karta fituese në zgjedhjet lokale, pasi Ilir Meta nuk ka ç’u ofron tjetër shqiptarëve përveç modelit të vjedhjes me bllok në dorë.

Ajtyresa shtoi se, Meta sa më shpesh të vazhdojë të dalë në publik, aq më shumë u rrënjos në mendje çdo shqiptareje e shqiptari, atë skenë videohajdutërie që të gjithë e panë dhe dëgjuan me sy dhe me veshë.

a.y/NOA

KOMENTE