English

E plotë- Rama në Elbasan: Saliu dhe Iliri shikojnë ëndërr me bojkot zgjedhjesh

Elbasan, 26 shkurt 2011, NOA- Nga qyteti Elbasanit ku zhvilloi një takim, nën kuadrin e turit me moton “Fajin e ka Saliu”, Kryetari i Partisë Socialiste u shpreh se opozita nuk kërkon pushtetin, por kërkon ta largojë pushtetin aktual, në mënyrë që t’u japim shqiptarëve pushtetin mbi qeverinë e tyre.

Rama në takimin e pasdites së djeshme deklaroi po ashtu se opozita është e vetëdijshme për sakrificat që do të kërkohen për ta arritur këtë, sepse tashmë të gjithë e panë se çfarë është në gjendje të bëjë ky regjim që vodhi zgjedhjet për të vjedhur e që vrau për të vazhduar të vjedhë. Kryetari i PS deklaroi se bojkoti i zgjedhjeve lokale nga opozita është vetëm një ëndërr e pushtetit, pasi ajo nuk e ka menduar kurrë këtë hap.

Gjatë takimit kryetari i PS, Edi Rama ishte i shoqëruar nga deputetë të qarkut të Elbasanit dhe kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini.

Në fjalën e tij Rama u shpreh se në 21 janar në Shqipëri ndodhi ajo që nuk kishte ndodhur as kur ra komunizmi, u vranë qytetarë me armë nga shteti, vetëm e vetëm sepse Saliu dhe pushteti i tij kanë frikë nga dalja në dritë e zullumeve të tyre.

Rama u ndal edhe tek situata që po përjetojnë bizneset që gjenden nën presionin e pushtetit dhe të gjobave, që kanë për qëllim që të përfitojnë në kurriz të bizneseve e qytetarëve.

Në lidhje me zgjedhjet lokale, Rama deklaroi se Saliu dhe Iliri shohin prej kohësh në ëndërr sikur PS do t’i braktisë zgjedhjet lokale për t’u lejuar atyre të gllabërojnë edhe qytetet e fshatrat, por ne, vazhdoi ai, do të bëjmë çdo gjë që shqiptarët të çlirohen nga ky regjim kusarësh e matrapazësh, fundi i të cilit shënon një fillim të ri për Shqipërinë europiane.

Fjala e Kreut të PS, Edi Rama gjatë turit “Fajin e ka Saliu”:

Nuk mund të ketë një Shqipëri të denjë për BE dhe për qytetarët evropian të këtij vendi, pa largimin e këtij regjimi të korrupsionit që po i merr frymën demokracisë, që i ka marrë shpirtin dhe fytyrën drejtësisë, që po i merr dhe grahmat e fundit ekonomisë. Fajin e ka Saliu. 21 janari është momenti tragjik i kësaj historie ku ndahen qartë qytetarët nga pushtetarët, ata që duan një Shqipëri për të gjithë dhe ata që duan Shqipërinë vetëm për vete. Në 21 janar ndodhi ajo që kishte ndodhur as kur u rrëzua diktatura komuniste, asnjë pushkë e shtetit nuk hapi zjarr mbi njeri dhe as kur u dogj e u shkatërruar kryeministria në vitin 1988, nga njerëz të armatosur deri në dhëmb, po asnjë njeri nuk u vra me pushkë.

Janë dhe ato përfitime të paligjshme dhe dalja në dritë e vetëm prej disa zullumeve të tyre të pamendueshme dhe të patolerueshme që ju kanë kallur mu në shpirt frikën e hajdut të zënë me presh në duar. Frikën që e bën Saliun të shikoj me sy hapur ëndrra të tmerrshme, me puçe e me përmbysje të dhunshme nga karrigia që e do aq shumë, sa për ta mbajtur është në gjendje të vrasë edhe shqiptarë të pafajshëm me pushkën e Gardës së Republikës.

Ne jemi e vetmja shpresë për tju hequr sipërmarrësve nga shpina kërbaçin e xhahypëve të pushtetit. E atyre që ju turren në dyert e ndërmarrjeve duke ju vënë përditë gjoba, gjoba për Saliun dhe gjoba për vete. Gjoba për pushtetin dhe gjoba për vete. Gjoba për të mbajtur në këmbë një shtet të falimentuar, duke vjedhur deri në qelizën e fundit sipërmarrjen shqiptare dhe për tu majmur në kurrizin e gjithë atyre shqiptarëve të ndershëm, që në sipërmarrjen e tyre meritojnë respekt dhe jo dhunë. Meritojnë mundësitë e reja duke shkuar përpara duke hapur dhe vende të reja pune dhe jo dhunë.

Ne jemi e vetmja shpresë për tju dhënë shqiptarëve një shtet të ri një shtet evropian, një shtet modal, një shtet transparentë, një shtet pa të cilin Shqipëria nuk mund të ngrejë kokën dhe një shtet pa të cilin shqiptarët nuk mund të jenë kryelartë për vendin ku jetojnë. Ashtu sikundër të gjithë së bashku nuk mund ta kemi ndërgjegjen e qetë përpara të gjithë atyre që lanë jetën në këtë vend.

Saliu, Iliri dhe të tjerët me radhë shohin prej kohësh një ëndërr. Ëndrrën se ne do ti bojkotojmë zgjedhjet vendore që ata të mund të gllabërojnë edhe qytetet dhe fshatrat në mënyrë që mund ti grabisin këtij populli çdo gjë, deri në qelizën e fundit. Kjo është një ëndërr të cilën ne nuk mund tua bëjmë realitet. Ndërkohë që realitetin do ta bëjmë fushën e betejës për një ëndërr të madhe të Shqipërisë dhe të shqiptarëve që të çlirohen nga ky regjim kusarësh e matrapazësh dhe të fitojë të drejtën për të zgjedhur me votë ata që duan, duke mos lejuar më kurrë që të sundohen nga ata që popullin nuk e duan. Do të vazhdojmë kudo, do të vazhdojmë në çdo hapësirë, do të vazhdojmë edhe me më shumë forcë, paqësisht por vendosmërisht në parlament, në bulevard, në sheshe, në zgjedhje kudo ku ka një hapësirë të lirë për tu përballur me këtë regjim e për ti ofruar atij fundin, fundin e merituar. Fundin që do të jetë edhe fillimi i një historie të re për Shqipërinë evropiane, për Shqipërinë demokratike. Për Shqipërinë e qeverisur nga ata që zgjedh e jo të sunduar nga ata që nuk e lënë të zgjedhë.

a.y/NOA

KOMENTE