English

Hoffmann: Kushtet për zgjedhje ekzistojnë

E shtunë, 26 shkurt 2011, NOA- Dr. Judith Hoffmann, eksperte e politikës në rajon dhe njohëse e Shqipërisë në sajë të punës së saj për Bankën Botërore në Shqipëri dhe të kërkimeve të zhvilluara në vend në fushën e shkencave shoqërore, komenton situatën politike pas 21 janarit.

Në një intervistë për Deutche Welle, ajo shprehet se përgjegjësitë politike për demonstratën e 21 janarit ekzistojnë pasi, u shënuan katër të vrarë.

Ndërsa për çështjen e mbajtjes së zgjedhjeve të 8 majit, Hoffman thotë se bashkësia ndërkombëtare i vëzhgon zgjedhjet në Shqipëri prej një kohe mjaft të gjatë dhe nxjerr vazhdimisht raporte mbi zgjedhjet. Natyrisht që prej vitesh ka edhe vëzhgues vendorë të zgjedhjeve të përfshirë në proces, OJQ shqiptare, pra nuk është vetëm bashkësia ndërkombëtare, që i vëzhgon zgjedhjet.

"Natyrisht, që vëzhgimi i zgjedhjeve të tilla është diçka e vështirë. Duhet të jesh i aftësuar mjaft mirë për të pasur parasysh gjithë procesin dhe për të parë se ç'ndodh. Bashkësia ndërkombëtare dhe SHBA-ja e kanë këshilluar prej vitesh këtë proces dhe kanë propozuar ose kërkuar vazhdimisht, që sistemi zgjedhor të rishikohet, që ai të përshtatet dhe këto hapa edhe janë hedhur vitet e fundit. Pati edhe mendime dhe vendime për ta ndryshuar krejtësisht sistemin zgjedhor, pra nga një sistem miks në një proporcional, duke besuar se kësisoj arrihen zgjedhje më të mira. Besoj, se zgjedhjet e 2009-ës treguan që kalimi nga një sistem zgjedhor te tjetri varet nga praktika, nga zbatimi i ligjit dhe i sistemit elektoral. Nuk mund të thuhet, që një sistem zgjedhor është më i mirë sesa një tjetër. Për këtë arsye ka rëndësi, që njerëzit përgjegjës në politikë të kenë vullnetin dhe interesin, që zgjedhjet të kryhen në përputhje me ligjin dhe sistemin zgjedhor ekzistues. Reforma e ligjit zgjedhor u miratua në rrafshin ndërkombëtar. Pra, parimet dhe normat për të zhvilluar zgjedhje të tilla të lira dhe të drejta ekzistojnë”, shprehet ajo.

a.y/NOA

KOMENTE