Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Qytetarët vizitojnë ekspozitën e Topit për diktaturën
English

Qytetarët vizitojnë ekspozitën e Topit për diktaturën

Tiranë, 26 shkurt, NOA - Fotoekspozita “Demokracia nuk ndërtohet mbi harresën”, e hapur nën kujdesin e Presidentit të Republikës Bamir Topi, vazhdon të zgjojë interesin e qytetarëve të moshave, shtresave e profesioneve të ndryshme, për të parë momentet kulmore të rezistencës antikomuniste në Shqipëri dhe persekutimin barbar gjysëmshekullor nga regjimi komunist të kohës.

E hapur ditën e hënë, më 21 janar 2011, në njëzetvjetorin e rrëzimit të diktaturës komuniste në Shqipëri, ekspozita u realizua me mbështetjen e Komisionit Evropian e Qendrës Shqiptare të Rehabilitimit të Traumës dhe Torturës dhe kishte për kurator zotit Besim Ndregjoni, Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës Mbarëkombëtare të Integrimit të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë. Hapja e ekspozitës u parapri nga një ceremoni e veçantë, gjatë së cilës, Presidenti i Republikës në prani të përndjekurve, familjarëve të viktimave, përfaqësuesve të Qendrës Shqiptare për Rehabilitim të Traumës dhe Torturës, Leka Zogu II, përfaqësues të institucioneve shtetërore si dhe përfaqësues të Trupit Diplomatik të akredituar në vendin tonë, dekoroi me Urdhrin “Nënë Tereza” zotin Adem Allçi dhe Sami Dangëllinë (Pas vdekjes) me motivacionin: “Në shenjë nderimi dhe vlerësimi për qëndresën mbinjerëzore dhe rezistencën e papajtueshme ndaj diktaturës komuniste.”. Ndërsa me “Medaljen e Mirënjohjes” u dekoruan: Hyrye Dosti (Kupi), Agron Kalaja, Aqif Selimi, Luan Koka, Luan Myftiu, Islam Spahiu, Shpëtim Stërmasi, Hysen Haxhiu, Naile Capa, Kastriot Bajraktari, Engjëll Vukelaj, Zenel Drangu, Nikoll Gurraj, Isa Mehaj, Kristo Mema, Demir Pojani, Gëzim Peshkëpia, Pajtim Lamja, Murat Protoduari, Sazan Hadëri (Pas vdekjes), Dhori Gërnjoti (Pas vdekjes), zoti Beqir Hoxha dhe zoti Baki Xheneti me motivacionin: “Në respekt të vuajtjeve të pafund dhe qëndresës së pashembullt ndaj persekutimit nga diktatura komuniste.”

Në të pesë ditët kur ka qëndruar e hapur në mjediset e sallës “Skënderbeu” në Institucionin e Presidentit të Republikës, fotoekspozita është vizituar nga qytetarë të ndryshëm nga Tirana dhe rrethet, studentë të Fakultetit të Gazetarisë të Universitetit Shtetëror të Tiranës, studiues të qendrës së Albanologjisë, përfaqësuesit e Sekretariatit të Kombeve të Bashkuara për Torturën me qendër në Gjenevë, znj. Laurence Andre dhe znj. Sara Nunez, pedagogë të Fakultetit të Ekonomisë të Universitetit të Tiranës, studentë të Akademisë së Arteve të Bukura dhe familjarë e miq të 22 të viktimave të masakrës së regjimit komunist, të cilët u arrestuan e më pas u pushkatuan pa gjyq për motive politike, pas bombës së hedhur në Ambasadën e Bashkimit Sovjetik në Tiranë më 26 shkurt të vitit 1951.

Vizitorët janë njohur me fotografi e dokumente autentike, si dëshmi konkrete e rezistencës e qëndresës së shqiptarëve, të elitës nacionaliste e intelektuale të shkolluar në Evropë, si dhe eliminimin sistematik të tyre për një gjysëm shekulli, që prej vitit 1944 me një genocid të pastër. Fotot dhe dokumentet ilustruese janë shoqëruar me shpjegimet përkatëse nga zoti Besim Ndregjoni, duke përshkuar të gjithë genocidin e kryer nga diktatura komuniste në Shqipëri, që nga Kryengritja e parë antikomuniste në Evropë, ajo e Postribës e 9 shtatorit të vitit 1946 (e nderuar nga Presidenti Bamir Topi më urdhërin e lartë ‘Nderi i Kombit’), Kryengritja e Burrelit në 2 gusht 1967, Kryengritja e Spaçit më 21 Maj 1973, torturat çnjerëzore, internimet, vrasjet e pushkatimet pa gjyq të intelektualëve e klerikëve më në zë të kohës, e deri tek e ekzekutimet më të fundit nga regjimi diktatorial komunist, i dy poetëve nga Librazhdi, Genc Leka e Vilson Blloshmi apo varjes me litar në vitin 1988 të poetit të talentuar nga Kukësi, Havzi Nela. Këto akte të ish-të përndjekurve politikë, konsiderohen prej tyre si frymëzim për lëvizjet mbarëkombëtare që startuan në Shkodër më 13 janar të vitit 1990, me rrëzimin e bustit të Stalinit, e duke kulmuar me Lëvizjen Studentore të Dhjetorit 1990, që solli ndryshimin e shumëpritur të sistemit pas gjakut e sakrificave të pashembullta të 6214 burrave e grave, 36 mijë burra e gra te burgosura, 50 mijë familjeve të internuara.

Vizitorët janë interesuar edhe përpjekjet e kësaj shtrese të përndjekur në vitet e demokracisë për rehabilitimin e integrimin material e moral të tyre në shoqërinë shqiptare, përpjekjet dhe angazhimin e tyre për të çuar përpara dekomunistizimin, si element i rëndësishëm i shëndosjes së një demokracie, që nuk duhet ndërtuar mbi harresën, pluhurosjen apo shtrembërimin e qëllimshëm të këtyre ngjarjeve, pasi siç është shprehur edhe Presidenti Topi “kjo do të ishte zvetënim dhe dobësim i ndërgjegjes së një kombi dhe i kujtesës historike të tij.”

Me shumë interes vizitorët janë ndalur tek fjalët e poetit Havzi Nela në burgun e Spaçit: “Shum shpejt kena me ni se si ka me ra ky regjim terrori. Por ne nuk do të veprojmë si këta, se boll gjak të pafajshëm ka derdh shqiptari, kena me u sjell si njerëz me mend, e nuk do të kërkojmë hakmarrje. Hakmarrjen do t’ia lemë drejtsisë… por do të përçojmë paqe e mirësi… gjaku me gjak nuk lahet…”

Duke nderuar kujtimin e viktimave, por edhe duke u përulur përpara durimit e pritshmërive në vitet e demokracisë, të të mbijetuarve të persekutimit komunist e familjarëve të tyre, Presidenti Topi ka përsëritur qëndrimin e tij për trajtimin me seriozitetin e dinjitetin e merituar të kësaj shtrese të sakrifikuar të shoqërisë shqiptare: “Krimet duhen dënuar, qoftë edhe historikisht. Fajtorët duhen ndëshkuar, qoftë edhe moralisht! Viktimat duhet të prehen në paqe dhe të gjallët duhet të çlirohen një herë e përgjithmonë nga makthet e tyre, të bindur plotësisht që drejtësia është vënë në vend, që falja u është kërkuar sinqerisht. Vetëm në këtë mënyrë, edhe të përndjekurit vetë do të munden të falin me gjithë zemër, do të jenë në gjendje të ringrihen më krenarë se kurrë e të besojnë plotësisht se tempulli i shenjtë i demokracisë dhe institucionet e tij të pavarura mbështeten të palëkundura e të pacënuara nga askush dhe asgjë mbi themelet e forta të mësimeve të vyera, që kemi nxjerrë nga historia dhe e kaluara jonë e hidhur”

NOA

KOMENTE