English

Këngëtarja Liliana Kondakçi dënohet me 4.5 vjet burg për trafik droge

Kalabri, 1 Mars 2011 NOA – Këngëtarja e njohur shqiptare, Liliana Kondakçi dënohet me 4.5 vjet burg për trafik droge. Vendimi erdhi pasi prokuroria në pretencën e saj kërkoi jo më pak se tetë vjet heqje lirie për 59-vjeçaren nga Shqipëria.

Zbulimi i drogës që përfshiu këngëtaren e njohur të muzikës së lehtë shqiptare, u bë në operacionin policor italian të koduar me emrin “Shkodër”.

Vendimin e ka marrë dje gjykata në Catanzaro. Gjyqtari i çështjes, Assunta Maiore e ka deklaruar Kondakçiun fajtore vetëm për akuzën e bashkëpunimit në grup kriminal, të finalizuar në trafik lëndësh narkotike, duke pranuar kështu kërkesën e avokatit të saj, Giorgio Pisani. Në këtë mënyrë ranë katër akuza, mes të cilave edhe posedimi e përdorimi i armëve të zjarrit.

Prokurori Vincenzo Luberto kërkoi tetë vjet heqje lirie, por gjyqtari e hodhi poshtë këtë kërkesë.

Këngëtarja Liliana Kondakçi është arrestuar nga policia e Selanikut në Greqi, në fillim të prillit të vitit të kaluar. Kondakçi u arrestua në një banesë e cila ishte marrë me qira prej disa të afërmve të saj.

Policia deklaroi se në ngarkim të 58-vjeçares kishte dalë një urdhër arresti i prerë pas vendimit të Gjykatës së Selanikut që e shpallte person në kërkim për qëllime ekstradimi.

Gjithsesi Kondakçi nuk do të ekstradohet menjëherë drejt Italisë pavarësisht një urdhri ndërkombëtar shpërndarë në të gjitha vendet e BE për ta shpallur atë në kërkim.

Këngëtarja e njohur akuzohej nga drejtësia italiane se është përfshirë në trafik lëndësh narkotike. Në fakt, më 18 maj të vitit 2006, Liliana Kondakçi ishte arrestuar nga policia italiane, pasi u gjet në një makinë me të cilën lëvizte në Katanxharo pranë Kalabrisë, me tre kilogramë e 300 gramë kokainë. Ajo njihej me nofkat “Mama” dhe “Këngëtarja”.

Në operacionin policor italian të koduar me emrin “Shkodër” i nisur më 2005 dhe vijuar deri më 2008 u sekuestruan 500 kilogramë lëndë narkotike të llojit kokainë, heroinë dhe e.t/NOA

KOMENTE