English

Berisha: Vrasja e ushtarëve amerikanë akt i shëmtuar terrorist e antishqiptar

Tiranë, 3 mars 2011, NOA – Kryeministri Sali Berisha dënoi sot aktin e vrasjes së dy ushtarëve amerikanë në Frankfurt dhe plagosjen e dy të tjerëve. Përmes një deklarate shefi i ekzekutivit dënoi me rreptësinë më të madhe vrasjen e dy ushtarëve amerikanë dhe plagosjen e dy të tjerëve nga Arid Uka.

“Vrasja e ushtarëve të ushtrisë së shkëlqyer amerikane që ka qenë përcaktuese për lirinë e shqiptarëve në Kosovë është lëndim shumë i rëndë për të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë”, është shprehur kryeministri Berisha.

Ai e cilësoi një akt terrorist të shëmtuar, por dhe një akt të mirëfilltë antishqiptar dhe antikombëtar.

Kryeministri Berisha i shpreh ngushëllimet familjeve të viktimave, qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Shefi i qeverisë bën thirrje që drejtësia të flasë me të gjithë rreptësinë e ligjit, ndaj këtij krimi të shëmtuar terrorist.

Vrasja e dy shtarëve amerikanë u shënua dje në aeroportin e Frankfurtit kur shtetasi kosovar 21-vjeçari Arid Uka sulmoi autobusin me të cilin lëviznin ushtarët amerikanë, duke vrarë dy prej tyre dhe plagosur në gjendje të rëndë dy ushtarë të tjerë të cilët ende po dyluftojnë me vdekjen.

Policia gjermane ka ndërhyrë menjëherë duke arrestuar autorin, Arid Uka.

Sulmi I cilësuar si një sulm terrorist është dënuar ashpër nga kancelarja gjermane Angela Merkel, e cila kërkoi hetim të hollësishëm të sulmit, i cili sipas mediave ishte me prapavijë tërësisht terroriste.

Ngjarja u dënua edhe nga autoritetet kosovare, të cilët e shohin Amerikën si partnerin dhe mbrojtësin më të fortë të shtetit të ri të Kosovës.

Edhe ministri i Brendshëm i Kosovës Bajram Rexhepi ka deklaruar se do të hetojë për ngjarjen edhe policia e Kosovës.

mit/NOA

KOMENTE