English

Dade: Shtimi i monitorimit nga KiE, tregon se ende kemi probleme

Tiranë, 3 mars, NOA - “Rasti i Shqipërisë është sa paradoksal, aq edhe i paprecedentë. Kur një vend nis marrëdhënien e Stabilizim-Asocimit me Bashkimin Europian, mbyll negociatat e madje aplikon për anëtarësim dhe nga ana tjetër vazhdon të monitorohet nga Këshilli i Europës lidhur me kolonat themelore të demokracisë, kjo merr dimension shqetësues për faktin që Shqipëria tashmë, prej gati dy vjetësh, është anëtarë e NATO-s”.

Kështu u shpreh sot në Kuvend në emër të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, deputetja Arta Dade.

Lidhur me vendimin për një zyrë të Këshillit të Europës në Tiranë, ajo tha se kjo paraqet shqetësim për faktin se ende kërkohet monitorim ndaj Shqipërisë, për mënyrën se si funksionojnë institucionet demokratike.

“Po t’i hedhim një sy listës së vendeve ku Sekretari i Përgjithshëm ka vendosur të mos mbyllë zyrat e Këshillit të Europës, por të rrisë nivelin e përfaqësimit si në Shqipëri, janë vende ku demokracia vazhdon të jetë e paarrirë si: Serbia, Azerbajxhani, Armenia, Ukraina, Kosova, Bosnjë-Hercegovina, Moldavia, përveç zyrave që janë në qendrat politikëbërëse të Europës”, tha ajo.

Duke shtuar se fakti që zyra e Tiranës do të vazhdojë të kryejë detyra të shtuara vërteton katërçipërisht shqetësimin tonë dhe të vetë Komisionit të Monitorimit për Shqipërinë se në vend që Shqipëria pas 16 vjetësh të anëtarësimit në Këshillin e Europës të kishte plotësuar kriteret politike nga zgjedhjet e lira e të ndershme e deri te klima politike normale, nga respektimi i të drejtave të njeriut deri te respektimi i institucioneve të pavarura, nga respektimi i autonomisë vendore deri te konsolidimi i demokracisë parlamentare duke respektuar vetë parlamentin, i cili është shndërruar në mjet dhune kundër opozitës, e dhunuesi rekord i Kushtetutës së vendit, nga respekti për pavarësinë e medias deri te respekti për publikun nga media publike, vazhdon të mbahet e mbërthyer prej 2 vjetësh në kriza të rrezikshme të demokracisë ku dhunohen në mënyrë flagrante parimet dhe vlerat bazë, mbi të cilat është ngritur vetë Këshilli i Europës dhe organizmat e tjerë euro-atlantik, si OSBE, NATO dhe mbi të gjitha vetë Bashkimi Europian që na refuzoi statusin e vendit kandidat për përgjegjësitë ekskluzive të Sali Berishës.

n.e/NOA

KOMENTE