English

Shqiptarët e Luginës së Preshevës, synojnë autonominë

Preshevë, 3 mars, NOA - Më 1 dhe 2 mars të vitit 1992, u organizua referendumi në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, ku në mënyrë plebishitare popullata shqiptare e këtij rajoni votoi për autonomi politike territoriale me të drejtë t’i bashkohen Kosovës.

Tani janë mbushur 19 vjet nga organizimi i Referendumit të marsit të vitit 1992 ku popullata shqiptare e Luginës së Preshevës për here të parë në historinë e saj, ishte në situatë të shprehë vullnetin politik.

Përmes Referendumit qytetarët e tri komunave të banuara me shqiptarë janë deklaruar për autonomi politike territoriale me të drejtë bashkimit me Kosovë.

Në periudhën e fillimit të shpërbërjes së ish Jugosllavisë në vitin 1991- 1992 u ngrit iniciativa e partive politike shqiptare në Luginë të Preshevës për themelimin e kuvendit të përbashkët të tre kuvendeve shqiptare për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

Kuvendi qendrorë u formua më 16 shkurt 1992 me seli në Preshevë me 96 delegat duke përfshirë këtu përfaqësuesit e partive politike, shoqatave si dhe shumica e delegatëve shqiptarë të kuvendeve komunale.

Në kuadër të kuvendit të përbashkët u bë edhe referendumi i marsit të po këtij viti ku dolën tri opsione:

- Bashkim me Kosovën - Autonomi kulturore dhe - Autonomi politiko territoriale me të drejtë bashkimi me Kosovë, kjo e fundit fitoi shumicën absolute.

Qytetarët ishin mjaftë entuziast për ngjarjet që po zhvilloheshin, ata në disa momente kanë deklaruar se Referendumi është ditë e madhe për ta. Në kolonat e gjata nëpër rrugicat ku qytetarët prisnin për të votuar PËR Autonomi politiko territoriale me të drejtë bashkimi me Kosovë në raste të caktuara ngrisnin edhe gishtat në shenjë lirie dhe demokracie për vendin. Me këtë gjest identifikoheshin kërkesat e shqiptarëve anekënd ku jetonin.

Sipas dëshmitarëve të kohës, punktet e votimeve ishin stacionuar nëpër shtëpi dhe lokale private nga qytetarët vullnetmirë. Procesi i votimit ishte plotësisht jo legal. Për të kryer këtë nismë nuk ishin kushtet edhe aq të favorshme, por asnjëherë nuk mungoi vullneti i mirë kombëtarë i vendasve tanë. Pankartat që ishin të ngjitura në hapësirat ku votohej kishin mbishkrimet Rroftë Autonomia e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, Referendumi obligim i yni kombëtarë, votoni Për, Autonomia e shqiptarëve Sintezë e kërkesave të popullit. Parapërgatitjet për mbajtjen e referendumit bëheshin nga një ekip i gjerë njerëzish. Ishin caktuar 71 vendvotimeve për të votuar 45 mijë qytetarë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

Puna më e vështirë ishte të sigurohen materialet, punë kjo që është kryer nga aktivistët në terren. Rolin kryesorë e kishte këshilli për çështje organizative, komisionet për regjistrimin e banorëve sipas njësive, anëtarët përgjegjës të këshillit organizativ për mbrojtjen e rendit dhe qetësisë publike në terren sipas njësive, ekipi për përgatitjen e pllakateve, komisioni zgjedhorë për përgatitjen e materialit votues dhe ekipi këshillëdhënës.

Zyrat e punës në atë periudhë ishin edhe Odat sekrete për përpunimin e materialeve të Referendumit.

Përkundër të gjitha problemeve të tjera ishin pengesat edhe në mënyrat e gjetjes së propagandimit tek qytetarët, periudhë kur mungonin mediet vendore. Referendumi nga organizatorët u vlerësua i suksesshëm sepse qytetarët me 97. 8 për qind iu përgjigjën me deklarimit për Autonomi politiko territoriale me të drejtë bashkimi me Kosovë. Më 26 mars të vitit 1992 u emërua kryesia dhe kryetari i kuvendit, Ibrahim Kadriu. Në shkurt të vitit 1999 është përgatitur një promemorie- dokument ndërkombëtarë. Pas kësaj kohe janë bërë Orvatje për materializimin e vullnetit politik të shprehur në referendumin e marsit të vitit 1992. Referendumi është i freskët në kokën e të gjithë atyre që ishin aktorë të kohës por edhe qytetarëve tanë, mirëpo shpesh herë ka dilema se pse nuk u jetësua deri më sot vullneti i qytetarëve.

Disa thonë Referendumi dështoi dhe ishte vetëm modë e kohës, ndërsa të tjerët thonë se duhet më tepër angazhim dhe përkushtim për jetësimin e të drejtave të shqiptarëve të shprehur në marsin e vitit 1992.

Mos demokratizimi i Serbisë, dhuna e shfaqur ndaj shqiptarëve herë pas here në periudha të caktuara ka bërë që edhe më tej të diskutohet për statusin e shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Përkundër nënshkrimit të Marrëveshjes për realizimin e të drejtave të shqiptarëve pas luftës së armatosur të Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë dhe më tej cenohen të drejtat elementare për jetë normale. Shqiptarët e tri komunave në Serbi ballafaqohen me maltretime të natyrave të ndryshme si vrasje, kidnapime, arrestime dhe diskriminime nga pushtetarët serbë. Bashkëkombësit tanë në këto troje mbeten optimist se një ditë do të ngritet zëri për realizimin e të drejtave të tyre çdo herë duke aluduar në Referendumin e një dhe dy marsit . Rikujtuam aktivitetet politike që janë zhvilluar në marsin e vitit 1992 me rastin e organizimit të Referendumit për Autonomi politiko territoriale me të drejtë bashkimi me Kosovë, duke uruar se pozita e shqiptarëve në Luginë do të jetë më e favorshme nga periudhat që po lëmë pas.

Shqiptaret etnikë në Serbinë e jugut shpresojnë që referendumi i zhvilluar 19 vjet më parë do t’i ndihmojë ata të realizojnë ëndrrën e tyre për autonomi dhe bashkim me Kosovën.

NOA-INA

KOMENTE