English

8 marsi, Vetëvendosja: Shteti të financojë shëndetin e qytetarëve

Prishtinë, 8 mars 2011, NOA - “Nuk Duam Lule, Duam Sigurim dhe Shërbime Cilësore Shëndetësore”. Ishte kjo motoja e protestës së Rrjetit të Grupeve të Grave të Kosovës e zhvilluar sot në Prishtinë me kërkesat e të cilës u solidarizua edhe Lëvizja për Vetëvendosje. Sipas Vetëvendosjes është vendimtare për një shoqëri krijimi i hapësirës së nevojshme për angazhimin e grave dhe vajzave në jetën shoqërore, politike dhe ekonomike.

“Me 8 Mars 2011, Kosova, gjendet me një situatë tejet të vështirë politike, ekonomike e sociale, e si pasojë me të tilla vështirësi përballen drejtpërdrejtë gratë e vajzat’, thotë në një deklaratë kushtuar 8 marsit Lëvizja për Vetëvendosje.

Kjo lëvizje thekson se “Shteti duhet të garantojë dhe financojë shëndetin e qytetarëve”.

Vetëvendosja angazhohet për barazinë shoqërore, e cila sikundër konsideron ajo forcon besimin dhe solidaritetin mbi të cilat ndërtohet një shoqëri e shëndoshë.

Në 100 vjetorin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, Lëvizja Vetëvendosje u uron 8 Marsin të gjitha grave dhe vajzave të Kosovës, duke rikujtuar se “tash e 100 vjet, gratë në mbarë botën bëjnë përpjekje për përmirësimin e pozitës së tyre në shoqëri, përmes protestave politike për çështje ekonomike e sociale”.

mit/NOA

KOMENTE