English

Topalli: Gruaja, dora që tund botën…

Tiranë, 8 mars 2011, NOA – “Dikush thotë se nëna është perëndesha e dashurisë. Librat shkruajnë se dora që tund djepin, tund botën. Unë besoj, edhe si perëndeshë e dashurisë, edhe si dorë që tund botën, për gratë, kur duan, nuk ka barriera që nuk kapërcehen, nuk ka mrekullira që nuk bëhen!...

Nga Jozefina Topalli

Sot, kudo në botë, gratë celebrojnë 100 vjetorin e arritjeve të tyre në çdo fushë.

Sot është një ditë e veçantë. Ky takim i dedikohet nënave. Kjo ditë ju dedikohet juve.

Sot, ne gratë shqiptare, celebrojmë 20 vjetorin e arritjeve tona në liri.

Vetëm dy dekada më parë, shqiptarët, burra dhe gra, përmes sakrificash sublime përmbysën diktaturën më të egër komuniste dhe filluan një betejë të pandalshme për demokraci ku të gjithë do kishin të drejtë që të punojnë, të jetojnë, të ëndërrojnë pa frikë nga askush.

Sot jemi një popull krenar për arritjet tona.

Kemi rritur rrogat, kemi rritur ekonominë, kemi bërë rrugë moderne, kemi ndërtuar dhe rikonstruktuar mijëra shkolla, kemi rritur pensionet, kemi hyrë në NATO, kemi rritur numrin e studentëve, kemi ringjallur fshatin, kemi shkurtuar rrugët, kemi rritur eksportet, kemi rritur të ardhurat, kemi hequr vizat.

Gratë, padyshim kanë bërë që të triumfojnë vlerat e arritjet tona më të mira.

Çdo grua shqiptare sot ka arsye për të qenë krenare për veten, për fëmijët, për gjithë sakrificën e kontributin e saj për çdo gjë të mirë që bashkë kemi arritur.

Çdo grua shqiptare sot ka arsye për të qenë krenare për vendin tonë, për flamurin tonë, për lirinë që kemi, për progresin e zhvillimin, për Shqipërinë e bukur dhe të transformuar.

Sot ne përulemi me respekt për sakrificat, për kontributet, për arritjet që gratë kane realizuar në çdo aspekt të jetës në shtëpi, në punë, në komunitet si nëna, si bashkëshorte, si motra, bija, si qytetare, si lidere, si mësuese, mjeke, si ekonomiste, infermiere.

Po të kthejmë kokën pas në histori, gjejmë që vendi ynë ka patur gra që kanë bërë histori.

Teuta ishte mbretëresha jonë e parë, 2 mijë vite më parë.

Rozafa është legjenda e gruas shqiptare që muroset në emër të besës, por me kushtin që të ushqejë më gjirin e saj fëmijën, 500 vite më parë.

Shote Galica ishte një grua luftëtare që vdes për lirinë, 100 vite më parë.

Nënë Tereza është ikona e dashurisë. Ajo është krenaria e kombit tonë.

Si mbretëresha, si luftëtare, si legjenda, si misionare apo si nëna ato janë modelet e popullit tonë.

Për ne gratë e gjithë bota jonë rrotullohet tek fëmijët, familja, vendi, dhe sado të ndryshme mund të jemi në diversitetin tonë të mrekullueshëm ne kemi kaq shumë gjera që na bashkojnë.

Nga tryezat në familje dhe deri në tryezat e vendimmarrjes, gratë kanë punuar për të arritur çfarë na takon, për zotësi apo inteligjencë, për aftësi apo potencial, e mbi të gjitha për barazi në të drejta që Zoti na ka dhënë.

Ne gratë kemi forcën të qëndrojmë në këmbë përballë çdo vështirësie.

Ne gratë kemi forcën të qëndrojmë fort kundra dhunës.

Ne gratë kemi guximin të refuzojmë dhe të mos lejojmë as dhunën as ata që ushtrojnë dhunë.

Ne gratë kemi kurajën për të kundërshtuar me vendosmëri çdo burrë që për egoizmin e tij personal bën tentativa të dështuara të dhunojë shtetin tonë.

Ne gratë jemi të vendosura për të bërë më të mirën për fëmijët, familjen, atdheun.

Ne gratë nuk dorëzohemi kurrë. Sot nuk ndajmë vetëm vlera të përbashkëta por ndajmë interesa të përbashkëta. Ne ndajmë një të ardhme të përbashkët.

Në gjuhën tonë shqipe vlerat si: fëmija, familja, Shqipëria drejtësia, siguria, paqja, barazia, shpresa, ëndrra janë femërore. Dikush thotë se nëna është perëndesha e dashurisë.

Librat shkruajnë se dora që tund djepin, tund botën.

Unë besoj, edhe si perëndeshë e dashurisë, edhe si dorë që tund botën, për gratë, kur duan, nuk ka barriera që nuk kapërcehen, nuk ka mrekullira që nuk bëhen!

*Fjala e Kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli gjatë aktivitetit për 8 marsin

KOMENTE