English

Topi: Jam i shqetësuar për gjuhën e dhunës mes grave

Tiranë, 8 Mars 2011 NOA - Presidenti i Republikës Prof Dr Bamir Topi priti sot paradite drejtuese të disa prej organizatave jofitimprurëse të cilat mbrojnë të drejtat e interesat e grave në të gjitha fushat e të drejtat e njeriut në përgjithësi.

Gjatë bashkëbisedimit zonjat u ndalën në misionin e gruas në politikë dhe shprehën shqetësim për gjuhën e dhunës që përdoret apo sulmet politike brenda të njëjtës gjini. Nga ana e tij Presidenti Topi u shpreh se roli i gruas në politikë duhet të jetë i ekuilibruar, pasi është vetë në natyrën e saj të jetë e tillë. ‘Në një moment debati të fortë, zëri i saj duhet të dëgjohet, por duhet të jetë argumentues’, u shpreh Presidenti i Republikës.

*** Duke u uruar përzemërsisht festën e 8 Marsit, Presidenti Topi shprehu kënaqësinë e veçantë që mikpret për të bashkëbiseduar nga afër me përfaqësueset e këtyre shoqatave të cilat e kanë orientimin e tyre tek roli i gruas dhe problematikat me të cilat ajo përballet. “Sot kam rastin të përgëzoj të gjitha ato zonja që kanë një zë ndryshe, t’ju falenderoj secilën për kontributin që jepni në fushën e caktuar, për përkushtimin ndërsa të gjitha së bashku, jepni për të mirën e përbashkët.” - tha Presidenti Topi. Kryetari i Shtetit u shpreh se çdo ditë shohim shembuj të zonjave kurajoze, të cilat nuk janë të pakta, e që e realizojnë misionin e tyre si nëna, edukatore apo profesioniste në fusha të ndryshme, në mënyrë shumë dinjitoze e megjithatë gra në vendimmarrje ka pak, pasi kjo shoqëri duket e projektuar të jetë maskiliste. Presidenti i Republikës ka nënvizuar se në pozicionin e tij gjithmonë ka synuar të respektojë probabilitetin biologjik gjinor, pra propozimet e tij për kandidatura gra në institucione të ndryshme, kanë qenë afër pesëdhjetë përqindëshit, pasi sipas Presidentit tek tridhjetë përqindëshi fillon diskriminimi gjinor. Ndërsa vëmendja për gratë duhet të shkojë edhe më tej, edhe në zonat rurale e periferitë e qyteteve tona. Sa më e garantuar të jetë shoqëria, aq më i garantuar është edhe pozicioni i gruas, është shprehur Presidenti duke i garantuar zonjat e pranishme për mbështetjen e plotë institucionale e personale në misionin e tyre fisnik, por edhe disa vjeçar tashmë në shoqërinë shqiptare. Duke e falenderuar Presidentin Topi për mikpritjen e veçanërisht për pozicionin e mesazhet ekuilibruese në realitetin e sotëm,drejtueset e shoqatave e njohën Presidentin me vshtirësitë që has gruaja në rradhë të parë me mungesën e pavarësisë ekonomike e më tej edhe në aktivitetin e tyre si promotore në shoqërinë civile. Sipas zonjave drejtuese, shoqëria civile nuk po arrin të ketë një zë të fortë e të unifikuar për shkak të ndërvarësisë nga fondet që mbështesin aktivitetin e tyre, çka në raste të caktuara sjell qëndrime konformiste ndaj realitetit, por edhe për shkak të izolimit në aktivitetin e tyre specifik. e.r/NOA

KOMENTE