English

Dita e Verës, gjithçka për festimet në Elbasan

Elbasani fton në festën e tij, festë në qytetin e ballokumeve

Elbasan, 13 Mars 2011 NOA - Bashkia Elbasan në bashkëpunim me Shoqatën Shqiptare të Marketingut organizojnë një sërë aktivitetesh në qytetin e Elbasanit në kuadër të Ditës së Verës 2011.

***

Festa e ka zanafillën në kohët më të hershme, por është ruajtur brez pas brezi. Simbolizon ikjen e dimrit dhe ardhjen e pranverës, çeljen e luleve, ngrohjen e motit, shpërthimin e ngjyrave. Dita e Verës tashmë ka zënë vend mes festave më argëtuese në Shqipëri. Megjithatë epiqendra e saj është Elbasani, qyteti ku vit pas viti tradita forcohet gjithmonë e më shumë, me ballokumen si elementin përfaqësues të kësaj feste.

Banorëve elbasanas u shtohen edhe mijëra njerëz që vijnë aty nga qytete të ndryshme për të marrë pjesë në festime.

Nën kujdesin e veçantë të z. Qazim Sejdini këtë vit është menduar që Dita e Verës të jetë një seri festimesh, nga e shtuna deri të hënën. Janë plot dy mbrëmje dhe një ditë gjatë të cilave Elbasani do të shpalosë virtytet e tij për të gjithë të pranishmit.

Mbrëmja e parë e festimeve do t’i kushtohet muzikës popullore me këngëtarë të qytetit të Elbasanit. Eglantina Toska, Mehdi Zena ndër emra të tjerë të njohur do të sjellin me datë 12 këngët më të mira popullore Elbasanase, si dhe hite personale të tyre.

Koncerti do të mbahet në sheshin kryesor të qytetit dhe do të shërbejë si preludi i festës.

Ndërsa mbrëmja e 13 marsit njihet si mbrëmja kur njerëzit dalin grupe-grupe në rrugët kryesore.

Poni, Maja, Endri dhe Stefi Prifti, Silva Gumbardhi, Eranda Libohova, Shkelzen Jetishi, Vedat Ademi, Noizy, Altin Goci dhe këngëtarë të tjerë që pëlqehen vecanërisht nga rinia pritet të ndezin atmosferën në qytetin e ballokumeve.

Koncerti është i hapur për të gjithë banorët dhe do të vazhdojë deri në orët e para të mëngjesit.

Aktivitetet masive janë rezervuar për ditën e 14 marsit. Maratona e shkollave të mesme cel programin, për të vazhduar me karnavalet dhe panairin e madh që do të organizohet në qendër të Elbasanit.

Aty kushdo do të ketë mundësi të kundrojë veshjet karakteristike të zonave të ndryshme. Gatime tradicionale do të shërbehen për të gjithë të pranishmit. Informacion nga pikat turistike të Shqipërisë do të shoqërojnë të pranishmit në bulevardin e qytetit.

Të gjithë përbërësit e kësaj feste janë planifikuar deri në detaje për të ofruar kënaqësi maksimale, me kontributin e Bashkisë Elbasan, AMC, Tring Digital dhe një banke private.

Tradita do të ndërthuret me modernen dhe të gjithë kemi rast të bëhemi pjesë aktive e festimeve, për të prekur nga afër ardhjen e pranverës.

Dita e Verës, si u kthye në një traditë festa e njohur pagane

Dita e Verës, ajo është një festë pagane, shumë më e hershme se krishtërimi. Në këtë ditë të shënuar, Elbasani mbledh miq nga e gjithë Shqipëria. Dhe kjo edhe për faktin se në këtë ditë të shënuar zhvillohen një sërë aktivitetesh të larm¬ishme, duke filluar që nga ekskursionet në natyrë dhe deri tek dreka e begatshme familjare, ku nuk mungon asnjë herë ballokumja, në përgatitjen e së cilës askush nuk mund t’ua kalojë amvisave elbasanase. Ballokumja ose “Syri i Pranverës”, ka derdhur në shije historinë e një qyteti të lashtë dhe si e tillë ka thyer ëmbëlsisht çdo lloj rregulli a ligji në rendje, deri në kontinentin e largët, Amerikë e Australi. 14 Marsi është kthyer tashmë një festë mbarëkombëtare për të gjithë shqiptarët, në të gjitha viset, festë që sjell gëzim dhe hare. Duke iu referuar Ditës së Verës, kësaj feste me një shije poetike të hollë e të rrallë, Konica këshillonte dhe uronte, më shumë se një shekull më parë: “Të mos i lëmë të humbasin këto festa të vjetra të racës sonë. Nuk i bëjnë dëm njeriu, veçse sjellin një gëzim të kulluar”.

e.t/NOA

Dita e Verës në Tiranë, gjithçka për festimet

KOMENTE