Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: Connection refused in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Gafurr Adili: Pse duhet të ribashkohemi ne shqiptarët
English

Gafurr Adili: Pse duhet të ribashkohemi ne shqiptarët

Nga Gafurr Adili

***

- Shqiptarët dhe trojet e tyre etnike duhet të ribashkohen për shumë arsye historike, politike, ekonomike dhe mbi të gjitha edhe për arsye morale..!

- “Trepça punon, Beogradi ndërton..!”

- Bisedimet Kosovë-Serbi, si bisedimet Palestinë-Izrael..!

- Një njëri i gjymtuar (sakat), pa gjymtyrët e trupit të tij, qoftë ajo edhe mungesa e një dore apo e një këmbe, nuk mundet as të zhvillohet dhe e ka shumë të vështirë edhe të mbijetojë..!

- Vetëm popullit shqiptar i është mohuar dhe vazhdon t'i mohohet e drejta për Vetëvendosje!

- Republika eShqipërisë një rast "sui generis" i të drejtës ndërkombëtare, sepse nga të gjitha anët e saj ajo kufizohet me popullin dhe trojet e veta etnike shqiptare..!

- Ka ardhur koha e fundit që të korrigjohet padrejtësia historike ndaj shqiptarëve !

***

Arsyet historiko-politike tanimë dihen nga të gjithë, jo vetëm nga ne shqiptarët, por edhe nga të huajt, sepse të gjithë ne e dimë se si trojet etnike të Shqipërisë, të katër vilajetëve: të Vilajetit të Kosovës, me kryeqendër Shkupin, të Vilajetit të Manastirit, të Vilajetit të Janinës dhe të Vilajetit të Shkodrës, u pushtuan dhe u kolonizuan nga pushtuesit sllavo-grekë, pushtim dhe aneksim që miratoi edhe Konferenca e Ambasadorëve të Londres .

Gjithashtu të gjithë, edhe ne shqiptarët dhe edhe të huajt, tanimë e dijmë se çfarë dhune dhe çfarë masakrash janë ushtruar, për gjatë gati një shekull, mbi popullin shqiptar të Vilajetit të Shkodrës, të Vilajetit të Kosovës dhe të Vilajetit të Manastirit, të njohur si shqiptarë ( kosovarë) të Kosovës, jo vetëm nga pushtuesit e kolonizatorët sllavë (serbë, malazezë dhe sllavo-maqedonas), por edhe nga pushtuesit e kolonizatorët grekë mbi shqiptarët e Vilajetit të Janinës, të njohur si shqiptarë (çamë) të Çamërisë, prandaj edhe as nuk e shoh të arsyeshme që, në këtë shkrim, t i përshkruaj të gjithë ato vrasje dhe masakra të ushtruara mbi popullin shqiptar, sepse tanimë historiografia shqiptare dhe ajo e huajë i ka pasqyruar në mijëra libra të autorëve shqiptarë dhe të huaj.

“Trepça punon, Beogradi ndërton !”

Tridhjetë vite më parë, në demostratat e “Pranverës së Kuqe”, siç Dëshmori Nuhi Berisha i ka quajtur demonstratat e mars-prillit të vitit 1981, pjesëmarrës aktive i të cilave isha edhe unë, rinia heroike (studentore) e Prishtinës, krahas shumë parullave të tjera hodhi edhe parullën “Trepça punon, Beogradi ndërton!”, parullë kjo që kundërshtonte shfrytëzimin kolonial të Kosovës nga Serbia dhe bandat e saj kriminale.

Republika e Kosovës, ashtu si nëna e saj, Republika e Shqipërisë, vazhdon të rënkojë nga varfëria dhe mjerimi, sepse krahinat e saj: Kosova Lindore (Preshava, Medvegja dhe Bujanoci) dhe Kosova Veriore (SANXHAKU), si dhe Kosova Veri-Lindore (TOPLICA) vazhdojnë të mbahen të pushtuara e të kolonizuara nga Serbia, ashtu siç Shqipëria Veriore (Ulqini, Tivari, Tuzi, Plava dhe Gucia), Shqipëria Lindore (Shkupi, Komanova, Tetova, Gostivari, Kërçova, Dibra, Struga, Prespa, Manastiri, Përlepi dhe Velesi), që mbahen të pushtuara e të kolonizuara nga pushtuesit malazezë dhe sllavo-maqedonas, po ashtu mbahet e pushtuar dhe e kolonizuar edhe Shqipëria Jugore (Çamëria) nga pushtuesit e kolonizatorët greke te Greqisë "Evropiane".

Pasuritë mbitokësore e nëntokësore të këtyre krahinave të Shqipërisë Etnike nuk shfrytëzohen as nga Tirana dhe as nga Prishtina, por ato edhe sot e kësaj dite, në Shekullin XXI, vazhdojnë të shfrytëzohen nga Beogradi, nga Podgorica, nga Shkupi (Skopje sllavo-maqedonas) dhe edhe nga Athina.

Një njëri i gjymtuar (sakat), pa gjymtyrët e trupit të tij, qoftë ajo edhe mungesa e një dore apo e një këmbe, nuk mundet as të zhvillohet dhe e ka shumë të vështirë edhe të mbijetojë.

Vetëm Shqipëria jonë e rrudhosur dhe e sakatosur ka mundur të mbijetojë, dhe kjo është arritur vetëm falë vitalitetit dhe vendosmërisë së popullit shqiptar për të mbijetuar.

Shqipëria e Rrudhosur (Shqipëria Londineze) dhe as krahinat e saj, ndër të cilat është edhe Kosova, nuk kanë mundur të zhvillohen ekonomikisht për shumë arsye, por më kryesorja ka qenë se, pasuritë e tyre nëntokësore i kanë shfrytëzuar pushtuesit sllavo-greke të Shqipërisë.

Pavarësia ekonomike e çdo individi apo shteti ka qenë dhe mbetet përcaktimi kryesor i pavarësisë politike të çdo individi apo të çdo shteti, prandaj nëse vërtetë ne shqiptaret dëshirojmë që të integrohemi në familjen evropiane me integritet kombëtar këtë do të mundemi ta arrijmë vetëm duke u ribashkuar në një komb-shtet të vetëm, në një Shqipëri të Ribashkuar prej 78 kilometër katroresh dhe me popullsi të përafërt sa kanë edhe fqinjët tanë, Greqia, Bullgaria dhe Serbia. Republika e Shqipërisë (Shqipëria e Rrudhosur) është një rast “sui generis”, sepse nga të gjitha anët e saj ajo kufizohet vetëm me trojet e saj etnike dhe me popullin e saj shqiptar.

Bisedimet Kosovë-Serbi, si bisedimet Palestinë-Izrael...!

Në tetor të vitit të vitit të kaluar (2010) pata deklaruar: "Kosova Palestina e Re e Ballkanit" dhe tash po rideklaroj edhe: "Bisedimet Kosovë-Serbi, si bisedimet Palestinë-Izrael..!", dhe po vazhdoj, si më poshtë vijon:

- Bisedimet e filluara në Bruksel, për gjoja bisedime teknike, midis delegacionit të nivelit më të lartë të Kosovës, të kryesuara nga Zv. Kryeministrja e Hashim Thacit, Edita Tahiri, dhe delegacionit shumë të ulët të Serbisë së Zotit Boris Tadic, është edhe një dëshmi tjetër e radhës se, bashkësia ndërkombëtare (OKB, BE dhe SHBA) vazhdojnë që Kosovën ta trajtojnë si Palestinën, që ashtu si Palestina dhe Izraeli, që për dekada të tëra kanë zhvilluar bisedime, edhe "teknike", në pambarim, por që gjithashtu, ashtu si Izraeli që asnjëherë nuk e ka njohur dhe as nuk e njeh Palestinën si shtet të pavarur e sovran, ashtu si Serbia që nuk e ka njohur dhe as nuk e ka në plan që ta njohë Kosovën shtet të pavarur e sovran, por përkundrazi, në Preambulën e Kushtetutës së saj "Kosova e Metohija", si e ka quajtur dhe vazhdon ta quajë Serbia Kosovën, sanksionohet si pjesë territoriale dhe integrale e Serbisë.

Pra, bisedimet Kosovë-Serbi, që do të zgjasin pafundësisht, si kanë zgjatur dhe ende po zgjasin edhe bisedimet Palestinë-Izrael, dhe nga këto bisedime do të përfitojë vetëm Serbia dhe jo Kosova, e cila vetëm do të humbasë shumë nga këto bisedime të ashtuquajtura "teknike", por që në fakt kanë qenë, janë dhe do të jenë bisedime edhe politike, ashtu si gjithmonë që ka përfituar Izraeli nga të gjitha bisedimet e zhvilluara me Palestinën.

Prandaj, edhe forcat patriotike shqiptare, të përfaqësuara në Kuvendin e "Republikës" së Kosovës, Lëvizja për Bashkim dhe Lëvizja Vetëvendosje!, me të drejtë i kundërshtuan bisedimet Kosovë-Serbi, prandaj ky veprim kombëtar i LB-së dhe LV! duhet të përkrahet nga të gjithë patriotët shqiptarë kudo që ata ndodhen, në trojet etnike të Shqipërisë Historike apo në mërgim.

Gjithashtu, edhe përpjekjet e qarqeve antishqiptare sllavo-greke dhe të aleatëve të tyre që, edhe Republikën e Shqipërisë, ashtu si "Republikën" e Kosovës, ta shndërrojnë në një shtet multietnik, ne e kemi shfaqur si një rrezik permanent dhe e kemi bërë publik që në vitin 2007, përmes shkrimit: "Gjaku i shqiptarit 300 euro!", të publikuar te Revista "KUVENDI", Revistë e Këshillit Organizativ të Kuvendit Mbarëkombëtar, sepse ne kishim informacione të detajuara se, Greqia me borxhet që ajo merrte nga Bashkimi Evropian ndante pensione për qytetarët në Jug të Republikës së Shqipërisë.

Përgëzimet tona shkojnë te Nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë (KLD), atdhetari Kreshnik Spahiu dhe te të gjitha shoqatat patriotike, ndër të cilat është edhe "Aleanca Kuq e Zi", në Republikën e Shqipërisë për të parandaluar regjistrimin e popullsisë mbi baza fetare dhe etnike, si dhe edhe për të abroguar Ligjin (antishqiptar) për regjistrimin e popullsisë në Republikën e Shqipërisë.

Pra, për sa kohë ne shqiptarët nuk jemi të ribashkuar në një komb-shtet të vetëm shqiptar, Republika e Shqipërisë do të jetë e rrezikuar nga Greqia, kurse Kosova nga Serbia dhe shqiptarët nën IRJM, nën Mal të Zi dhe nën Serbi do të vriten sikur të jenë shalqinj në fushat e bostanit të Serbisë, Malit të Zi dhe "Maqedonisë".

Edhe ne shqiptarët, më në fund, duhet të fillojmë të zbatojmë devizën sllavo-greke: "Sulmi është mbrojtja më e mirë!" të cilën historikisht e kanë zbatuar dhe vazhdojnë ta zbatojnë sllavo-grekët kundrejt ne shqiptarëve.

Kam deklaruar dhe rideklaroj se as Shqipëria nuk mundet të mbrohet në Himarë, por ajo mbrohet në Çamëri, dhe as Kosova nuk mbrohet në Mitrovicë, por edhe ajo mbrohet vetëm në Kosovën Lindore (Preshevë, Medvegjë dhe Bujanocin), në Krahinën e Sanxhakut dhe edhe në Krahinën e Toplicës.

Ka ardhur koha e fundit që të korrigjohet padrejtësia historike ndaj shqiptarëve !

Prandaj, le të punojmë bashkërisht për ribashkimin kombëtar shqiptar të Shqipërisë Historike, sepse vetëm atëherë me Greqinë, me Bullgarinë dhe me Serbinë ne shqiptarët do të jemi të barabartë dhe do të mundemi kundër tyre edhe të zbatojmë bashkëpunimin mbi parimin e reciprocitetit, edhe për pakicat kombëtare brenda Shqipërisë Etnike, të Bullgarisë Etnike, të Greqisë Etnike (Arvanitasve në Athinë) dhe edhe të mbi 200 mijë shqiptarëve në Beograd të Serbisë Etnike.

Tiranë më 12 mars 2011, (në 30 vjetorin e demonstratave të mars-prillit 1981)

KOMENTE