Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: Connection refused in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Mes Kosovës dhe Gjermanisë
English

Mes Kosovës dhe Gjermanisë

Berlin, 12 Mars 2011 NOA/DW/ Anila Shuka - 13 nxënës të gjimnazit Loyola në Prizren do të bëjnë gjatë prillit praktika në kompani gjermane. Më pas ata vendosin për të vazhduar aty një shkollë profesionalizimi. Projekti ka një shembull të suksesshëm Arian Shalën

Kur më 16 prill në Prizren do të festohet gjashtëvjetori i themelimit të gjimnazit Loyola, 13 nxënës nuk do të jenë të pranishëm. Ata janë në Gjermani për një praktikë dyjavore nëpër firma të ndryshme gjermane. Dhe në varësi të rezultatit të praktikës, nxënësve do t'u jepet mundësia që mbas maturës të fillojnë një shkollim profesional në këtë kompani. Të 13 gjimnazistët kanë një paraardhës, që u shërben si shembull orientimi: Arian Shala, pa të cilin ky program do të kishte mbetur pa u realizuar.

"S'kam pasur ende një ditë, ku t'i thosha vetes, sot e kam pushim", thotë Arian Shala. Vetëm gjatë pushimeve të verës, kur shkon në Kosovë, 20-vjeçari nuk i hap më librat. “Këtë punë mund ta kryej gjithkush, por është shumë e madhe”, thotë ai, kur e pyet se si e përballon ngarkesën e studimit të dyfishtë. Arian Shala është duke bërë një kurs profesionalizimi tre vjeçar në kompaninë Haver & Boecker në qytetin gjermano-lindor Ëlde/Vestfalen. Paralelisht shkon në shkollën e lartë profesionale “Suedwestfalen”. Dega e tij mekatronikë, ku hyn mekanika, elektroteknika dhe informatika, kërkon më shumë se veç t'i hedhësh një sy lëndës. Por ish-nxënësi i gjimnazit Loyola ishte i përgatitur të bënte çdo sakrificë për të realizuar ëndrrën e tij të fëmijërisë. Kur në verë të vitit 2008 dëgjoi se po kërkoheshin katër praktikantë për Gjermani, ai ishte i pari që konkurroi.

Profesion a studim pa të ardhme? "I pari dhe i vetmi, që ishte i gatshëm të lyente duart në një praktikë”, kujton dhe komenton At Walter Happel. Prifti jezuit është themelues dhe drejtor i gjimnazit Loyola në Prizren. Shkolla e mesme e përgjithshme më 16 prill do të festojë gjashtë-vjetorin e themelimit. Mbi 70 nxënës dalin prej andej çdo vit në Kosovë, disa studiojnë në Gjermani, ndokush në Shkup a Stamboll, por shumica janë në Kosovë: “Shumica e maturantëve tanë duan të studiojnë menjëherë mbas shkollës. Por shumë prej tyre nuk mendojnë se çfarë do të bëjnë me atë degë", thotë Happel. Edhe kaq shumë historianë e gjeografë nuk na duhen. Happel është për t'u dhënë nxënësve një profesion, me të cilin ata i kanë shanset shumë të mëdha për të gjetur punë. Sistemi dual gjerman, ku teoria në shkollë dhe praktika në punë bëhen paralelisht dhe të koordinuara, është më i përshtatshmi për këtë qëllim. Kështu edhe Arian Shala, pesë ditë në javë i kalon duke punuar në kompani, ndërsa leksionet për shkollën i ka të shtunave. Puna në kompani përfshin edhe një sërë kursesh kualifikimi. I gjithë procesi zgjat tre vjet dhe në fund Ariani i ka të dyja në xhep: Edhe diplomën e zanatit si mekanik, edhe bachelor si inxhinier mekanik.

Dy javë provë

Këtë shembull duan ta ndjekin tani 13 nxënësit, që do të vijnë më 17 prill në Gjermani. Disa prej tyre i kanë zgjedhur vetë drejtimet: mekanikë, inxhinieri, ekonomi, të tjerët ende nuk e kanë vendosur se çfarë do të bëjnë. Ata do të kenë kohë dy javë, që të njihen me kompaninë, ambientin, qytetin, por edhe shefat e kuadrit në këtë kohë do të shohin se çfarë do të bëjnë: “Ata duhet të jenë të motivuar, të kenë interes për lëndën dhe të dinë mirë gjermanishten”, shpjegon drejtori i departamentit të shkollimit në Haver & Boecker, Alfons Tentrup. Tentrup dhe përfaqësues të kompanive të tjera ishin vetë vitin e kaluar në Kosovë dhe biseduan me nxënësit, që do të vijnë të vizitojnë firmën e tij. Nisur nga shembulli i mirë i Arian Shalës këtë vit konkurruan 20 nxënës për t'u përfshirë në program. Por disa u skualifikuan për shkak të mangësive në njohuritë e gjuhës: “Nuk mjafton të jesh nxënës në gjimnazin Loyola, duhet të kesh dhënë edhe diplomën e vogël të gjermanishtes dhe kjo kërkon përgatitje sistematike në mësim”, thotë Happel. Shembull inkurajues Ndërkohë edhe ambasadori i Kosovës në Gjermani, Vilson Mirdita, ka filluar të inkuadrohet në procesin e rekrutimit të firmave. “Ne tani jemi duke bërë bisedime me Daimler”, i thotë Mirdita Deutsche Welles. “Arian Shala është për mua si ambasador, një shembull shumë i mirë për të inkurajuar kompanitë e tjera të rekrutojnë praktikantë nga Kosova”. Mirdita shpreson që tani edhe praktikantët e rinj ta shfrytëzojnë sa më mirë këtë shans, në mënyrë që vitet e ardhshme kontingjenti të jetë edhe më i madh. “Ka shumë kompani të gatshme, por na duhen shembuj pozitivë, si ky i Arian Shalës”, thotë Mirdita. Alfons Tentrup shpreson që këta të rinj dikur të shërbejnë si ura ndërlidhëse mes firmës, ku ai punon dhe Kosovës. “Ne prodhojmë makineri industriale dhe merremi me përpunimin e telit. Nuk është çudi, që dikur Arian Shala të na përfaqësojë në Kosovë”. Edhe Ariani vetë pyetjes se ku e sheh veten në të ardhmen në Kosovë, apo në Gjermani, mbas një farë ngurrimi të vogël i përgjigjet: “Ma së miri, në mes të të dyjave.”

KOMENTE