Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: Connection refused in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Thaçi: Dialogu Kosovë-Serbi s’do cekë kurrë statusin
English

Thaçi: Dialogu Kosovë-Serbi s’do cekë kurrë statusin

Prishtinë, 13 mars 2011, NOA Update – “Dialogu për çështje teknike mes Kosovës dhe Serbisë ka filluar mbarë. Ky dialog do të përmbyllet me njohjen reciproke të Kosovës për Serbinë, dhe të Serbisë për Kosovën, si dy shtete të pavarura”. Kështu deklaroi sot nga aeroporti “Adem Jashari” i Prishtinës kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, pak përpara nisjes për në Turqi, ku ai do të marrë pjesë në samitin e Liderëve të Ndryshimeve Globale, ku do të diskutohet për ndryshimet politike, ekonomike dhe sociale. Kryeministri i Kosovës i pyetur nëse do të ndikojnë bisedimet me Serbinë në procesin e njohjeve të Kosovës-shtet, u përgjigj se “ Dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit do të përmbyllet me integrimin e Republikës së Kosovës dhe Serbisë në NATO dhe Bashkim Evropian. Dhe, përfundimisht do të përmbyllet kapitulli i konflikteve në rajonin tonë, do të ketë paqë, stabilitet, bashkëpunim rajonal dhe frymë euro-atlantike”, theksoi shefi i qeverisë së Kosovës.

Pyetje: Zoti kryeministër, dje zëvendëskryeministrja që ka udhëhequr delegacionin e Kosovës në dialogun teknik në Bruksel, ka deklaruar se Serbia nuk po e ndryshon mentalitetin e saj në raport me Kosovën. A konsideroni se ia vlen të bisedohet me Serbinë, kur qasja e saj mbetet e vjetër?

Kryeministri Thaçi: Dialogu Kosovë-Serbi është agjendë euroatlantike, është agjendë evropiane, për Kosovën evropiane. Ne kemi interesat tona. Natyrisht, ne duam që edhe Serbia të fillojë të ndryshojë për njohjen e realitetit në Kosovë. Por, sa i përket vendimeve të Serbisë, ata vendosin vetë, ndërsa ne e kemi agjendën tonë, ne e ruajmë dhe do ta fuqizojmë agjendën euro-atlantike për Kosovën.

Pyetje: Zoti kryeministër, pikërisht do të ndalem tek çështja e bisedimeve: a do të prodhojnë këto bisedime status special për veriun e Kosovës?

Kryeministri Thaçi: Integriteti territorial i Kosovës është i paprekshëm, është i njohur ndërkombëtarisht. Kosova është një, unike dhe për rregullimin tonë të brendshëm vendosim ne, në përputhshmëri me Kushtetutën dhe ligjet tona.

Pyetje: A do të insistoni që edhe Lugina e Preshevës të përfshihet në bisedime, në rast se Serbia kërkon një status special për veriun?

Kryeministri Thaçi: Nuk do të ketë status special, e ritheksoj edhe njëherë: për rregullimin e brendshëm të Kosovës vendosim ne, në përputhshmëri me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Dhe, nuk do të vijnë në shprehje në asnjë rrethanë ide të tilla. E kam theksuar më herët, e ritheksoj edhe sot, nuk do të jetë temë kjo kurrë.

Kryeministri i Kosovës bëri me dije për gazetarët se gjatë samitit do të ketë edhe takime bilaterale me kryeministra dhe presidentë të shteteve të ndryshme të botës.

“Këto çështje që do të diskutohen do të prekin ndryshimet në tërë botën, që kanë ndikim të drejtpërdrejtë edhe në rajonin tonë, edhe në Republikën e Kosovës. Unë do të prezantoj arritjet e konsolidimit dhe të forcimit të shtetit tonë. Në të njëjtën kohë, do të jetë një mundësi e mirë dhe e re edhe për komunikim bilateral me liderë të tjerë botërorë, në mënyrë që të kemi edhe njohje tjera për Republikën e Kosovës”, tha kryeministri Thaçi. Ai nënvizoi se do të ketë edhe një takim me kryeministrin e Turqisë, Taip Erdogan, i cili edhe e ka ftuar në këtë samit botëror, me të cilin do të diskutojë për thellimin e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Turqisë, si partnerë të besueshëm e strategjikë.

Pyetje: Një nga agjencitë informative në internet, “Qendra.info” ka publikuar një plan, sipas të cilit disa organizata joqeveritare, përgjithësisht shoqëria civile dhe mediat kanë hartuar një plan për rrëzimin e qeverisë që ju drejtoni dhe njëkohësisht edhe presidentit Pacolli. Nëse jeni në dijeni për këtë, si e komentoni? Kryeministri Thaçi: Unë nuk jam në dijeni, por jam në favor të kultivimit të ideve, projekteve, alternativave dhe fuqizimit të institucioneve legjitime të Kosovës, prandaj qytetarët i kanë zgjedhur institucionet me vullnetin e tyre, edhe qeverinë, edhe të gjitha institucionet. Natyrisht, edhe partitë opozitare. Vullneti i qytetarëve duhet të respektohet nga të gjithë, prandaj duhet të respektohet legjitimiteti dhe assesi të pretendojë ndokush përmes dhunës të uzurpojë apo të marrë pushtet. Diçka të tillë nuk pranon populli i Kosovës dhe as bota demokratike.

Unë jam shumë mirënjohës për debatet mbështetëse për procesin e dialogut edhe nga partitë opozitare, por në të njëjtën kohë edhe nga shumë mekanizma të shoqërisë civile. Natyrisht, demokracia ka rregullat e veta të pjesëmarrjes në proces dhe besimit nga elektorati, nga qytetarët dhe jo i rrënimit apo pretendimit të dhunës ndaj institucioneve. Diçka të tillë qytetari i Kosovës nuk ka pranuar kurrë dhe nuk do ta pranojë edhe në të ardhmen, nuk do ta pranojë as bota demokratike, as Shtetet e Bashkuara të Amerikës, as Bashkimi Evropian. Nuk është mirë që shembuj të përcjellë në vendet përreth Kosovës, të barten në Prishtinë. Dhe, diçka të tillë jam i bindur që qytetarët e Kosovës nuk do të lejojnë të ndodhë.

Pyetje: Zoti kryeministër, i frikësoheni mundësive të tilla?

Kryeministri Thaçi: Unë si kryeministër e kryej agjendën time, një agjendë e cila është shumë e qartë, shumë rezultative, një agjendë që përputhet drejtpërdrejtë me respektimin e vullnetit të qytetarëve të Kosovës, një agjendë që buron prej vizionit që e kemi prezantuar para qytetarëve, që e kemi fituar edhe besimin e tyre. Prandaj, unë jam shumë optimist dhe shumë i sigurt në agjendën time për ta implementuar.

Tanimë ne sapo e kaluam buxhetin në qeveri, me rritjen e pagave për të gjitha kategoritë, të prezantuar më herët, për punëtorët e arsimit, për policët, për shërbyesit civilë, për zjarrfikësit, për minatorët, për punëtorët e shëndetësisë dhe kategoritë tjera të shoqërisë kosovare.

Diçka e tillë po ndodh për herë të parë në Kosovë, rritje e pagave deri në 50%, kur në shumicën e vendeve të Evropës, por edhe në vendet përreth janë duke u ulur pagat. Tash mbetet që Kuvendi i Republikës së Kosovës ta aprovojë buxhetin. Unë kam besim të plotë që rritja e pagave dhe ky buxhet do të ofrojë edhe më tepër politikën kosovare, në mënyrë që secili t’i kemi interesat e qytetarëve, mbi interesat tona partiake.

mit/NOA

KOMENTE