Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: Connection refused in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Tirana, jo pengu i kryebashkiakut Rama
English

Tirana, jo pengu i kryebashkiakut Rama

Tiranë, 13 mars 2011, NOA – Kemi gjetur gjithë kohës refuzim nga bashkia. Ne nuk mund ta mbajmë Tiranën peng të interesave individuale të kryetarit të bashkisë. Ne jemi të vendosur dhe do të vazhdojmë projektet tona infrastrukturore për ta çliruar Tiranën nga makthi që i ka krijuar kryetari 10-vjeçar i Bashkisë së Tiranës....

Nga Sokol Olldashi

Jam përpara jush për të sqaruar disa nga shqetësimet e ngritura së fundi nga opozita dhe që kanë të bëjnë me projektin e Unazës së madhe të Tiranës.

Së pari, meqenëse objekti nuk është inaguruar ende, do doja t’ju njoftoja që ne kemi filluar punimet në segmentin e Unazës së Madhe të Tiranës, duke mbajtur kështu një premtim të hershëm të kësaj qeverie, duke i dhënë kryeqytetit projektin më të rëndësishëm infrastukturorë, që është Unaza e Madhe e Tiranës.

Pas tratativave më shumë se dyveçare me bashkinë për të ndërmarrë një projekt të përbashkët, duke qenë se bashkia nuk kishte kapacitet financiare për ta bërë vetë, dhe pasi jemi treguar deri në fund disponibël për të bashkëpunuar, duke gjetur gjithmonë si përgjigje refuzimin e bashkisë, sikurse ju kemi njoftuar në kohë kemi marrë nisjen e projektin te Unazës së Madhe ku tashmë kemi filluar punimet në lotin, nga fundi i rrugës “Komunës së Parisit” deri tek kryqëzimi me rrugën e “Elbasanit”.

Sapo ne kemi nisur punimet nga Bashkia e Tiranës ka ardhur një reagim krejt i çuditshëm, një pseudo shqetësim që lidhet me kopshtin botanik të Tiranës.

Unë do të doja fillimisht t’ju sqaroja që ne kemi bërë çdo përpjekje për të mbrojtur çdo centimetër që i përket kopshtit Botanik dhe që në të gjithë fazën, që nis që nga hartimi projektit dhe deri në zbatimin e tij, jemi në bashkëpunim të përditshëm me autoritetet shkencore të kopshtit, Fakultetit të Shkencave të Natyrës dhe Universitetit të Tiranës.

Mgjithatë më duhet të shpjegoj disa detaje në hartë që të jetë e qartë për gjithësecilin që kemi të bëjmë vetëm me një përpjekje spekullative dhe të paturpshme të Bashkisë së Tiranës dhe të Partisë Socialiste për të goditur për synime politike këtë projekt që është madhorë për infrastrukturën e qytetit.

Nëqoftëse i referohemi hartës së projektit të unazës, territori që preket nga Kopshti Botanik duke përfshirë edhe rrethrrotullimin është përgjithësisht vijë lineare prej 10 m në të gjithë gjatësinë e Kopshtit Botanik, duke përjashtuar rrethrrotullimin, i cili do një territor pak më të madh.

Nëse i referohemi projektit të bashkisë, ka patur një pretendim nga përfaqësuesit e bashkisë socialiste apo të partisë së bashkisë, që ka ndryshime në projekt dhe nuk ka asnjë ndryshim në gjurmë, gjurma jonë dhe gjurma e bashkisë është identike, (sikurse mund ta shikoni në hartë)

Gënjeshtra e parë është që ka ndryshim projekti. Nuk ka asnjë ndryshim projekti ynë nga projekti i bashkisë në gjurmë, gjurma është e njëjtë.

Edhe në rast se bashkia do ta kishte nisur vetë projektin do të ishte domosdoshmërisht e detyruar të prekte kopshtin botanik. Pse? Nëqoftëse do shohim hartën e Planit Rregullues të Tiranës, i miratuar nga qeveria Çarçani në vitin 1989, gjurma e unazës në territorin e atëhershëm të Tiranës shkonte më thellë në kopshtin botanik, pra spostohej në drejtim të thellësisë së territorit në një rrugë ekzistuese të vetë kopshtit, duke e ndarë pothuajse përgjysëm kopshtin botanik të Tiranës.

Kjo pra ka qenë gjurma e miratuar në kohën e qeverisë Çarçani, plani rregullues i Tiranës, në vitin 1989, plan i cili vazhdon juridikisht të jetë në fuqi, për sa kohë që Tirana nuk ka një plan të përgjithshëm të miratuar.

Në bazë të planit të qeverisë Çarçani, parashikohej që Unaza duhet të kalonte mes përmes të kopshtit. Ajo ç’farë ne kemi ndryshuar është pikërisht kjo gjë, duke bërë të mundur daljen në skaj të kopshtit, duke prekur minimumin e mundshëm të territorit të gjelbër të kopshtit Botanik, pa prekur ambjentet e serave dhe të fidanishtes që janë dhe pjesa e parë e Kopshtit Botanik.

Pse ka një devijim nga plani rregullues i Çarçanit? Kjo është pyetja më thelbësore që duhet bërë dhe duhet gjetur përgjegjësit.

Ka një devijim sepse ky territor është ndërtuar me blloqe pallatesh të ndërtuara me leje të dhëna nga Bashkia e Tiranës.

Ka pasur dhe një pretendim tjetër se gjoja është komuna Farkë përgjegjëse për ndërtimet. Në fakt nëqoftëse verifikojmë lejet që prekin gjurmën e unazës, janë të gjitha të miratuara nga Këshilli i Qarkut në vitet 2002, 2003 dhe Këshilli i Qarkut drejtohej nga Partia Socialiste. Të gjitha mbajnë firmën e Elidiana Canaj, atëkohë kryetare e Qarkut të Tiranës, si përfaqësuese e Partisë së zotit Rama.

Lejet e dhëna nga Bashkia Socialiste, nga vetë Rama, dhe Këshilli i Qarkut i Partisë Socialiste, e bëjnë kalimin e Unazës pikërisht në këtë korridor, sepse ky korridor është i vetmi që mbetet tashmë disponibël.

Nuk ka asnjë territor tjetër që nuk do të shkaktonte një masakër mbi ndërtesa, mbi pallate shumëkatëshe tashmë të ndërtuara. I vetmi korridor i mundshëm është pikërisht ky, dhe për këtë zoti Rama është përgjegjës edhe ligjërisht.

Në bazë të studimit të vitit 1989 ka qenë i detyruar që në një distancë 25 m nga aksi i parashikuar nga plani rregullues i Çarçanit të mos jepte asnjë leje ndërtimi. Janë blloqe të tëra pallatesh që mbajnë firmën e Ramës dhe kryetarit të Qarkut të Partisë Socialiste që e kanë bërë të pashmangshëm kalimin pikërisht në këtë korridor.

Ajo që ne kemi bërë në bashkëpunim me autoritet shkencore të kopshtit Botanik, të Fakultetit të Shkencave dhe të Universitetit të Tiranës është një modifikim i projektit për të shmangur qoftë edhe metrin e fundit të gjelbërimit që preket nga unaza.

Nëqoftëse do t’i referohemi hartës rimodeli konsiston në heqjen e kësaj pjese, e cila do të prekte territore nga kopshti Botanik si dhe kemi ndryshuar rrethrrotullimin, i cili do të zinte një sipërfaqe të madhe në territoret e brendshme të kopshtit.

Përfundimisht ajo që ne prekim është një distancë prej 10 m nga gardhi i kopshtit deri në brendësi të tij. Të vetmet objekte që preken janë dy objekte administrative të kopshtit Botanik, të cilët janë brenda vleftës së projektit dhe do të rindërtohen me kostot e Drejtorisë së Përgjithshmë të Rrugëve, pra me kosto të buxhetit të shtetit. Nuk preket asgjë tjetër në këtë projekt.

Ajo që po kundërshtohet nga bashkia nuk është në fakt prekja e gjelbërimit. Nëqoftëse Z. Rama do të kishte pasur qoftë edhe shqetësimin më minimal për gjelbërimin nuk do ta kishte katandisur Tiranën në kryeqytetin me sipërfaqe më të vogël të gjelbërimit për banorë në të gjithë kontinentin tonë dhe kjo në sajë të punës së Z. Rama, të atyre lejeve të ndërtimit të dhëna pa asnjë kriter, në zona ku nuk duhet të jepeshin leje ndërtimi.

Ajo që sot po kundërshtohet është pikërisht projekti i Unazës së Madhe, projekt, i cili e çliron Tiranën nga trafiku i rëndë i qendrës së qytetit.

Nëqoftese do t’i referohemi cilësisë së ajrit, që është problem kryesor mjedisor në Tiranë, sepse ajri është i ndotur disafish mbi ekstremin maksimal të lejuar, ky projekt e çliron Tiranën, sepse i gjithë trafiku i rëndë i tranzitit nga rrethet drejt Elbasanit, nuk do të kalojë më nga sheshi Skënderbej, por do të kalojë në Unazën e Madhe.

Nuk po kontribuojmë në dëmtimin e mjedisit, por po kontribuojmë për përmirësimin e mjedisit të kryeqytetit.

Problemi që ka Rama me këtë projekt është problem politik dhe jo problem infrastrukturor.

Për dy vjet e gjysmë me rradhë kemi negociuar me bashkinë, kemi ofruar çdo mundësi bashkëpunimi, kemi dhënë të gjitha garancitë financiare, që bashkia të hynte në negociata me BERZH-in.

Kur vetë BERZH-i konstatoi pamundësitë financiare të Bashkisë së Tiranës për të paguar mbrapsht kredinë, ne përsëri i kemi thënë për ta bërë bashkë se është një projekt që i duhet kryeqytetit, është një projekt që i duhet të gjithë Shqipërisë.

Është një aks nacional shumë i rëndësishëm në hartën e transportit rrugor të vendit, dhe ne ishim shumë të prirur të bashkëpunonim me Bashkinë e Tiranës, e cila ka një pjesë të territorit ku kalon unaza, sepse vetëm një pjesë e territorit ku kalon ky segment është i Bashkisë së Tiranës.

Kemi gjetur gjithë kohës refuzim nga bashkia. Ne nuk mund ta mbajmë Tiranën peng të interesave individuale të kryetarit të bashkisë. Ne jemi të vendosur dhe do të vazhdojmë projektet tona infrastrukturore për ta çliruar Tiranën nga makthi që i ka krijuar kryetari 10-vjeçar i Bashkisë së Tiranës.

*Fjala e plotë e ministrit të Punëve Publike Sokol Olldashi për Unazën e Madhe.

KOMENTE