English

Lufta kundër drogës, 7 mijë kg hashash në 2010

Tiranë, 16 mars, NOA – Vetëm gjatë vitit 2010 policia ka arritur të sekuestrojë rreth 7 mijë kilogramë hashash dhe të zbulojë 170 parcela ku kultivohej lënda narkotike. Shifrat janë bërë publike sot nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Hysni Burgaj në takimin vjetor për parandalimin e kultivimit të lëndëve narkotike.

“Gjatë vitit 2010 nga strukturat e Policisë së Shtetit janë evidentuar: 380 raste të kapjes së lëndës narkotike kanabis sativa, ku është sekuestruar 7304 kg hashash, për këto raste ndiqen penalisht 559 persona, prej të cilëve 415 janë arrestuar në flagrancë”, tha Burgaj. Kreu i policisë ka bërë publike dhe shifrat e personave ndaj të cilëve ka nisur ndjekja penale.

“Gjatë zbatimit të Plan Veprimit 2010 u konstatuan gjithsej 179 raste të kultivimit të bimëve narkotike kanabis sativa në gjithë territorin e vendit, ku janë zbuluar 60 raste dhe asgjësuar 37 216 bimë kanabis. Janë proceduar penalisht 79 autorë, nga të cilët janë arrestuar 52, ndiqen në gjendje të lirë 13 dhe janë shpallur në kërkim 14 prej tyre”, tha kreu i policisë shqiptare.

Burgaj përmendi si pjesë të suksesit edhe bashkëpunimin mes policisë së vendit tonë dhe homologeve të saja në rajon. Ai tha se janë zhvilluar 34 operacione të përbashkëta vetëm gjatë vitit që lamë pas.

“Është intensifikuar me tej bashkëpunimi ndërkombëtar ku gjatë vitit 2010 janë kryer 34 operacione ndërkombëtare ku janë arrestuar 62 persona në vendin tonë, e krahasuar me vitin 2009 kemi 12 operacione më shumë dhe 18 persona të arrestuar më shumë, gjë e cila tregon vendosmërinë dhe seriozitetin e këtij bashkëpunimi në raport me partneret tanë ndërkombëtare”, tha ai.

Nga ana tjetër, Burgaj ka raportuar edhe për rast kur punonjës të policisë janë implikuar në kultivimin, apo tregtimin e lëndëve narkotike.

“Janë evidentuar 14 raste për shkelje të rënda disiplinore për punonjësit e policisë, për të cilët filloi ecuria disiplinore me motivin “Mos informim për kultivimin e bimëve narkotike”. Nga ndjekja e ecurisë disiplinore për këta punonjës është arritur në këto përfundime: Përjashtim nga Policia e Shtetit 3 punonjës; dhënie mase disiplinore për shkelje të lehta për 4 punonjës edhe vazhdon ecuria disiplinore për 7 punonjës”, tha Burgaj.

a.k/NOA

KOMENTE