Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Shqipëria nuk është Egjipt
English

Shqipëria nuk është Egjipt

Shqipëria nuk është Egjipt. Shqipëria nuk është Tunizi. Shqipëria sigurisht nuk është as Libi. E pikërisht për këtë arsye shqiptarët meritojnë që të kenë një shoqëri dhe një qeveri ku ministri i brendshëm largohet pasi vret demonstruesit siç bëri Ministri i Brendshëm i Ben Aliut në Tunizi

Nga Edi Rama

E pata veçanërisht të vështirë sot për të gjetur fjalët për fjalën time. U bënë tre vjet nga dita kur 26 njerëz të zakonshëm të këtij vendi u vranë dhe kujtimi i asaj vrasje makabër, në duart e një shteti të vënë në dispozicion të pushtetit, për përfitimet e paligjshme të oborrit të Saliut, kumbon më shumë se çdo fjalë sot. Më shumë se çdo fjalë ai kujtim dhe këto tre vjet që kanë kaluar dhe të tjera vite që mund të kalojnë, flasin për padrejtësinë si themel i shtetit që Saliu dhe oborri i kusarëve të tij ka ngritur dhe kërkon ti blindojë, për ti sunduar pafundësisht shqiptarët. U vranë 26 njerëz të varfër, njerëz që shkonin çdo ditë për të bërë një punë të zezë. Njerëz që nuk figurojnë në asnjë regjistër të këtij shtetit, ashtu siç nuk figuronte askund ajo fabrikë që me shpërthimin e saj tronditi mbarë Shqipërinë e nxori nga nëntoka vullkanin e një korrupsioni që vazhdon ta gërryejë Shqipërinë dhe ti varfëroj shqiptarët.

Por shqiptarët vazhduan të vriten, ndërkohë që askush, as për vrasjen e tre viteve më parë e as për vrasjet e mëpasshme nuk ka dal, nuk është ndëshkuar përpara drejtësisë. U vranë deputetë, Fatmir Xhindi, miku dhe shoku ynë. Një shqiptar po aq i zakonshëm, një burrë i ndershëm, një përfaqësues i popullit në parlament që shkonte rregullisht në shtëpinë e tij në fshat për të punuar tokën. U vra dhe askush nuk di të thotë kush e vrau, pse e vrau! U vra më pas një tjetër përfaqësues i popullit, kryetari i komunës në Kukës, Remzi Veseli, i cili e përfaqësonte popullin opozitar në atë komunë dhe njihej për njeri i ndershëm, shqiptarë i zakonshëm, që dikujt diku, i kishte dal në mes të rrugës së punëve të pista. E përsëri askush nuk di të thotë kush e vrau, Remzi Veselin! Por gjithkush di të thotë kush i vrau katër shqiptarët e tjerë, njerëz të zakonshëm të varfër e të papunë të këtij vendi, në bulevardin “ Dëshmorët e Kombit” në 21 janar, sepse gjithkush e di që dora e cila u ngrit me forcën e zjarrit, ishte dora e regjimit të kusarisë, dora që vodhi zgjedhjet për të vjedhur Shqipërinë dhe vrau për të vazhduar të vjedh.

Motra dhe vëllezër, çfarë mund të themi sot përveçse të rinënvizojmë, me këmbëngulje dhe me bindje, se ne jemi e vetmja rrugë për Shqipërinë e shqiptarët, rruga që i nxjerr nga sundimi i oborrit të kusarisë dhe i çliron nga dhuna e varfërisë, e papunësisë dhe e padrejtësisë. Tre vjet më parë në këtë vend të gjithë shqiptarët së bashku, këtu të pranishëm fizikisht, apo përmes ekraneve, të pranishëm shpirtërisht e mendërisht, thanë i paharruar qoftë kujtimi i tyre. Më pas u ndamë nga vëllai ynë Fatmir Xhindi, thamë i paharruar qoftë kujtimi i tij. E më pas kur përcollën të ndjerin Remzi Veseli, përsëritëm, i paharruar qoftë kujtimi i tij. Dhe më pas akoma, e gjithë Shqipëria u derdh në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, për të thënë njëzëri: i paharruar qoftë kujtimi i atyre katër burrave, që varfëria i nxori në demonstratë dhe kusaria i vrau si demonstrues.

Sot unë s’mund të bëjë tjetër veçse të përpiqem t’ju them se çdo të thotë për ne që të mos harrojmë ata që humbën jetën këtu në Gërdec. Deputetin që humbi jetën në derën e shtëpisë. Kryetarin e komunës që humbi jetën në rrugën e shtëpisë. Katër të vrarët e 21 janarit, që humbën jetën në një rrugë për liri dhe drejtësi. Të mos harrojmë për ne do të thotë të vazhdojmë këtë betejë më të vendosur dhe më këmbëngulës se kurrë. Të mos harrojmë për ne do të thotë të mos zmbrapsemi asnjë milimetër dhe çast përball regjimit vrastar të atyre që vrasin dhe na thonë vrasës. Vjedhin dhe na thonë hajdutë. Gënjejnë dhe na thonë gënjeshtarë. Të mos harrojmë për ne do të thotë të shkojmë përpara më të bashkuar se kurrë, për të larguar nga pushteti Koalicionin e Turpit, që po i merr Shqipërisë frymën. Po i merr Shqipërisë trupin. Po i merr Shqipërisë fytyrën. Të mos harrojmë, sot më shumë se kurrë, për ne do të thotë që të mos lejojnë që të përsëriten tragjedi të tilla dhe ndërkohë të çlirojmë një milion shqiptarë nga tragjedia e përditshme dhe e heshtur e papunësisë. Të çlirojmë njerëzit e zakonshëm të këtij vendi nga tragjedia e përhershme dhe e heshtur e varfërisë. Do të thotë të çlirojmë fëmijët e këtij vendi, nga tragjedia gjithmonë e më e përhapur e të mos pasurit të një abetareje sepse edhe me abetare regjimi i kusarisë kërkon të nxjerr përfitime për oborrin e Saliut dhe të ministrave të tij. Të mos harrojmë do të thotë që të kujtohemi orë e çast në këtë rrugë të betejës sonë, se ka njerëz të cilët i bashkon fakti i thjeshtë dhe kumbues se u vranë nga padrejtësia.

Humbën jetën në një Shqipëri ku buka për shumë kënd hahet me lotët e varfërisë. Uji për shumë kënd vjen i ndotur bashkë me faturën e çmimin e tij që rritet sa herë vjen fatura. Ku drita mungon në rrugën e diturisë së fëmijëve, në dritaren e jetës të përherë e më shumë të reja e të rinjve, të cilët gënjehen sot siç u gënjyen shqiptarët dikur me lekët e piramidave, por këtë herë me letrat pa vlerë të diplomave që jepen me shumicë nga universitete fantazmë. Të mos harrojmë për ne do të thotë të jemi përditë e më këmbëngulës në rrugën e betejës sonë për të çliruar gjyshet dhe gjyshërit e fëmijëve tanë nga barra e papërballueshme e një jete, ku e kanë të pamundur të blejnë ilaçet sepse dhe me ilaçet e më të moshuarve regjimi i kusarisë nxjerr përfitimet e paligjshme për oborrin e Saliut dhe të ministrave të tij.

Motra dhe vëllezër, vetëm pak ditë më parë Shqipëria pa, Shqipëria dëgjoi një tjetër shpërthim korrupsioni nga nëntoka e këtij vendi. Pa sesi njëra prej pasurive më të mëdha të gjithë shqiptarëve, pasuri e falur nga Zoti që e deshi këtë vend të bukur, të pasur dhe të pastër, shfrytëzohet në rrugët e kontrabandës së hapur njësoj si Gërdeci, me dorën e shtetit të vënë në dispozicion të pushtetit. Rrugë e hapur ku s’ka shtet. Rrugë e hapur ku s’ka drejtori tatimesh e taksash. Rrugë e hapur ku s’ka doganë. Rrugë e hapur ku s’ka asnjë nënpunës të këtij shteti që të mund të pengojë pasurinë e shqiptarëve e cila të bëhet pasuri e kusarëve, duke ju bërë shqiptarëve dy herë keq. Njëherë kur ju vidhet nëntoka e tyre dhe njëherë tjetër kur ju futet në makinat e tyre, me një çmim më të lartë se kurdo tjetër, jo nafta që ata mendojnë se blejnë, por një lëndë shkatërruese dhe jo thjesht për makinën që mezi e kanë, por edhe natyrën, për ajrin, për mushkëritë e fëmijëve e më të moshuarve. E pra Shqipëria pa edhe njëherë për kushedi të satën herë sesi nëntoka, mbitoka, deti, ajri, gjithçka që është pasuri e përbashkët e shqiptarëve të grabitet nga regjimi i kusarëve që i vodhën votat pikërisht për të plaçkitur Shqipërinë dhe që vranë sepse duan të vazhdojnë të plaçkisin. Ndërkohë që sa më shumë plaçkisin aq më të pamundur e kanë ti kthehen jetës së lirë si qytetarë të këtij vendi, pasi nuk e dinë më se çfarë i pret duke sigurisht e kuptuar se drejtësia në këtë vend mund të vonojë, por nuk do të harrojë.

I kemi parë të gjithë, kryeministrin dhe ministrat me radhë, të përfshirë drejtpërdrejtë ose përmes familjarëve të tyre në historira të turpshme grabitjesh që lidhen jo vetëm më humbjen e pasurive tona të përbashkëta, por dhe shkatërrimin e një shteti i cili në Europë do të ishte i përbashkët, do ti shërbente qytetarëve, ndërkohë që është kthyer në një makineri për interesat e pushtetarëve. Në një makineri që ndihmon për të mbajtur pushtetin duke vjedhura votat dhe që pastaj ndihmon për të vazhduar të vjedhin duke i mbajtur pushtetin. Sot Shqipëria dhe shqiptarët i dinë të gjitha. Sot Shqipëria dhe shqiptarët kanë nevojë të vendosin drejtësinë. Sot Shqipëria dhe shqiptarët e kërkojnë drejtësinë si ujin e pakët në një shkretëtirë ku uji nuk duket dhe ka vetëm një rrugë për të shkuar drejt drejtësisë. Kjo është rruga e vendosur që ne kemi nisur, pa bërë asnjë hap mbrapa, por vetëm duke u bashkuar më shumë për të shkuar përpara.

Sot Shqipëria kërcënohet nga të tjera gjëma për shkak të bëmave të këtij pushteti, për fajin e Saliut dhe të oborrit të tij dhe për interesat e familjarëve, të shërbëtorëve dhe të klientëve të atij oborri. Sot Shqipëria kërcënohet të kthehet në vend hedhjen e plehrave të importuara nga jashtë e të ardhura këtu jo nga rruga e ligjit, por nga dora e mafies. Sot minierat e Shqipërisë të cilat po shkatërrohen nga abuzimi, nga babëzia, nga kusaria që kërkon të marrë gjithçka menjëherë, rrezikohen të mbushen me plehra, të kthehen në depozita plehrash toksike dhe jo toksike për ta helmuar njëherë e mirë këtë vend sepse ata që vodhën zgjedhjet për të vjedhur Shqipërinë nuk mund të ndalen në rrugën e tyre, por vetëm mund të zmbrapsen me fuqinë e bashkimit tonë.

Shqipëria nuk mund të rrijë nën dy flamuj. Edhe nën flamurin e NATO-s, edhe nën flamurin e korrupsionit që mbrohet me zjarrin e pushkëve të Gardës Republikane mbi qytetarët e pafajshëm. Ai zjarr kërkon përgjigje dhe përgjigja jonë është vendosmëria për të shkuar përpara dhe rivendosur demokracinë me fuqinë e bashkimit tonë të shprehur me votë. Vota kërkon çlirim dhe çlirimi i votës mund të ndodhë vetëm me fuqinë e bashkimit tonë të shprehur me rezistencë në çdo hap dhe në çdo çast. Kjo është një provë shumë e vështirë për këtë vend. Është një provë për të rimarrë vendin mbrapsht dhe për t’ja dhënë atë qytetarëve të tij. Kjo është një kohë për të marrë mbrapsht pronat e grabitura dhe për ti vënë në dispozicion të atyre që i kanë, të atyre që u takojnë, të atyre që duhet të përfitojnë. Këta janë qytetarët e këtij vendi, të cilët nuk kanë pse të shpronësohen de fakto nga një regjim, i cili po pronëson në mënyrë të pandalshme dhe me pasoja shkatërruese për ekonominë, vetveten, shërbëtorët dhe klientët e tij.

Shqiptarët kërkojnë mbrapsht të gjitha koncesionet e paligjshme. Të gjitha ato koncesione që janë bërë sikur të ndahej një byrek në një vakt dreke. Dhe e kanë copëtuar në mënyrë barbare pasurinë e përbashkët të shqiptarëve duke i çuar përfitimet në oborrin e kusarëve. Shqipëria kërkon sot mbrapsht të gjitha ato pasuri të grabitura me privatizime të korruptuara. E vetmja rrugë për Shqipërinë është rruga jonë. E vetmja rrugë për shqiptarët është rruga jonë.

Motra dhe vëllezër, tradhtia ndaj kësaj toke, ndaj këtij atdheu që është i yni, ndaj njerëzve të zakonshëm të këtij vendi, duhet të marrë fund. Që të marrë fund tradhtia duhet të vendoset drejtësia. Por nuk mund të ketë drejtësi në dyert e prokurorisë dhe gjykatave sidomos në një vend që qeveriset padrejtësisht. Në një vend ku padrejtësia është e ulur në tryezën e asaj që quhet qeveria e republikës së Shqipërisë, por që është në fakt vetëm regjimi i kusarisë dhe i ortakërisë me mafien dhe me krimin. Nuk mund të ketë drejtësi për këta 26 njerëz të shkretë që sot s’janë më. Nuk mund të ketë drejtësi për Fatmir Xhindin. Nuk mund të ketë drejtësi për Remzi Veselin. Nuk mund të ketë drejtësi për ata 4 burra që humbën jetën në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në rast se Shqipëria nuk do të fillojë të qeveriset me drejtësi e vetmja rrugë për të çuar drejtësinë në qeverisjen e Shqipërisë është rruga e Partisë Socialiste, është rruga e opozitës së bashkuar, është rruga popullit opozitar dhe e çdo shqiptari të ndershëm socialist apo demokrat.

Motra dhe vëllezër, e thashë qysh në fillim dhe dua ta them edhe tani në fund. Fjalët e duhura në këtë përvjetor të tretë i një tragjedie që kërkon drejtësi, ndeshet me murin e korrupsionit në çdo hap, janë shumë të vështira për tu gjetur. Por lejomëni vetëm t’ju tregoj, apo t’ju kujtoj, se në të gjithë atë lukuni kusarësh, matrapazësh dhe ortakësh, nga maja e qeverisë deri në llagëmet e sipërmarrjes kishte vetëm një qytetar amerikan, një sekser. I cili morri në shtetin e tij, në shtetin simbol të demokracisë dhe të drejtësisë, në shtetin ku kushdo është i barabartë përpara ligjit që nga presidenti i SHBA deri tek qytetari më i panjohur, një seancë dëgjimore në Kongresin Amerikan. Pastaj një gjyq në të gjitha shkallët. Morri dënimin që meritonte. Së fundmi është edhe subjekt për një film që do të bëhet lidhur me këtë ngjarje. Pra drejtësia bëri drejtësi dhe është vetëm një nga fajtorët për këtë tragjedi që sot është prapa hekurave, por ai nuk është këtu në Shqipëri, nuk është qytetar shqiptar, por është në shtetin e tij ku nuk të fal njeri, jo për kaq, por për shumë më pak se kaq. Ashtu sikundër nuk fal kush kërkund ministra të brendshëm që qëndrojnë pas goditjeve me pushkë të qytetarëve. Dhe pastaj dalin dhe sorollaten për të treguar forcën e pushtetarëve.

Shqipëria nuk është Egjipt. Shqipëria nuk është Tunizi. Shqipëria sigurisht nuk është as Libi. E pikërisht për këtë arsye shqiptarët meritojnë që të kenë një shoqëri dhe një qeveri ku ministri i brendshëm largohet pasi vret demonstruesit siç bëri Ministri i Brendshëm i Ben Aliut në Tunizi. Apo ku i pari i vendit nuk u thotë demonstruesve kokëpalarë, banditë, të droguar, të paguar siç bëri Muhamar Gadafi në Libi. Këto shqiptarët nuk i meritojnë, këto shqiptarët nuk kanë pse i provojnë, për këtë shqiptarët do vazhdojnë të luftojnë.

Së fundi duke përsëritur atë që na takon si Shqiptarë të mirë, ritin, le të mbajmë minutën e heshtjes dhe pastaj të largohemi të gjithë sëbashku duke u premtuar jo vetëm atyre që s’janë më, por edhe të gjithë atyre që sot kërcënohen në sigurinë e jetës së tyre dhe me dhunën e varfërisë dhe të papunësisë, se ne jemi këtu për ti dhënë këtij vendi mundësinë që të shkojë përpara. Për ti dhënë këtij vendi rrugën që i duhet për të shkuar përpara. Për ti dhënë këtij vendi energjinë që të ngrihet mbi dhuntitë e jashtëzakonshme të njerëzve të zakonshëm të këtij vendi.

* Fjala e Kryetarit të PS në protestën e Gërdecit

KOMENTE