Lajme > Lajme Ditore > Janar - Mars 2011 > Lajmet e datës 18 Mars 2011
 

Vrasja e dyfishtë në Shkodër, kapet në Tiranë Admir Tafilaj

Tiranë, 18 Mars 2011 NOA – Policia e Shkodrës në bashkëpunim me atë të Tiranës ka arritur të lokalizojë Admir Tafilaj dhe para pak minutash ka kryer arrestimin e tij pa rezistencë fizike.

Lajmin e konfirmojnë për agjencinë NOA, burime zyrtare nga policia e Tiranës.

Policia e Shkodrës, menjëherë pas vrasjes së dy vëllezërve Nikë dhe Gjovalin Pjetrushi, përkatësisht 42 dhe 25 vjeç, kishte shpallur në kërkim Admir Tafili (Tafilaj) dhe kishte kërkuar ndihmë nga Policia e Shtetit. Hetimet për vrasjen janë përqendruar në disa pista, por ajo më kryesorja ka të bëjë më një hakmarrje midis një të arratisuri nga burgu i Shën Kollit dhe ish-shefit të policisë kriminale në Shkodër.

Ndaj që pak minuta pas orës 07.10 të ditës së sotme kur ndodhi masakra, i dyshuari kryesor për vrasjen e dy vëllezërve Pjetrushi u identifikua Admir Tafilaj, i cili gjendet dhe në listën e shqiptarëve më të kërkuar nga Interpol, sikundër dalloni dhe në foton e mësiperme.

Emri i Admir Tafilaj në listën e të kërkuarve, për policinë dhe opinionin shkodran është mjaft i njohur, nga koha kur atij iu vra babai, Bari Tafilaj në gusht të vitit 2000, menjëherë pas vrasjes së ish-drejtorit të Policisë, Arben Zylyftari. Bari Tafilaj u akuzua bashkë me të birin Gencin, i cili aktualisht ndodhet në burg, si vrasës të Zylyftarit në një operacion policor. Kjo ngjarje u përcoll në opinion me mjaft mister dhe me mjaft dyshime, por përfundimisht gjykata dënoi pikërisht vëllezërit Tafili për vrasjen e Zylyftarit. Ishte ky momenti kur në opinion u lakua edhe emri i ish- shefit të Krimeve, Prel Pjetrushi, i akuzuar nga familja Tafili si shkaku i vrasjes së Bari Tafilit në Kiras të Shkodrës. Midis këtyre dy familjeve, pavarësisht nga ajo zhvillohej në dyert e drejtësisë, u vendos kodi i hakmarrjes. Djemtë e Tafilajve për policinë e Shkodrës tashmë kishin hyre në listën e atyre njerëzve që kërkonin të merrnin gjakun e babait të tyre tek familja Pjetrushi. Askush nuk e zbuloi deri në këtë moment se cili ishte pozicioni i Prel Pjetrushit në atë ngjarje të bujshme ku mbetën të vrarë drejtori i policisë, Arben Zylyftari dhe Bari Tafili, por vrasja e vëllezërve të tij e rikthen emrin e tij në skenë. Ndërkaq vetëm pak kohë më parë për shkak të sjelljes së mirë në qeli dhe justifikimit se shpesh ishte në gjendje jo të mirë shëndetësore, 41 vjeçari Admir Tafiaj, i burgosur ne Shënkoll të Lezhës përfitoi një tetë orë leje për të shkuar në shtëpinë e tij ku dhe bëri një arratisje spektakolare, për të cilën u ndëshkuan drejtues e shumë punonjës policie. Admir Tafili është arrestuar në vitin 2001 dhe akuzohet t’i ketë bërë pritë për qëllime hakmarrjeje ish-shefit të Malësisë së Madhe, Pjetër Petrushi. të cilin i pandehuri e akuzonte se i kishte vrarë të atin Bahri Tafilin. Përpara arrestimit në Shqipëri kishte kryer një arratisje po të bujshme edhe në shtetin zviceran ku po vuante dënimin për çështje droge. Pasi u arratis nga Zvicra, ai është kthyer në Shkodër duke përpiluar brenda një kohe të shkurtër planin e hakmarrjes nga ku në një pritë plagosi ish-shefin e Malësisë së Madhe. Në shkurt të 2009-ës, Tafili doli para gjykatës për të dëshmuar mbi një arratisje tjetër të bujshme atë të Burrelit ku duke prerë hekurat e burgut dy të dënuar të përjetshëm dolën nga sektori “B” i këtij burgu për t’u arrestuar orë më vonë. Në tetor të 2010-s, rreth pesë muaj më parë, ai arriti të ekzekutonte me sukses planin e tij për t’u arratisur nga burgu i Shënkollit. Aktualisht, ai është i lire dhe i shpallur në kërkim dy herë, për arratisje nga burgu dhe si person i dyshuar për vrasjen e vëllezërve Pjetrushi në Grudë të Shkodrës.

Shkruani KomentinKOMENTE
  • Nuk ka komente të paraqitur në këtë lajm. Jini i pari që shkruani këtë.