English

Nikolla: Protestë për listat e zgjedhësve, Basha po përgatit manipulimin e 8 majit

Tiranë, 20 mars 2011, NOA- Anëtarja e Kryesisë së Partisë Socialiste njëherësh kryetarja e minibashkisë nr.1 në Tiranë, Lindita Nikolla akuzoi ditën e sotme ministrin e Brendshëm Lulëzim Basha se po ndryshon listën e zgjedhësve duke shtuar banorë të rinj.

“Përmes kontratave fiktive të qerasë po shpërngulen banorë nga komuna dhe qytete të tjera dhe vazhdojnë të bëhen banorë të Tiranës, me pasojë votues në zgjedhjet e 8 majit në shkelje të plotë të Kodit Zgjedhor. Kjo është një tentativë e pastër e blerjes së votës. Për të ndaluar këtë proces antiligjor bëri thirrje Ambasadori i OSBE, por asgjë nuk ka ndryshuar”, është shprehur Nikolla.

Sipas saj Lulëzim Basha po blen votat dhe as atë deh as ministrat e tjerë nuk i ndalon asgjë që të detyrojnë edhe punonjësit e administratës publike për tu bërë me pahir votues të Tiranës në shkelje të plotë të ligjit.

Nikolla akuzoi edhe Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile e cila sipas saj po vazhdon shkeljen e ligjit duke lejuar që lëvizjet e popullsisë pas datës 8 mars të kenë ekfekt në listën e zgjedhësve.

Ajo shtoi se nën ndikimin e ministrit Basha, kjo drejtori nuk i ka dhënë Partisë Socialiste listat e përditësuara të zgjedhësve deri më datën 8 mars.

Më tej ajo tha se ka një numër të madh votuesish të dubluar duke theksuar se, ata që vodhën votën në 2009, e vranë për të vijuar të vjedhin, po përgatisin me të gjitha mënyrat manipulimin dhe vjedhjen e zgjedhjeve të 8 majit.

Ajo paralajmëroi protesta që nga dita e hënë, para Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile, në mënyrë qe kjo e fundit ti përgjigjet kërkesës së selisë rozë, për listat e përditësuara të zgjedhësve.

a.y/NOA

KOMENTE