English

Dritan Avllaj largohet pas mjekimit nga Spitali Ushtarak

Tiranë, 25 Mars 2011 NOA/ Ervin Tirana – Dritan Avllaj, i njohur si Tan Lepuri, u largua nga Spitali Ushtarak i Tiranës, sot në orën 02.15, bëjnë të ditur për agjencinë e lajmeve NOA, burime nga ky spital.

Mjekët e turnit, arritën t’i heqin pa komplikacione plumbin e vetëm 39 vjeçarit, i cili menjëherë më pas, është mjekuar dhe pasi i është fashuar plaga, ka lënë Spitalin Ushtarak të kryeqytetit, duke u larguar nga porta e pasme.

Ai i është drejtuar banesës së tij i shoqëruar nga të afërm dhe miq.

Burime spitalore i thanë agjencisë NOA se Dritan Avllaj kishte marrë plagë plumbi arme zjarri në krahun e djathtë, si pasojë e qitjes me armë zjarri të bërë nga një distancë rreth një deri 1.5 metër.

Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së enjtes në orën 22.00 në rrugën “Mihal Grameno” pranë tregut elektrik mbi shkollën e Baletit në Tiranë.

Dy persona hipur mbi në një motor afruan Benzit luksoz të Dritan Avllajt, në momentin kur shoferi po e dërgonte në shtëpi, pranë tregut elektrik.

Me skafandra në kokë, dy autorët u ndalën te makina e cila në ato momente ishte me shpejtësi minimale dhe njëri prej tyre nxori një pistoletë, me të cilën qëlloi në shpatullën e krahut të djathtë, Dritan Avllajn.

Pasi u krye qitja, personi që drejtonte motorin, i dha gaz duke u larguar në drejtim të paditur,

Në vendin e ngjarjes, në pak minuta shkuan forca të shumta policore dhe drejtues lokalë të drejtorisë së Tiranës por edhe nga Ministria e Brendshme.

Policia mori dëshmi në vendngjarje për dy persona me motor të cilët tha se kishin qëlluar Dritan Avllajn, ndërsa gjendej në makinën e tij.

Burimet zyrtare nga policia e Tiranës i thanë agjencisë NOA se dyshimet më të forta lokalizohen mbi një atentat pasi i plagosuri kishte qenë duke përshkuar rrugën për në shtëpi, tek tregu elektrik kur u qëllua me armë zjarri.

Për më tepër, policia heton edhe faktin se ky është atentati i tretë në këto tetë vitet e fundit që i bëhet biznesmenit të njohur në fushën e ndërtimeve.

Dritan Avllaj, i njohur si Tan Lepuri, është një biznesmen që njihet si ndër personat pranë kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama.

Avllaj u bë i njohur për publikun shqiptar pasi fundvitin e kaluar dhe në fillim të këtij viti, mazhoranca akuzoi kreun e opozitës se ndante me “Tan Lepurin”, para të ardhura nën afera lejesh ndërtimi të dhëna në mënyrë abuzive.

Mazhroanca thoshte se Avllaj përfitonte leje ndërtimi nga bashkia e Tiranës duke i dhënë kreut të saj 20 për qind për ndërtimet që ai kryente.

Avllaj u thirr madje dhe në Prokurorinë e Përgjithshme ku dha shpjegime lidhur me pretendimet e mazhorancës, kurse kreu i PS Edi Rama përjashtoi të ishte pjesë e një skeme të aluduar abuzimi duke thënë se Avllaj ishte një mik i tij i mirë.

e.t/NOA

KOMENTE