Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Lulzim Basha, fjalimi i plotë në shpalljen e kandidaturës
English

Lulzim Basha, fjalimi i plotë në shpalljen e kandidaturës

Ajo që do bëj për Tiranën

Nga Lulzim Basha

Këtë mbrëmje vij para jush, si një djalë i këtij qyteti. Unë jam fëmija i parë i dy prindërve të perkushtuar dhe të mrekullueshëm. Ata më rritën mua dhe vëllain tim mes vështirësish dhe rropatjesh të panumërta. Ata na falën gjithë dashurinë e tyre duke sakrifikuar gjithçka nga vetja. Edhe pse kohet ishin te vështira ata ja dolen te na sigurojne nje femijeri te embel, plot me kujtime te lumtura. Sepse për ta, ne fëmijet e tyre ishim gjithmone te parët.

Unë u rrita në atë Tiranë duke ëndërruar se si mund te behej ajo nje dite! Si mund te shndërrohej ne nje qytet me më shumë qytetërim, me më shumë drita të vërteta. Një qytet që të rrezatonte më shumë ngrohtësi dhe më shumë gëzim për banorët e tij.

20 vjet me parë ne, shqiptarët, e rrëzuam tavanin e hekurt që ndrynte ëndrrat tona, që mbyste shpresat tona dhe që burgoste mendjet dhe trupat tanë. Në këto 20 vjet e kemi parë si qyteti ynë u rrit, ndryshoi dhe u zmadhua.

Por sot kur unë dhe Aurela shohim qytetin ku jetojmë bashkë me vajzën tonë Dafina, ashtu si shumëkush, nuk jam i kënaqur. Sepse ne te gjithe kërkojmë dhe po ashtu meritojmë më shumë nga ky qytet, nga kjo shtëpi e madhe e përbashkët.

Tirana jonë dhe njerëzit e saj përballen me probleme reale dhe të përditshme, probleme të cilat nuk mund të zgjidhen as me gjuhë të egër, as me protesta te dhunshme dhe as me beteja politike, por vetëm me shumë pune, vizion krijues dhe duke u bashkuar të gjithë si qytetarë.

Sepse ky qytet ka nevojë për një ajër të ri, të freskët, të ndryshëm, të pastër dhe më të gëzueshëm. Një ajër të ri, ku humanja (njerëzorja) të jetë shumë më e pranishme. Një ajër të ri, që do ta bëjë qytetin më mikpritës, më bujar dhe më të dashur për banorët e tij, fëmijët, prindërit, gjyshërit tanë!

Realiteti i sotëm është përherë e më rraskapitës për banorët e Tiranës. Vendet e punës janë të pakta, çmimet e strehimit të larta, bllokimet e trafikut të përhershme, ndotja e gjithëpranishme, parqet dhe lulishtet të pamjaftueshme, shkollat te mbingarkuara, taksat bashkiake tepër të larta dhe korrupsioni mjaft i përhapur. Mund të çirremi sa te duam para këtyre sfidave. Mund t’i tundim grushtat në erë sa të duam para këtyre problemeve. Mund të bëjmë sikur i mbulojme ato, duke u kaluar përsipër një dorë boje. Por asnjë nga këto nuk i zgjidh problemet e qytetit tonë!

Klithja e slloganeve politike nuk hap asnjë vend të ri pune dhe kësisoj nuk ulet dot dot çmimi, qoftë edhe i nje buke të vetme. Betejat politike nuk na e shkurtojnë kohën e kthimit në shtëpi, nuk e çajnë dot trafikun kaotik pas një dite të lodhshme pune. As nuk ndërtojnë dot, qoftë edhe një park të vetëm lojrash për fëmijet tanë. As gjuha e egër dhe as bëmat e dhunshme nuk do ta shndërrojne Tiranën në një qytet më të mirë për fëmijët e mi dhe fëmijët tuaj. Asnjë nga këto nuk i ndihmon njerëzit të përmbushin shpresat e tyre.

Jo. Qytetaret e Tiranes presin me shume se britma indinjate dhe beteja politike. Problemet e qytetit janë tepër të mëdha, sfidat e tyre tepër urgjente dhe bastet për të ardhmen tone teper te larta për të lejuar teatrin politik të radhës të vazhdojë të shfryjë plot mllef dhe hipokrizi.

Sot është koha për t’ u ndarë nga keto shfaqje njeherë e mirë. Është koha për t’ju përveshur punës, për të vënë Tiranen te parën, njerezit te paret. Por cfarë mund të bëjë një kryebashkiak për punësimin dhe çmimet, nëse nuk rropatet natë e ditë për këtë problem? Nëse nuk bën të vetin edhe problemet e të tjerëve? Nëse nuk e ndjen deri në palcë përgjegjësinë e kësaj detyre? Asgjë. Këtë e dëgjuam dhe mbrëmë nga Kryetari aktual i Bashkisë i cili tha se ka të tjera plane dhe preokupime në këto kohë: do që të kapë karrigen e kryeministrit.

Ka dy lloj njerzish, ata qe marrin seriozisht vetëm veten e tyre dhe ata qe i marrin seriozisht detyrimet e tyre. Unë u rrita, u shkollova dhe çava në jetë, falë kësaj te dytes. Eshtë e vetmja rrugë që njoh. Eshte e vetmja rruge qe mesova nga prinderit e mij dhe ky qytet.

Sepse, sipas meje sekreti është dashuria. Ne ndjejme dhe e kuptojme njëri - tjetrin përmes dashurisë. Dashuria është elementi më thelbësor për çdo njeri, ndriçimi më rrezatues dhe forca më e madhe, e aftë të kapërcejë gjithçka tjeter. Prandaj e di se të githë së bashku, me dashurinë për fëmijët tanë, për prindërit tanë, me dashurinë për këtë qytet dhe njeri - tjetrin nuk ka gjë që nuk mund të arrijmë.

Prandaj sot nuk vij para jush për tju ndarë në një betejë tjetër politike. Perkundrazi, ju ftoj sonte nga kjo foltore te bashkohemi për ta vënë Tiranën të parën, për të ndërtuar se bashku të ardhmen europiane të këtij qyteti.

Sepse betejat e vërteta në ketë qytet nuk zhvillohen në teatrin politik të radhës. Ato zhvillohen në çdo familje dhe në çdo shtëpi Tirane. Në çdo rrugë dhe në çdo lagje të saj. Në jetën e çdo banori të saj.

Keto jane betejat e verteta. Betejat e njerezve te ketij qyteti. Betejat per nje jete me te mire. Betejat me papunsine dhe cmimet e larta. Betejat per me shume shkolla dhe shkolla me te medha e me te mira. Betejat kunder pamundesive te perditshme. Betejat per mundesi.

Betejat tuaja të perditshme do jenë të vetmet beteja per mua.

Une sot i futem sfides per ta kthyer qytetin tone ne qytetin e mundesive. Mundesive per punesim dhe jetë më të mire. Mundesive per rruge, sheshe, parqe, kende lojrash, ajer te paster, trafik normal, transport publik, arsim, kulture dhe sport.

Dhe për këtë, qytetit i duhet një kryebashkiak për të cilin “E para është Tirana, të parët jeni ju”!

E di se çdo politikan mund të premtoje gjëra, shpesh të bukura por të pamundura, por ajo për të cilën ka nevoje ky qytet është një njeri qe t’i futet punës dhe t’ja dalë asaj në krye.

Në të folur njerëzit mund të jenë njëlloj, por veprat e tregojnë ndryshimin midis tyre. Në 6 vjet në shërbim të publikut unë kam folur me vepra dhe jo vetëm me fjalë. Kam mbajtur cdo premtim që kam dhënë, kam përmbushur cdo angazhim që kam marrë.

Unë dua dhe di të punoj për Tiranën! Unë do të punoj për ju, për te gjithe ju sepse për mua “Ju jeni të parët, Tirana është e para.”

Unë do punoj për të luftuar çmimet e larta në këtë qytet. Akti im i parë do jetë krijimi i nje Agjensie Bashkiake te Mbrojtjes se Konsumatorit, që do ketë detyrë parësore inspektimin, raportimin dhe turpërimin publik te çdokujt që spekullon me çmimet në Tiranë, nga buka dhe karburanti tek strehimi dhe shërbimet.

Mbrojtja e konsumatorit nga çmimet abuzive dhe mallrat jocilësore si dhe mbrojtja e bizneseve nga konkurrenca e pandershme do të jetë një angazhim i plotë i Bashkise.

Konkurenca e ndershme është çelësi i tregut të lirë, çmimeve të ulëta, dhe mundësive më të mëdha. Të gjithë nivelet e qeverisjes duhet të luajnë rolin e tyre duke filluar nga Bashkia. Bashkia gjithashtu do të punojë për përmirësimin e infrastrukutres, për të ulur koston e transportit që lidhet me mallrat dhe shërbimet në mënyrë që këto kursime t’i kalojnë konsumatorit.

Akti im i dytë si Kryebashkiak do të jetë krijimi i TaskForces për Punësimin. Në qytetin tonë njerëzit e kualifikuar nuk mund të gjejnë vende pune dhe shpesh bizneset nuk mund të gjejnë njerëz të kualifikuar. Ngërci i zhvillimit ekonomik që ka mbërthyer Tiranen në këto vitet e fundit ka nxjerrë në pah problemin e punësimit dhe të papunësisë. Potenciali ekonomik i qytetit të Tiranës dhe ai i punenxenies janë dobësuar ndjeshëm këto 3-4 vitet e fundit. Ndërkohë që popullsia e qytetit vazhdon te rritet. Dhe do të rritet edhe në të ardhmen.

Ne themel te arsyes qëndron performanca e dobët e Bashkise në të gjitha drejtimet.

Rritja e kostove dhe pasigurisë mbi bizneset si rezultat i politikave të gabuara të Bashkisë të tilla si rritja shumëfish e barrës fiskale lokale, shtimi i kostos së burokracisë bashkiake, zhvillimi territorial pa plan dhe kaotik, mos-angazhimi i Bashkisë në krijimin e lehtësirave për biznesin shqiptar apo të huaj, e deri tek radikalizmi dhe konfliktualiteti i lartë, kanë shkaktuar frenimin e investimeve private, shqiptare e të huaja e për pasojë edhe frenimin e mundësive për punësim e vetëpunësim.

Unë do të punoj fort për këtë. Bashkia do të angazhohet në zbatimin e politikave direkte për nxitjen e punësimit dhe reduktimin e papunësisë përmes ngritjes së një sistemi bashkiak të informacionit mbi tregun e punës, lehtësimit të kontakteve mes punëdhënësve dhe punëmarrësve, afrimin e shkollës dhe universiteteve me biznesin, hapjen e mundësive për praktika mësimore pranë Bashkisë dhe gjithe rrjetit institucional apo partnerëve privatë të saj, si dhe përmes trajnimit profesional. Për këtë qëllim Bashkia do të punojë ngushtë me komunitetin e biznesit, shkollat, universitetet, median, shoqërinë civile si dhe me strukturat e specializuara të qeverisë dhe bashkive e komunave fqinje.

Shumë të rinj që mbarojnë studimet e kanë të vështirë të gjejnë një punë në profesionin e tyre. Bashkia do ti ndihmojë këta të rinj duke financuar një program stazhi që do ti afrojë ata me sektorin privat dhe do ti pajisë me përvojë pune në profesionin e tyre. 70% e atyre që kryejnë stazhe të tilla iu ofrohet punësim i përhershëm në sektorin privat, dhe ne e kemi për detyrë të bëjmë gjithshka për punësimin e brezit të ri.

Por kjo nuk mjafton. Ne do të krijojmë më shumë vende pune dhe punësim me paga më të mira. Sot Bashkia nuk bën asgjë për punësimin. Dhe ndonëse Bashkia nuk mund të bëjë gjithçka për punësimin, ajo mund të bëjë diçka dhe me mjaft rëndësi. Misioni im është hapja e 30 mijë vendeve të punës në dy vitet e ardhshme. Vetëm unaza e madhe dhe projektet e tjera të nënkalimeve dhe parkingjeve nentokesore do të krijojnë mbi 5800 vende pune.

Por sektori publik nuk mund të arrijë gjithcka. Për të krijuar më shumë punësim dhe punësim me pagë më të mirë ne duhet të nxisim ekonominë duke ndihmuar hapjen e bizneseve të reja dhe zgjerimin e atyre ekzistuese. Por sot Bashkia jo vetëm që nuk po ndihmon, por ajo po pengon.

Tirana është qyteti me numrin dhe nivelin më të lartë të taksave dhe tarifave vendore. Jo vetëm numërohen mbi 80 lloje taksash dhe tarifash vendore, por niveli i tyre është rritur me disa here gjate dekadës se fundit. Nuk ka nevoje të jesh ekonomist për të kuptuar që me taksa kaq te larta më mirë të ulësh qepenat, t’i vesh kyçin derës dhe ta mbyllësh biznesin. Une sot deklaroh para jush objektivni: Tirana, vendi i duhur për te bere biznes.

Si Kryebashkiaku juaj, unë do të heq rreth 60 taksa dhe tarifa vendore dhe do të ul 2 deri në 5 herë taksat dhe tarifat që mbesin. Unë angazhohem gjithashtu që nëpërmjet thjeshtëzimit të procedurave administrative dhe përdorimit të teknologjisë së informacionit, krijimit të parqeve industriale, përdorimit të formave të ndryshme të partneritetit publik-privat për zhvillimin ekonomik dhe masave të tjera do ti japim një implus të ri zhvillimit të biznesit të vogël, të mesëm dhe të madh duke rritur mundësitë e punësimit dhe reduktimin e papunësisë.

Bashkia do të ndihmojë këdo që do të sjellë biznesin e tij në qytet duke thjeshtësuar në maksimum burokracinë bashkiake. Bashkia do të lehtësojë në maksimum lëvizjen e çdo biznesi që dëshiron të vijë në Tiranë nga Roma apo Milano, nga Berlini apo Madridi: ne do t’i ndihmojmë. Tirana do jetë qendra e biznesit dhe unë do bëj çdo gjë që të sjell punësim dhe investime në Tiranë sepse për mua e para eshtë Tirana dhe ajo duhet dhe do të jetë krah për krah kryeqyteteve të tjera të Europës.

Po për këtë na duhet të ndërtojmë një Tiranë moderne Europiane. Ne duhet të ndërtojmë më shumë shkolla që fëmijët tanë të mos rrijnë në klasa me nga 40 nxënës, duhet të krijojmë kushte më të mira që mësuesit të japin mësim në mënyrë dinjitoze dhe nxënësit të mësojnë normalisht. Ne duhet të eliminojme mësimin me dy turne dhe të kemi klasa me më pak se 30 nxënës, shkolla te hapura e të mirëpaisura, ku zhvillohet mësim por edhe jete sociale për nxenesit dhe komunitetin; internet falas për te rinj, nxënës e studente, jo vetëm ne shkolla por ne te gjithë territorin e qytetit. Shkollat do te shndërrohen ne qendra te jetës komunitare duke u pajisur me mjetet dhe mjediset e përshtatshme ndërsa Bashkia do te organizoje dhe financoje aktivitete te larmishme ndërshkollore

Tirana eshte qyteti i pare universitar i Shqiperise. Bashkia do të krijojë mundesitë që Tirana të presë dhe të mbajë në gjirin e saj, me të gjitha kushtet dhe infrastrukturat, më shumë se 100.000 studente. Një Bibliotekë Universitare e Tiranës, është premtimi im konkret, për Tiranen, kryeqytet universitar.

Ne kemi nevojë të investojmë në infrastrukturë, çka do të hapë fronte pune të menjëhershme dhe do të ndërtojë themelin e një rritje ekonomike afatsgjatë. Unaza e madhe që do të qarkojë Tiranën do të rrisë efiçencen e biznesit dhe qytetarëve duke shkurtuar ndjeshëm kohën e transportit. Ajo do të ndihmojë edhe zhvillimin e lagjeve të Tiranës duke i lidhuar ato me një sistem modern trasporti. Duke filluar nga Unaza e Madhe, nënkalimet dhe parkingjet nentokesore do ta zgjidhin përfundimisht problemin e trafikut në Tiranë. Unë do angazhohem edhe për për një system transporti publik cilësor, të shtrirë në të gjithë qytetin dhe të pakushtueshëm, falas për të moshuarit, fëmijët dhe personat në ndihmë sociale. Tirana ashtu si çdo kryeqytet Europian do te kete tramvajin e saj.

Ne kemi nevojë për më shumë parqe dhe lulishte, për rrugë dhe trotuare cilësore. Ne kemi nevojë për një plan për qytetin tonë dhe jo të vazhdojmë të hedhim beton dhe të ndërtojmë kuturu. Ky plan do të ketë në vëmendje jo vetëm qendrën e qytetit por edhe lagjet tona, kudo ku jetojnë banorët e këtij qyteti. Tirana duhet të përfundojë odisenë e mungesës së pafundme të planit rregullues, që gjithmonë është afër përfundimit por asnjeherë nuk përfundon, duke mbetur kështu i hapur ai bark që pjell të gjitha abuzimet, korrupsionin me lejet e ndërtimit dhe perspektivën e paqartë të vlerës së çdo ndërtimi. Kjo do të marrë fund njëherë e mirë.

Dhe këtu, unë si kryetar i bashkisë nuk do të hezitoj të kundërshtoj madje as vendime të marra nga Këshilli Kombëtar i Rregullimit të Territorit, kur ato bien ndesh me interesat afatgjatë të qytetarëve të Tiranës.

Unë e di se ka mes jush që pyesin se cfarë raporti do të ndërtoj unë nesër si Kryebashkiak me qeverinë qëndrore. Për të gjitha ata që pyesin, kjo është përgjigjia ime: Unë do të punoj me qeverinë qëndrore sa herë e lyp interesi më i mirë i Tiranës, por nuk do të ngurroj kurrë të përballem me të nëse ky interes vihet në pikëpyetje. Qeveria qëndrore mund, duhet dhe do të bëjë shumë për Tiranën, dhe unë si Kryebashkiak do të punoj me të dhe do ti jem mirënjohëse per cdo ndihme kesaj mysafire te perhershme te qytetit tone.

Lagjet tona, aty ku njerëzit bëjnë jetën e përditshme, jo vetëm qendra, kanë nevojë t’i nënshtrohen një zhvillimi dinamik në respekt të plotë për pronën private dhe një harmoni të drejtë të zhvillimit të saj në favor të familjeve që e zotërojnë atë. Ne duhet të sjellim shërbime thelbësore dhe të krijojmë një qytet policentrik me hapësira të gjelbra dhe ambjente çlodhëse dhe argëtuese ku njerëzit të jetojnë, të punojnë dhe të çlodhen.

Bashkia do te angazhohet për një program qe synon shpëtimin e sipërfaqeve te gjelberta nga prishja dhe rehabilitimin e shpejte te tyre. Gjithashtu, Bashkia do te ndërtojë parqe te vogla dhe zona apo qendra argëtuese ne shume nga zonat e qytetit ku ekzistojnë ende hapësira te lira.

Përmes investimeve publike por edhe partneritetit publik-privat ne do të rrisim cilësinë dhe kapacitetet çlodhëse dhe argëtuese te Parkut te Madh te Liqenit, te Parkut te Dajtit si dhe do të investiojmë për zona te mëdha te gjelberta, çlodhëse dhe argëtuese ne territoret e bashkive e komunave fqinje.

Unë angazhohem sot para jush për ndërtimin e një Parku tjetër të Madh të Tiranës si dhe ndërtimin e Korridorit Rekreativ të Lumit të Tiranës si pjesë e një plani të ri te zhvillimit që Bashkia do të vërë në jetë ne bashkëpunim dhe harmonizim me bashkitë dhe komunat fqinje.

Ky plan duhet t’i kthejë qytetarit zërin e tij për të vendosur mbi të ardhmen dhe zhvillimin e komunitetit. Për këtë qëllim, mbledhjet ku shqyrtohet cdo plan ndërtimi për qytetin tonë do jenë të hapura për publikun. Ju dhe fqinjët tuaj do të keni mundësinë të jepni mendimin tuaj dhe të zgjidhni të ardhmen e lagjes tuaj.

Unë do të kërkoj gjithashtu që çdo ndryshim destinacioni për biznesin të jetë i hapur për komentet e publikut. Nëse dikush do të hapë një diskotekë te pragu i banesës tuaj, ju do të keni të drejtën të kundërshtoni.

Unë do të jem një Kryebashkiak i hapur për të dëgjuar nga ju. Çdo të premte unë do të kem orar zyrtar pritjeje ku çdo qytetar me problem të cfarëdollojshëm do mund të vijë dhe të flasë vetë me Kryetarin e Bashkisë dhe unë do bëj gjithçka për të zgjidhur problemin tuaj. Sepse ne kemi nevojë për një Kryebashkiak që kujdeset për hallet dhe shpresat e njerëzve. Një Kryebashkiak që do t’i përkushtohet Tiranës dhe qytetarëve të saj me mish e me shpirt. Një Kryebashkiak për të cilin të parët janë njerëzit, e para është Tirana.

Nëse duam që Tirana të jetë një qytet modern dhe Europian, ne na duhet nje plan modern urban, që jo vetëm zgjidh problemet e sotme, por që i krijon metropolit tonë perspektivën dhjetëra vjecare të zhvillimi. Por Tirana nuk mundet kurrë të realizojë potencialin e saj të plotë kur korrupsioni zhbiron jetët tona. Kur Bashkia harxhon 8300 lekë për frymë për pagat dhe vetëm 2500 lekë për shërbimet ndaj qytetarit. Kur duhen plot 336 ditë për një leje ndërtimi, dhjetëra herë më shumë se në cdo qytet tjetër Europës, disa herë më shumë se në cdo qytet tjetër të vendit.

Celësi është transaparenca. Çdo lek që bashkia shpenzon, duke përfshirë rrogat e punonjësve dhe çdo kontrate që lidhet do të publikohet ne faqen zyrtare të internetit.

Bashkia duhet të jetë solidare, ajo duhet të çlirojë dhe inkurajojë energjitë bamirëse në qytet. Ne duhet tu gjendemi neë krah njerëzve në nevojë. Bashkia do t’i vijë në ndihmë nënave kryefamiljare që mbajnë të vetme familjet. Nuk do te kete femije qe braktisin shkollen per arsye ekonomike, ne do t’i heqim nga rruga fëmijët që lypin dhe do ti ulim në bankat e shkollës bashkë me moshatorët e tyre për tju dhene edhe atyre shansin që u jep shkolla për një jetë më të mirë.

Tirana është zemra kulturore e vendit dhe kombit tonë. Këtu jeton elita e vendit dhe një komunitet i mrekullueshëm njerëzish të artit dhe të kulturës. Bashkia do të vendoset në qendër të një mekanizmi dinanamik që ndjell ardhjen në Tiranë të shumë aktiviteteve kulturore. Konkurset dhe Çmimit Bashkiake për shumë fusha të kulturës, artit dhe letërsisë do të ngjallin garën për krijim, art dhe kulturë në qytet.

Tirana, një destinacion turistik do të plotësohet me disa destinacione turistike përreth saj si Dajti, Petrela, Preza apo Kruja, ndaj krijimi i një Rrjeti i Destinacioneve të Intregruara Turistike të zonës së Tiranës, në bashkëpunim me kolegët e komunave apo bashkive përreth kryeqytetit do të propozojë për turistët një Tiranë të vizitueshme gjithë vitin.

Dhe tani më lejoni të them dy fjalë për Edi Ramën. Ai nuk është armiku ynë. Dhe ndoshta në krye të herës edhe ka arritur diçka për qytetin. Por që kur erdhi në krye të Partisë Socialiste interesi i tij i vetëm është lufta me Kryeministrin Berisha dhe jo puna për Tiranën dhe qytetarët e saj. Qyteti ynë ka mbetur në vendnumëro, sepse ai eshte obsesuar me kolltukun e kryeministrit dhe i është futur një betejë politike për hesap te vet, por që nuk na ndihmon te ndërtojme asnjë shkollë të vetme, nuk na shtron asnjë rrugë të vetme, nuk na krijon asnjë vend të vetëm pune.

Degjova se dje tha qe do te kandidionte per Bashkine e Tiranes per t’u bere kryeminister. Pune e paqmeJ! Por a është kjo ajo që kërkojnë qytetaret e Tiranes kur i drejtohen dhomes se votimit per te zgjedhur njeriun qe duhet te zgjidhe hallet e tyre te perditshme ne kete qytet?

Unë ju ftoj ta refuzojmë me votë qyetatare këtë betejë të re politike që ai na propozon për interesat e tij dhe aspak të qytetit tonë dhe të zgjidhni alternativën qe ju vendos ju te paret, Tiranen te paren!

Dje unë dhashë dorëheqjen si Ministër i Brendshem sepse besoj se Tirana meriton një Kryebashkiak me kohë të plotë që do t’i vërë veshin njerëzve dhe do të punojë gjithë kohën për t’i kthyer shpresat e tyre në realitet dhe jo të merret me beteja politike.

Sepse këtu dicka shumë e rëndësishme ka humbur rrugës : arsyeja pse çdo burrë apo grua garon për t’u zgjedhur është të ndihmojë dhe tu shërbejë njerëzve. Në cdo hap të kohës time në shërbim publik kjo ka qenë motoja ime. Gëzimi im dhe brenga ime është se për çdo person që kam mundur të ndihmoj e di që ka patur të tjerë që nuk kam mundur t’i ndihmoj. Por unë dua çdokënd që më dëgjon sot ta dijë se jam në anën tuaj, se do punoj për ju, se do e degjoj zërin tuaj.

Në këtë qytet cdokush has pengesa të ndryshme dhe ka qëllime të ndryshme, sipas moshës, punës, lagjes ku jeton etj. Po kur flas me qytetarët e Tiranës ajo që më impresionon nuk është shumëllojshmëria por ngjashmëria e dëshirave, kërkesave dhe shpresave të tyre për Tiranën.

Njerëzit e këtij qyteti duan hapësira të gjelbërta, parqe dhe kënde lojërash. Ata duan t’u mblidhen rregullisht plehrat, njerëzit duan trotuare dhe rrugë të shtruara, njerëzit duan një qytet ku ajri që ata dhe fëmijët e tyre thithin është i pastër dhe ku mbeturinat pastrohen, një qytet me më pak trafik, më shumë parkingje dhe një qytet me një transport publik që funskionon. Njerëzit duan një qytet ku lagjet të jenë të ndriçuara, ku kujdesi shëndetësor të jetë më pranë tyre dhe ku zëri i tyre të dëgjohet.

Njerëzit duan një Bashki që punon për ta, dhe jo për të çuar më tej axhendën politike personale të Kryetarit. Njerëzit duan një qytet më të mirë, dhe ajo që ia ka zënë rrugën është lufta politike.

Unë ju premtoj sonte se çfarëdo që të ndodhë, unë nuk do ta harroj kurrë se arsyeja pse jam në zyrë publike është që tju shërbej ju te dashur bashkëqytetarët e mij. Paçka nëse jeni demokratë apo socialsitë, LSI apo PDU, Republikanë apo LZHK. Nuk ka rëndësi nëse jeni të moshuar apo të rinj, burra po gra, të punësuar apo të papunë, apo pensionistë. Ne të gjithë jemi qytetarë të Tiranës dhe unë do punoj cdo ditë për të ardhmen e cdo qytetari. Sepse per mua te paret jeni ju! e para eshte Tirana!

Nesër unë do ta nis fushatën time me njerëzit, duke i takuar dhe duke i dëgjuar ata. Unë mezi pres te jem mes jush ne cdo lagje te Tiranes t’ju shtrëngoj duart, të ulem bashkë me ju dhe të degji shqetesimet, qëllimet dhe shpresat tuaja. Bashkë me ju do të ndaj platformat e mija per zgjidhjen e problemeve, vizionin tim per Tiranen moderne Europiane.

Të dashur bashkëqytetarët e mi,

Ne gjendemi tani në një udhëkryq. Para nesh ka dy rrugë, dhe ne duhet të zgjedhim. Njëra rrugë na kthen tek politika e vjetër e ndasive, akuzave, konfliktit dhe pesimizmit dhe kjo rrugë na len ne vend. Rruga tjetër udhëheq drejt mundësisë, bashkimit, shpresës, progresit dhe optimizimit ku në qendër jeni ju dhe zgjidhjet e problemeve tuaja, dhe kjo rrugë na con drejt mundesive te reja per secilin, drejt zgjidhjeve te medha per Tiranen.

Unë dua të luftoj betejën e të ardhmes tonë: një të ardhme më të mirë për të gjithë ne. Për Tiranën, qytetin që ne duam dhe që meriton më shumë.

Prandaj ju ftoj: bashkohuni me mua në këtë rrugë, ta lëmë pas konfliktin shterpë të akuzave politike, të zgjedhim të ardhmen mbi të shkuarën, të zgjedhim mundësinë shpresën dhe ëndrrat tuaja. Le ta shtrimë vështrimin tonë drejt mundesive të reja dhe zgjidhjeve të mëdha, të bindur se se bashku do t’ia dalim.

Të cohemi dhe të fillojmë punën për qytetin e ëndrrave tona, të bashkohemi me një zë të vetëm dhe ta lëmë atë zë të dëgjohet fort e më fort nga besimi që ne kemi se ne mund të ndërtojmë një Tiranë më të mirë, se ne do ta ndërtojmë një Tiranë më të mirë dhe do te mposhtim cdo sfidë dhe asgjë nuk do na ndalë në rrugën tonë.

KOMENTE