English

PS: Skandal me Kuvendin e ri, fituesi i shpallur që në 12 mars, Jozefina të përgjigjet

Tiranë, 25 mars 2011, NOA – Deputeti socialist Taulant Balla duke akuzuar sot kryeparlamentaren Jozefina Topalli se është përgjegjëse për skandalin mbi projektin fitues për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar, deklaroi se fituesi është shpallur jo dje, por që në 12 mars. Balla për ta ilustruar skandalin tregoi para mediave një artikull të gazetës vjeneze “Wienner Zeitung” ku shkruhej se fituesi ishte shpallur nga kjo gazetë që në 12 mars, dhe jo në 24 mars kur e shpalli publikisht në Tiranë Kryetarja e Kuvendit.

“Zonja Jozefinë mban tashmë përgjegjësi penale dhe duhet të japë llogari përpara ligjit”, deklaroi deputeti socialist.

Deputeti Balla theksoi se me shpalljen e projektit fitues për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar, Jozefina Topalli dëshmoi se është një anëtare e denjë e regjimit të kusarisë.

“Mes “disko volanteve” dhe “shatllave” që aq shumë e entuziazmuan Jozefinën, juria e zonjës kryetare përzgjodhi siprojekt fitues, Maketin 11022 T, të paraqitur nga Studio vjeneze COOPHIMELB(L)AU”, tha Balla.

Ai nënvizoi se kryeparlamentarja Topalli vendosi në mënyrë krejtësisht jo transparente dhe abuzive të shpenzojë disa dhjetëra në mos qindra miliona euro për ndërtimin e një parlamenti të ri, ku sikundër është bërë me dije do të përfshihet edhe një apartament luksoz banimi për Kryetarin e Kuvendit.

Deputeti Balla e krahasoi këtë projekt ku nuk parashikohet kosto me atë të rrugës së kombit Durrës – Kukës.

Artikulli i gazetës vjeneze shpall emri i Wolfgang Prix si fitues të projektit për ndërtimin e parlamentit shqiptar, para se të mblidhej juria ndërkombëtare e thirrur nga zonja Topalli.

Sipas Ballës gazetari ironizon politikën Shqiptare, duke thënë se “me sa duket politika shqiptare është e guximshme, arkitekti quhet Wolfgang Prix”.

Deputeti i PS-së Taulant Balla akuzoi Kryetaren e Kuvendit se pasi çoi dëm 2 milion euro për transformimin e piramidës dhe 700 mijë euro për sallën e re ku zhvillohen seancat parlamentare, tashmë po kryen një vepër të re korrupsioni dhe për këtë duhet të japë llogari.

mit/NOA

KOMENTE