English

Reagon Topalli: Po të trukoja konkurse, do drejtoja Bashkinë e Tiranës

Tiranë, 25 mars 2011, NOA – Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli ka reaguar pas akuzave të deputetit socialist Taulant Balla mbi skandalin për maketin fitues të parlamentit të ri, duke deklaruar se artikulli i propaganduar nga selia rozë është një gënjeshtër spekulative. Përmes një deklarate për shtyp, Kryetarja e Kuvendit informon se skandali i përmendur nga zëdhënësi i shokut Rama është një gënjeshtër fund e krye, jo vetëm në çdo fjali, por në çdo gërmë dhe shifër të saj.

“Partia e Enver Hoxhës, nëpërmjet shokut Taulant Gjura guxoi për të disatën herë të ndotë ambientin e veshët e shqiptarëve me gënjeshtra të paskrupullta”, thekson kryeparlamentarja në deklaratën e saj.

Ajo siguroi se “Çdo hap i ndërmarrë për të celebruar 100-vjetorin e themelimit të Shtetit Shqiptar, me të parën godinë të parlamentit të ndërtuar ndonjëherë në këtë vend, është bërë në transparencë e respekt të plotë të vendimit Nr. 66,datë 21.10.2010 të Kuvendit të Shqipërisë, si dhe të vendimit unanim Nr. 1 datë, 2.11.2010 të të gjithë anëtarëve të Komitetit Shtetëror, përfshirë shefat e shokut Gjura, respektivisht të shokëve Edvin Rama e Gramoz Ruçi”.

Kryetarja e Kuvendit bën me dije se gënjeshtrat e deputetit Balla apo shokut Gjura që shpifi e transformoi krejtësisht një shkrim të botuar në gazetën vjeneze “Wiener Zeitung”, nuk e zbehin aspak transparencën dhe suksesin e këtij procesi.

Zonja Topalli sqaron se “nëse do t’i kishte shkuar ndonjëherë në mendje të abuzonte me fondet publike duke trukuar konkurse apo sajuar konkurime, do të kishte vendosur të merrte teserën e Partisë Socialiste dhe të drejtonte Bashkinë e Tiranës”.

Ajo vërejti se Kuvendi i Shqipërisë nuk është Bashkia e Tiranës, është modeli krejt i kundërt i saj.

Në funksion të transparencës kryeparlamentarja Topalli njofton se në faqen e internetit të Kuvendit është publikuar i plotë artikulli i gazetës “Wiener Zeitung” në variantin e saj origjinal gjermanisht si dhe në variantin shqip.

mit/NOA

KOMENTE