English

Shoqëria civile, pakt për bashkëpunim drejt barazisë gjinore

Unioni i Gazetarëve dhe OJF-të që punojnë për barazinë gjinore nënshkruajnë Kuadrin e Bashkëpunimit me mbështetjen e OKB-së

Tiranë, 25 Mars 2011 NOA - U nënshkrua sot në Tiranë Kuadri i Bashkëpunimit midis Unionit të Gazetarëve dhe 15 OJF-ve që punojnë për barazinë gjinorë në Shqipëri. Ky proces u mbështet dhe u lehtësua nga Entiteti i Kombeve të Bashkuara për Barazinë Gjinore dhe Fuqizimin e Grave, UN Women.

Në përshëndetjen e saj, Zineb Touimi-Benjelloun, Përfaqësuese e Përhershme e OKB-së në Shqipëri theksoi se “Kjo tryezë e rrumbullakët dhe nënshkrimi i Kuadrit të Bashkëpunimit midis Unionit të Gazetarëve dhe shoqërisë civile është një nismë e parë që i hap rrugë zbatimit të një programi ambicioz të OKB-së për 5 vitet e ardhshme që parashikon një fokus të veçantë në forcimin e mbikëqyrjes qytetare, shoqërisë civile dhe medias për të rritur përgjegjshmërinë e institucioneve dhe forcimin e angazhimeve rreth arritjes së barazisë gjinore”.

“Kjo është një nismë që vjen në kohën e duhur si një nevojë për të ndërtuar një partneritet më të mirë brenda shoqërisë civile për t’i dhënë grave më shumë zë dhe vizibilitet”, - tha znj. Heba El Kholy, E ngarkuar në detyrë, UN Women në Shqipëri. “Të dhënat në shkallë globale tregojnë se investimi për rritjen e pjesëmarrjes së gruas në politikë kthehet në përfitim për të gjithë shoqërinë, jo vetëm për gratë.”

Nga ana e tij, z. Aleksandër Çipa, kryetar i Unionit të Gazetarëve e konsideroi këtë nismë si një “akt reagues” të komunitetit të gazetarëve ndaj ngadalësisë me të cilën po ndodh zgjimi i ndërgjegjes shoqërore ndaj përfaqësimit të drejtë të gruas. “Unë jam i sigurt se debati pasues do të jetë pjesë e pastër reflektive e një ndërgjegjeje në lëvizje, e një ndërgjegjeje realisht të shqetësuar për përmirësimin dhe ndryshimin e realitetit të ndenjur dhe cinikisht të premtuar “ - tha z. Çipa.

Unioni i Gazetarëve është organizata më e madhe e gazetarëve në vend dhe numëron rreth 850 anëtarë. 57% e anëtarëve të Unionit janë gazetare.

Kuadri i Bashkëpunimit, i cili hyn në fuqi sot është subjekt rinovimi në çdo kohë që palët do ta shohin të arsyeshme. Kuadri mbetet e hapur për nënshkrim për të gjitha OJF-të dhe gazetarët që do të shprehin vullnetin për t’iu bashkuar këtij Kuadri Bashkëpunimi.

e.t/NOA

KOMENTE